Tentohet të grabitet kazinoja e bllokuar nga policia

Tentohet të grabitet një nga kazinotë e bllokuara nga policia në kryeqytet. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm në zonën e Unazës në Tiranë. Burimet nga Policia thanë se katër persona me maska dhe me armë kanë shkuar pranë kazinosë që ishte bllokuar dy ditë më parë nga policia gjatë aksionit “Fund marrëzisë”.

Kazinoja në fjalë mësohet se ishte lënë në ruajtje nga një oficere e policisë së kryeqytetit. Përballë polices femër, autorët e ngjarjes kanë arritur të hyjnë në kazino duke marrë dy prej makinave kompjuterike. Ndërkaq, policja që mbikëqyrte kazinonë ka lajmëruar efektivët e Komisariatit Nr. 6, të cilët menjëherë kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, transmeton panorama. 

Burimet nga Policia kanë thënë se shërbimet e rendit kanë arritur që të bllokojnë pajisjet kompjuterike të nxjerra jashtë kazinosë, ndërsa autorët janë larguar.

Dyshohet se mes tyre ndodhet edhe pronari i pikës së bllokuar. Ndërsa ditën e djeshme, në Kukës policia ka vënë në pranga një 20-vjeçar, pasi ka kundërshtuar policët gjatë aksionit kundër kazinove. Po në këtë qytet u bllokua një kamion me 27 makina kompjuterike që përdoren në kazino.

Lajme të ngjashme

Back to top button