Përmbytjet, 1000 familje të qytetit të Tiranës në gjendje emergjente

Kryebashkiaku Basha ka kërkuar sot nga qeveria, të shpallë menjëherë emergjencën në zonën e përmbytur nga dalja nga shtrati e lumit të Tiranës.

Zoti Basha ishte sërish sot pranë banorëve në këto zona, të cilët po ndihmohen në pastrimin e banesave të tyre nga afro 400 punonjës të Bashkisë së Tiranës. 8 grupet e vlerësimit të ngritura nga Bashkia e Tiranës ka nisur verifikimin e dëmeve. Kreu i Bashkisë së Tiranës theksoi se nga të dhënat e para, 1000 familje të qytetit të Tiranës janë në gjendje emergjente.

“Janë prekur drejtpërdrejt 694 banesa, afro 1000 familje dhe mbi 50 biznese. 1000 familje të qytetit të Tiranës janë në gjendje emergjente. Furia e shtratit të lumit ka shkatërruar porta, ka marrë përpara automjete, ka përmbytur të gjithë orenditë e tyre shtëpiake, elektro-shtëpiake, librat e nxënësve. Është një situatë jashtëzakonisht e rëndë, është pa dyshim një situatë emergjente. Bashkia e Tiranës ka dislokuar sot 400 punonjës në të gjithë territorin, të cilin e kemi ndarë në 5 zona. Në secilën prej zonave, punonjësit e Bashkisë së Tiranës po punojnë për të pastruar llumin nga shtëpitë dhe oborret e banorëve dhe për t’i ndihmuar të vënë sadopak rend brenda shtëpive të tyre. Banorët janë të traumatizuar, një pjesë e tyre nuk kanë se ku “të fusin kokën”.

Po përpiqemi t’i furnizojmë me ujë të pijshëm, me autobotë ose me bidonë. Paralelisht, po koordinojmë punën me CEZ, për të mundësuar risjelljen e energjisë, aty ku është e mundur, në mënyrë të sigurt, pasi zona të tëra janë pa energji. Rikthimi i energjisë në mënyrë të sigurt, pra jo të rrezikshme është një prioritet. Po punohet për zhbllokimin e kanalizimeve, aty ku ato janë bllokuar nga llumrat. Por kjo është një punë që kërkon vëmendjen, edhe të organeve të qeverisjes qendrore. Ne kemi ngritur 8 grupe pune, për vlerësimin e dëmit. Kjo zonë duhet të shpallet menjëherë “zonë emergjence” dhe të merren masa për t’u ardhur në ndihmë banorëve. Janë prekur drejtpërdrejt 694 banesa dhe mbi 50 biznese. 1000 familje të qytetit të Tiranës janë në gjendje emergjente” u shpreh Basha. /albeu http://www.albeu.com/shqiperi/permbytjet-1000-familje-te-qytetit-te-tiranes-ne-gjendje-emergjente/128740/

Lajme të ngjashme

Back to top button