Si filloi lufta në Siri dhe ja çfarë ndodhi në 4 vite të përgjakshme

Revolta në Siri nis në një qytet të vogël në jug të vendit, Dara. Këtu një grup adoleshentësh shkruajnë në një nga muret e shkollës, disa parulla kundër regjimit të presidentit Basher Al Assad natën e 22 shkurtit të 2011-ës.

Adoleshentët arrestohen disa ditë më pas. Por më 18 mars të 2011-ës, qytetarët e Daras, organizojnë një manifestim për të kërkuar lirimin e tyre. Forcat e sigurisë së Asad qëllojnë mbi turmën. Nga ai moment revolta përhapet në të gjitha qytetet kryesore të vendit.

Në muajt në vijim protestat organizohen cdo të premte, ashtu si dhe shtypja me dhunë e tyre nga forcat e sigurisë. Për të mbrojtur protestuesit, ish-zyrtarë ushtarakë të Asad krijojnë ushtrinë e lirë siriane në gusht të vitit 2011.

Pas pak muajsh krijohen dhe grupet e para të militantëve xhihadistë, të cilët luftojnë kundër regjimit të Assad. Në janar të vitit 2012, Al Kaeda lajmëron hyrjen e saj në Siri, me krijimin e brigadave Al Nusra. Regjimi reagon duke bombarduar zonat e kontrolluara nga rebelët.

Një ndër episodet më tragjike është sulmi në fshatin Hula, i cili shkakton 100 viktima ndër të cilat 50 ishin fëmijë. Banorët u tremben më shumë fuçive bombë të cilat përmbajnë eksplozivë, copëza metali, karburant dhe hidhen nga helikopterët e Asad për të goditur më pas civilët.

Ndërkohë konflikti i dhunshëm detyron gjithnjë e më shumë sirianë që të braktisin vendin. Sipas komisariatit të lartë për refugjatët në Kombet e bashkuara,  në mars të 2013-ës, numri I sirianëve që u larguan nga vendi ishte rreth 1 milion. Mes tyre ka dhe nga ata që u përkisnin minoriteteve fetare.

Ndërkohë në muajt e parë të 2013-ës konflikti në Siri merr një karakter gjithnjë e më shumë rajonal. Mes militantëve pro Asad rreshtohen edhe anëtarët e Hezbollah i mbështetur nga Irani. Ndërsa nga Iraku hyjnë në Siri shumë aleatë dhe luftëtarë të ISIS të drejtuar nga Abu Bakr Al Bagdadi. Në 21 gusht të 2013-ës, 1400 civilë humbasin jetën pas sulmit me armë kimike në Guta.

Pas presioneve të mëdha politike, regjimi i Asad pranon të vendosë arsenalin e tij kimik nën kontrollin ndërkombëtar. Në muajt e fundit të 2013-ës, forcat e ISIS avancojnë në lindje të Sirisë, kurdët që tashmë kanë nën kontroll verilindjen e vendit shpallin qeverinë e tyre antiterror. Në fund të këtij viti, numri i viktimave është më I madh se 100 mijë ndërsa refugjatët sirianë janë më shumë se 2 milionë. ISIS vetëshpall krijimin e kalifatit në qershor të 2014-s.

Për t’iu përgjigjur këtij vendimi Shtetet e Bashkuara të Amerikës krijojnë koalicionin ndërkombëtar anti ISIS duke bombarduar nga ajri territorin sirian. Por kalifati vazhdon të avancojë. Në periudhën shtator – tetor të 2014-ës, militantët xhihadistë mbërrijnë në zonën e Kobane e cila kontrollohet nga kurdët.

Në fillim të vitit 2015, ISIS tërhiqet nga disa zona në verilindje të Sirisë, të cilat janë sërish nën kontrollin e kurdëve, por nga ana tjetër merr kontrollin e Palmirës dhe avancon në qendër të Sirisë. Ndërkohë koalicioni I rebelëve merr kontrollin në veriperëndim të vendit.

Në tetor të 2015-ës, Rusia bëhet pjesë e luftës kundër ISIS duke bombarduar objektiva të ndryshme, si në zonat e kontrolluara nga rebelët ashtu dhe në ato të kontrolluara nga shteti islamik. Në këtë pikë nis dhe ofensiva e forcave ushtarake të qeverisë së Asad. Ndërkohë sirianët vazhdojnë të largohen nga vendi, duke vlerësuar se gjysma e popullsisë që ishte 22 milion banorë para nisjes së konfliktit, kanë braktisur shtëpitë e tyre, shkruan Abc.

Nga këta, 4 milionë nuk ndodhen më në Siri, ndërsa 7 milion e 600 mijë janë të pastrehë Brenda territorit sirianë. Në 13 nëntor të këtij viti ISIS godet Parisin me një seri atentatesh ku mbetën të vrarë 130 persona. Një ditë më pas Franca sulmon nga ajri Rakën, kryeqytetin e shtetit islamik.

Në fotо: Shkolla ku nisi revolucioni

Shkolla ku nisi revolucioni

Marrë nga: Gazeta Dita

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button