Stoltenberg: NATO do të rrisë ndihmën për Turqinë

NATO, që ka marrë tashmë masa për të mbështetur Turqinë për shkak të konflikteve në kufijtë e saj, do të rrisë akoma më shumë në javët e ardhshme ndihmën për aleatin turk, theksoi sot sekretari i përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg.

“Ne do të punojmë së bashku për masa shtesë për të garantuar sigurinë e Turqisë”, premtoi Stoltenberg pas mbërritjes në një takim të të ministrave të Punëve të Jashtme të NATO-s në Bruksel.

Kreu i NATO-s nënvizoi gjithashtu se Aleanca kishte vendosur që prej disa vitesh të akordonte një ndihmë shtesë për Turqinë, anëtare e NATO-s që prej vitit 1952 dhe që ndan një kufi me Sirinë dhe Irakun.

Stoltenberg theksoi se kjo nuk kishte lidhje me incidentin e javës së kaluar, gjatë të cilit një avion turk rrëzoi një avion bombardues rus që, sipas Ankarasë, kishte hyrë në hapësirën ajrore të Turqisë.

Aleatët kishin vendosur gjithashtu riforcimin e mbrojtjes antiajrore turke duke vendosur në vitin 2012 bateri antiraketë Patriot përgjatë kufirit me Sirinë. Por SHBA-ja dhe Gjermania tërhoqën dy bateritë e tyre, këto muajt e fundit. Vetëm një bateri, e vendosur nga Spanja, është ende në punë, në Adana.

“Ne kemi rritur këto vitet e fundit mbrojtjen ajrore të Turqisë, theksoi Stoltenberg. Përveç baterive Patriot, SHBA ka vendosur avionë luftarakë në bazën turke të Incirlikut dhe Britania e Madhe njoftoi se do të vendoste disa aparate gjithashtu”, theksoi ai.

Gjermania dhe Danimarka kanë dërguar anije ushtarake në lindje të Mesdheut”, shtoi Stoltenberg.

Për shkak të paqendrueshmërisë në zonë, shkaktuar nga ndërhyrja e ushtrisë ajrore ruse në Siri në mbështetje të regjimit të Bachar al-Assadit, NATO ka vendosur dhjetëra anije ushtarake në Mesdhe.

“E gjitha kjo është e rëndësishme duke parë situatën në rajon, shënuar nga një rritje e ekstremizmit të dhunshëm”, theksoi kreu i NATO-s.

“Ne do të diskutojmë gjatë takimit për mënyrën se si mund të vazhdojmë të mbështesim Turqinë dhe ta furnizojmë me tipe ndryshme masash sigurie”, shtoi ai.

“Pres që dhe aleatët e tjerë të angazhohen më shumë dhe pres vendime të reja në javët e ardhshme”, nënvizoi Stoltenberg.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button