SHBA, BE dhe Rusi: Për terrorizmin, zgjidhje ndërkombëtare

Në Beograd është duke u mbajtur konferenca e 22-të e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE), njofton REL.

Në hapje të kësaj konference, shefi i diplomacisë së Serbisë, Ivica Daçiq, ka theksuar se detyrat thelbësore të kësaj organizate janë parandalimi i përshkallëzimit të situatës në Ukrainë, marrëveshja e përbashkët ndaj kërcënimeve transnacionale të sigurisë, si dhe rindërtimi i besimit dhe bashkëpunimit.

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka ftuar Këshillin Ministror të OSBE-së që të sjellë përfundimet dhe rekomandimet e përbashkëta për zgjidhjen e çështjes së migrantëve dhe ka porositur se Ballkani ende mbetet një fuqi baroti, të cilës i nevojitet një shkëndijë që të eksplodojë sërish.

“Më duhet ta theksojë drojën personale dhe frikën e sinqertë nga mundësitë e përmbysjes së stabilitetit në Ballkan. Serbia është një vend i fortë dhe i qëndrueshëm, por janë të mjaftueshme disa situata të krizave në rajon, në Maqedoni, Mal të Zi dhe Prishtinë, që ta ndezin përsëri të gjithë rajonin”, ka theksuar Vuçiq.

Ai ka shtuar se është e pranishme edhe frika, e cila është në rritje, nga paraqitja e luftëtarëve të huaj terrorist, të cilët i janë bashkuar luftës në Siri dhe Irak. Gjithashtu, sipas tij, po rritet edhe ksenofobia.

Shefat e diplomacisë të SHBA-së dhe BE-së John Kerry dhe Federica Mogherini, kanë bërë thirrje për një luftë të përbashkët kundër terrorizmit dhe për gjetjen e një zgjidhjeje për konfliktin në Siri.

Kerry ka paralajmëruar se për një luftë të suksesshme kundër “Shtetit Islamik”, janë të nevojshme trupat siriane ose arabe në terren, sepse militantët nuk mund të munden vetëm me sulme ajrore.

“Mendoj se e dimë që DAESH (Shteti Islamik) nuk do të mundet tërësisht me sulme ajrore, pa gjetjen e disa trupave në terren, të cilat janë të gatshme të luftojnë kundër tij”, ka theksuar sekretari amerikan i shtetit Kerry.

Ai ka shtuar se një pjesë e strategjisë në Vjenë, është që të sigurohet tranzicioni politik në Siri gjë që do ta mundësonte që të gjithë – edhe forcat siriane,e edhe forcat opozitare -të bashkohen në luftë kundër “Shtetit islamik”. Ai vuri në dukje se kjo i referohet trupave siriane ose arabe.

Shefja e diplomacisë së BE-së, Mogherini, ka theksuar se për terrorizmin është e mundur vetëm zgjidhja ndërkombëtare, duke shtuar se “kërcënimi nga ‘Shteti Islamik’ mund të largohet vetëm me vendosjen e paqes në Siri, për të cilën gjë është thelbësor dialogu në Vjenë”.

Gjithashtu, ajo ka theksuar se edhe takimi në Beograd, është rast që të shënohet përparim lidhur me këtë çështje.

Kerry dhe Mogherini, gjithashtu kanë ftuar Rusinë që të bashkëpunoj me Ukrainën dhe të sigurojë zbatimin e marrëveshjes të Minsk-ut.

Sekretari amerikan i shtetit ka theksuar se është e nevojshme që Rusia me seperatistët (në Ukrainë), të cilët ajo i mbështetë, të bashkëpunojë për zbatimin e marrëveshjes së Minskut dhe të sigurojë qasjen e vëzhguesve të OSBE-së.

Mogherini ka thënë se në Krime po shkelen të drejtat e njeriut, duke theksuar se një gjë të tillë e ka evidencuar Zyra e OSBE-së për institucionet demokratike dhe të drejtat e njeriut (ODHIR).

Në anën tjetër, në hapje të takimit, Lamberto Zanijer, sekretar i përgjithshëm i OSBE-së. duke paraqitur raportin e punës, ka theksuar se vendet anëtare të kësaj organizate duhet të jenë të bashkuara në luftë kund radikalizmit ekstrem dhe terrorizmit, të cilat në botë janë bërë të përditshme, si dhe për zgjidhjen e krizës së emigrantëve.

“Duhet të tregojmë se si organizatë po bëjmë gjithçka për ta parandaluar terrorizmin”, ka thënë Zanijer.

Ekziston një vlerësim i përgjithshëm që takimi kryesor në këtë samit është takimi i shefave të diplomacisë amerikane dhe ruse, John Kerry dhe Sergej Lavrov, që ka nisur të enjten.

Gjithashtu, me vëmendje të veçantë po pritet edhe takimi i Lavrovit me ministrin e jashtëm turk, Melvut Çavushoglu, për herë të parë pas shembjes së aeroplanit rus nga aeroplanët turk, pas së cilës ka pasuar tensionimi i marrëdhënieve ndërmjet Ankarasë dhe Moskës.

Takim me Lavrovin, do të ketë edhe Mogherini. /REL

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button