Nëse unë jam mirë, është mirë shqiptaria?!

Gati të gjithë e dimë atë thënien e njërit të rilindësve shqiptarë, Isa Boletini: “Unë jam mirë, kur është mirë Shqypnia”. Thënie kjo me të cilën figurat kombëtare kanë vënë në pah vënien e interesit dhe mirëqenies kombëtare para interesit dhe mirëqenies së tyre vetanake.
 
Tani, një shekull, pasi u bë Shqypnia e Isës me shokë, anekënd shqiptarisë mund të gjejmë variacione të shumta të së kundërtës të kësaj thënie dhe versione tërësisht të kundërta me kuptimin e kësaj parulle. Thënie si “më ngat gusha, se sa fusha”, e të tjera, që herë arsyetojnë tendencat survivaliste të individëve në bazë ditore, e herë janë edhe parulla që shfaqin qartas karakterin hedonist të veprimeve dhe bindjeve vetanake të disa njerëzve. 

Pozicioni dhe brenga vetanake për mbijetim dhe mirëqenie të vetes është më se legjitim për njerëzit në përgjithësi, por ky qëndrim nuk është i drejtë për asnjë i cili pretendon përfaqësimin edhe të njerëzve të tjerë. Ashtu ata të cilët zgjidhen, legjitimohen dhe sigurojnë rrogat dhe jetesën e tyre prej cilësisë së përfaqësimit edhe të tjerëve, asnjëherë nuk duhej as të sillnin nëpër mend kësi pozicione dhe qëndrime vetanake. 

Kjo pasi ndonëse jemi, një shekull më pas, pasi Shqypnia e Isës me shokë, ende nuk është mirë, ashtu si ishte menduar prej tyre dhe prej tjerëve, shohim se ka njerëz, nga ata që pretendojnë përfaqësim, por që veprojnë në përputhje me: nëse unë jam mirë, është mirë shqiptaria?!

Kjo dukuri si gati gjithkund ndër shqiptarë është prezente edhe në Maqedoni, atje ku janë shqiptarët, për të cilët pritej që do ishin pjesa e parë e kombit që do integrohej në BE, kurse tani me ngecjen e Maqedonisë dhe me progresin në euro-integrime të Shqipërisë dhe Kosovës është më e pritshme që të mbeten të fundit.

Bile në Maqedoni sikur ka qasje strukturore dhe veprime sistematike në përputhshmëri me këtë anti-parullë pasi janë të shumta rastet që argumentojnë se politikanë të ndryshëm kanë vepruar mu kështu duke parë veten në njëjës edhe pse zgjidheshin duke folur në veten e parë shumës.
 
Prej tendencave se historia dhe përpjekja shqiptare në Maqedoni ka nisë me ekzistencën apo nisjen e aktivitetit të tyre politik e deri tek deklarata dhe politika që dëshmojnë se kanë parë vetëm çështjet e veta dhe aspak ato kolektive. Rasti i fundit ishte kur një përfaqësues i një organizate ndërkombëtare, OSBE, gjegjësisht ambasadori i saj në Shkup, me të drejtë, paralajmëroi zëvendës kryeministrin për implementim të Marrëveshjes së Ohrit, z. Musa Xhaferin, se marrëdhëniet ndëretnike në vend janë duke u keqësuar. Ajo që e bën këtë rast të veçuar është fakti se e njëjta organizatë ndërkombëtare shpesh është përdorur si alibi për të arsyetuar para opinionit shqiptarë dështimet politike, si në disa raste të gjykimeve politike dhe në rastin e censusit të dështuar. Ashtu tani në vitin 2013, dymbëdhjetë vjet pas nënshkrimit të MO-së, arritëm që një përfaqësues ndërkombëtarë të i tregon ministrit të emëruar nga një subjekt politik shqiptarë, se gjendja në vend nuk është lule. 

Kurse ajo që këtë rast e bën argument për vazhdë në ndjekje të anti parrullës “Nëse unë jam mirë, është mirë shqiptaria”, është fakti se elementi në këtë rast i cili aktualisht është ministër është i njëjti person që në vitin e parë kur nuk ishte ministër na lajmëronte se sa keq është puna dhe se mund të krisin kallashnikovët?! Kurse të njëjtit në vitet kur është ministër nuk i bën përshtypje as “Skopje 2014”, asnjëherë i votuar politikisht nga shqiptarët dhe bile arsyeton të njëjtin projekt?! As rrahjet që u bëhen shqiptarëve të motivuara nga urrejtja etnike e as gjykimet politike. Duke sjellë ndër kujtesë se si përshkruhet gjendja kur i njëjti është ministër dhe si kur nuk është ministër mund të kuptojmë se çka në të vërtetë është me rëndësi për kësi elementë.

Sigurisht që “shqiptaria” nuk është pronë apo ekskluzivitet i dikujt që të përcaktojë se cilat fjalë ose veprime janë në përputhshmëri me te, por ama përfaqësimi, politika dhe marrja me çështje kolektive i ka rregullat e veta prej të cilave më e dalluara është përgjegjësia. Nëse dikush duke pretenduar shoqëroren dhe kolektiven vë në pah motivet dhe interesat personale atëherë për te mbetet opsioni që të mirret me punë tjera individuale si blegtori ose hapje të ndonjë dyqani, e nuk duhet të sillet aty pari ku ka përgjegjësi shumëdimensionale, bile edhe përgjegjësi historike.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk
Të drejtat e publikimit i kanë vetëm © Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Back to top button