“Nuk do të bashkëpunojmë as me Asadin dhe as me Ushtrinë e Sirisë”

Shefi i kabinetit të Qeverisë së Gjermanisë, Peter Altmaier, ka deklaruar se është e pamundur të realizohet bashkëpunim me regjimin e Asadit, raporton Anadolu Agency (AA).

Altmaier në një intervistë në revistën Spiegel ka pohuar se: “Kjo për Gjermaninë dhe BE-në është shumë e qartë, nuk do të bashkëpunojmë as me Asadin dhe as me Ushtrinë e Sirisë. Asadi dhe Ushtria e Sirisë duke përdorur bombat fuçi kanë kontribuar që mijëra njerëz të largohen në veri të vendit dhe që aty në Turqi e më pas në Europë”.

Ai duke theksuar se është një sukses kryerja e bisedimeve që vazhdojnë prej disa javësh në Vjenë për të gjetur një zgjidhje politike për çështjen e Sirisë  u shpreh se: “Me rusët jemi ulur në tryezën e bisedimeve në Vjenë. Por nuk do të hyjmë në një aleancë ushtarake me Rusinë në luftën kundër DAESH-it”.

Sipas tij për të reduktuar migrimin e refugjatëve në Europë duhet të përmirësohen kushtet e jetesës së refugjatëve, ku ai ka shtuar se në kuadër të kësaj Turqisë  i është ofruar një ndihmë prej 3 miliardë eurosh.

Altmaier ka theksuar më tej se Turqia dhe Europa kanë interesa të përbashkëta. “Nëse politikat tona nuk i zhvillojmë sipas kësaj kjo nuk do të jetë vetëm qesharake, por do të jetë edhe papërgjegjësi. Edhe Turqia dëshiron të jetë në marrëdhënie të mirë me Europën dhe të zgjidhet çështja e refugjatëve”- ka shtuar zyrtari i Qeverisë gjermane.

“Pse të mos bëjmë marrëveshje me një vend ku kalojnë të gjithë refugjatët që vijnë nga Siria, Iraku, Irani, Afganistani, Pakistani apo Bangladeshi? Këtë nuk mund t’ia shpjegojmë askujt” ka shtuar ndër të tjera Altmaier.

Ndërsa ndaj pyetjes në lidhje me anëtarësimin e plotë të Turqisë në BE Altmaier është përgjigjur se: “Në marrëveshjen e koalicionit shkruhet se negociatat me Turqinë e kanë majën e hapur. Kjo mund të vijë edhe në kuptimin se anëtarësimi edhe mund të mos kryhet. Por ne kemi premtuar se me Turqinë do të negociojmë seriozisht. Dhe kjo tani po kryhet”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button