ANALIZË: Mijëra administratorët në Maqedoni sa ka dhe si punojnë?

 A do ta marrë dikush guximin që ta “reformojë” administratën?

Për dhjetë vite, ose prej vitit 2010 e deri tani, shuma për rrogat buxhetore është rritur për pothuajse 50 milionë euro. Shpenzimet nga buxheti për pagesën e rrogave dhe të kompensimeve për administratë rriten jo vetëm si rezultat i rritjes së rrogave, por edhe i numrit të administratorëve, komentojnë ekspertët për analizën ekonomike javore të Portalb-it.

A do të ballafaqohet Maqedonia me punësim të tepërt në administratë, me ç’rast do të detyrohet të bëjë shkurtim kuantitativ të administratorëve sikurse Serbia, e cila gjatë vitit 2016 duhet të fillojë me operacionin e largimit nga puna të 50.000 të punësuarve në sektorin shtetëror.

Në fillim të vitit të ardhshëm, ose në shkurt, qeveria, gjegjësisht Ministria për Shoqëri Informatike dhe Administratë duhet ta publikojë Regjistrin e të punësuarve në sektorin publik dhe të fillojë të publikojë Raporte vjetore për punësimet në të. Këto dokumente, sipas një pjese të ekonomistëve duhet ta largojnë “velin” pas të cilit fshehet numri i përgjithshëm i administratorëve.

“Nëse analizohen të dhënat nga Enti shtetëror i statistikave, tani në sektorin publik ka rreth 160.000 të punësuar. Nga ana tjetër, para do kohësh Ministria për Administratë publikoi se numri është mbi 128 mijë. Domethënë nuk kemi numër të plotë. Ministria përkatëse duhet të publikojë katalog për të gjitha pozitat në administratë, e poashtu e kemi edhe Regjistrin e të punësuarve në sektorin publik, i cili duhet të publikohet vitin e ardhshëm. Konsideroj se tani kemi vështirësi në pjesën e numërimit të të punësuarve në administratë”, thotë për Portalb, profesori universitar, Fadil Zendeli.

Sipas një pjese të ekonomistëve, qeveria i ka numrat e saktë dhe ka qasje të plotë në të gjitha punësimet në administratën shtetërore, mirëpo ato nuk publikohen, që flet edhe për një formë të mostransparencës, kur bëhet fjalë për harxhimin e parave publike.

“Nuk ka mundësi që qeveria të mos e dijë se sa të punësuar ka në fondet, agjencitë, ministritë dhe komunat, të cilat poashtu nëpërmjet transfereve buxhetore marrin para nga buxheti. Shtrohet pyetja se pse këto të dhëna nuk janë në dispozicion të publikut”, komentojnë për Portalb, ekonomistët.

Sipas të dhënave më të reja nga Enti shtetëror i statistikave, Portalb njofton se deri në fund të tremujorit të dytë të këtij viti, në vend ka pasur gjithsej 699.578 të punësuar. Prej tyre 54.351 janë në sektorin privat, ndërsa 158.226 të tjerë në sektorin publik. Numër më të madh të të punësuarve në sektorin publik, gjegjësisht në sektorin shtetëror ka në arsim, pastaj vijnë fondet, qeveria, administrata, agjencitë, drejtoritë në nivel qendror, pastaj për nga numri i të punësuarve vijnë shëndetësia, policia, mbrojtja sociale. Në vitin e ardhshëm, vetëm për rroga dhe kompensime për të punësuarit që marrin rroga nga buxheti janë planifikuar 421 milionë euro, shumë kjo e cila është për 20 milionë euro më e lartë se sa ajo në buxhetin i sivjemë.

Para do kohësh, sekretari shtetëror i Ministrisë për Shoqëri Informatike dhe Administratë, Jahi Jahiu, theksoi se 1.600 njerëz janë të punësuar në administratë sipas Marrëveshjes Kornizë, marrin rrogë e nuk shkojnë në punë.

“Ky numër është pjesë e zbatimit të Marrëveshjes kornizë – nëpunës shtetërorë që nuk janë të angazhuar në punë, mirëpo marrin të ardhura të rregullta mujore. Edhe përkundër dobësive në realizimin praktik, përfaqësimi i drejtë i bashkësive etnike është pozitiv për shoqërinë dhe nëpërmjet tij shteti i përmirëson shërbimet ndaj qytetarëve”, deklaroi për Portalb, Jahiu.

Kjo praktikë, e cila zbatohet me vite, u theksua edhe në Raportin e fundit për përparimin e vendit, të përgatitur nga Brukseli zyrtar.

“Përpjekjet për arritjen e qëllimeve të përfaqësimit të drejtë nuk i marrin gjithmonë parasysh nevojat reale kadrovike të institucioneve dhe parimin e meritave. U rrit numri i të punësuarve në sektorin publik të cilët nuk është patjetër të paraqiten në punë. Kompetenca e Ministrisë për Shoqëri Informatike dhe Administratë për koordinimin dhe ndjekjen e menaxhimit me burimet njerëzore është zgjeruar që t’i mbulojë të gjitha institucionet e sektorit publik. Ministria e ka për detyrë të sigurojë të dhëna pa vonesë dhe në kohë reale për gjithë shërbimin publik. Numri i përgjithshëm i të punësuarve të përhershëm dhe të përkohshëm, i të gjitha llojeve, duhet të jetë në dispozicion vazhdimisht (Prioritet urgjent për reforma)”, thuhet në raport.

Një pjesë e ekonomistëve thonë se punësimet në institucionet shtetërore sipas çelësit partiak dhe politik janë kontraproduktive.

“Nuk është i vogël numri i njerëzve që rrijnë në shtëpi dhe që marrin rrogë. Nuk është esenca në atë që këta njerëz të angazhohen vetëm nga aspekti politik, gjegjësisht që qeveria të ketë argument dhe të lavdërohet se punëson, për shembull, te popullata shqiptare, se e ka rritur numrin e shqiptarëve të punësuar në administratë. Nuk dij ndonjë shembull nga rajoni, por edhe më gjerë, që të punësuarit administrativë të marrin rrogë dhe t’i marrin paratë nga bankomati, mirëpo të mos kenë asnjë kontakt me institucionet, gjegjësisht të rrijnë në shtëpi”, thotë për Portalb, profesori Zendeli.

Një pjesë e biznesmenëve konsiderojnë se numri i administratorëve që e tregon qeveria nuk është përfundimtar.

“Qeveria njoftoi se në sektorin publik paska 123 mijë të punësuar. Unë mendoj se ky numër nuk është përfundimtar. Qëndrimi im është se administrata, gjegjësisht gjithçka që do të thotë shtet, numëron 172.000 të punësuar. Ne tani kemi një valë të punësimeve nëpërmjet agjencive të ndryshme. Mendoj se nuk janë treguar punësimet në nivel lokal, për shembull, në pjesën e punësimeve në çerdhe ose në administratën komunale. Poashtu, këtu janë edhe ata që rrijnë në shtëpi dhe marrin rrogë, mirëpo shtrohet pyetja se si dhe a janë të evidentuar”, thotë për Portalb, biznesmeni dhe kryetari i Odës ekonomike maqedono-bullgare, Zore Temellkovski.

Në vend, tre të punësuar në sektorin privat punojnë për rrogën e një punëtori administrativ. /Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button