Kush po e keqpërdor Komisionin anketues për përgjimet?

Komisioni anketues për përgjimet sot ka mbajtur seancën e radhës, ku në rend dite parashihej të ishte dëgjimi i dëshmitarëve, të cilët ishin propozuar nga Komisioni. Mosprezenca e dëshmitarit të parë, Nikolla Gruevskit, nuk krijoi hapësirë që Komisioni të kryejë punën e rregullt dhe debati në Komision u përqendruar për të qëruar hesape partiake, raporton Portalb.

Edhe pse Nikolla Gruevskit, personalisht kishte caktuar datën 9 dhjetor për tu paraqitur para Komisionit, ai sot pa e informuar Komisionin nëpërmes mediave ka deklaruar se për shkak obligimeve tjera zyrtare nuk do të jetë i gatshëm të dëshmojë para Komisionit. Kështu duke e caktuar datën 14 dhjetor si ditë kur ai do të jetë i gatshëm të dëshmojë.

Ndërkaq ministri i financave, Zoran Stavrevski, i cili duheshe që të dëshmojë nesër, ka njoftuar Komisionin se prezencën e tij do ta anulojë për 17 dhjetor, edhe pse shkelet afati që funksionarët të paraqiten për të dëshmuar para Komisionit nga 9-15 dhjetor.

Këto sjellje të anëtarëve të funksionarëve të VMRO-DPMNE-së nga LSDM i kanë definuar si ikje nga e vërteta.

“Me shkrim Nikolla Gruevski nuk na ka informuar. Derisa Zoran Stavrevski ka anuluar dëgjimin për dy ditë pas afatit të caktuar. Vet VMRO-DPMNE e nënshkruan proces verbalin ku është definuar se personat që duhet të dëshmojnë para Komisionit deri më 7 dhjetor me shkrim t’i drejtohen Komisionit. VMRO nuk ka guxim të përballet me të vërtetën dhe t’i përgjigjet pyetjeve tona”, tha Shilegov, deputet i LSDM-së, njëherit edhe kryetar i Komisionit anketues për përgjimet, raporton Portalb.

Antonio Milloshoski, deputet i VMRO-DPMNE-së akuzat e LSDM-së ndaj VMRO-DPMNE-së dhe Nikolla Gruevskit i ka cilësuar si lojë për poenë politik. Sipas tij, Nikolla Gruevski është i gatshëm që të dëshmojë para Komisionit, por që për momentin gjendet në udhëtim zyrtar.

“LSDM do ta përdor këtë Komision, jo për të mbledhur fakte, për të bërë teatër politik. VMRO-DPMNE do që të gjithë të paraqiten këtu në Komision dhe jo vetëm, por edhe Komisioni t’i vizitojë organet që kanë të bëjnë me përgjimet si DSK, MPB… me qëllim që të sjellim përfundime dhe një gjë e këtillë të mos ndodh në të ardhmen”, u shpreh Milloshoski.

Deputeti i PDSH-së, Ernad Fejzullahu tha se ky Komision edhe një herë po dëshmon se VMRO-DPMNE/LSDM dhe BDI nuk duan ta zgjidhin këtë skandal.

“Ky komision është vetëm spektakël televiziv, asgjë tjetër. Prandaj unë do të votoj i përmbajtur”, deklaroi Fejzullahu.

Përndryshe, nesër do të duhet të dëshmojë, Martin Protugjeri dhe Zoran Stavreski, të premten Sasho Mijalkov, më 14 dhjetor Gordana Jankulloska ndërsa më 15 dhjetor Mile Janakieski, ka njoftuar ditë më parë, kryetari i Komisionit Anketues Petre Shilegov.

Në listën e dëshmitarëve të VMRO – DPMNE-së janë kryeministri Gruevski, zëvendëskryeministri Stavreski dhe ish-ministrja Jankulloska, ndërsa në listën e LSDM-së janë Mijallkov, Janakieski dhe Protogjer.

Seancat në të cilat do të merren në pyetje dëshmitarët do të jenë të mbyllura për opinionin

Komisioni Anketues planin për punë me dinamikën e marrjes në pyetje të dëshmitarëve dhe vizitën e institucioneve e miratoi javën e kaluar.

Është paraparë dy aktivitetet të zhvillohen në mënyrë paralele prej më 7 dhjetor deri më 22 janar 2016. Sipas tajmingut për punë, seanca për përgatitjen e raportit të Komisionit është planifikuar për më 29 janar 2016. Raporti duhet të jetë gati deri më 31 janar./Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button