Obama e nënshkroi marrëveshjen

Shtëpia e Bardhë njofton se presidenti Obama e ka nënshkruar marrëveshjen e arritur mes demokratëve dhe republikanëve në Senatin amerikan dhe të miratuar në Dhomën e Përfaqësuesve.

Në një deklaratë të shkurtër pas arritjes së marrëveshjes, që rihapë qeverinë dhe eviton një krizë të thellë të financave amerikane, me pasoja globale, Obama ka falënderuar palët për arritjen e konsensusit.

“Kemi shumë punë para nesh, përfshirë nevojën për të rifituar besimin e popullit amerikan. Duhet të fillojmë ta bëjmë këtë duke adresuar çështjet të cilat janë të rëndësishme për ta. E kam thënë edhe më herët, unë jam i gatshëm të punoj me të gjithë, demokratë dhe republikanë, në mënyrë që ta zhvillojmë ekonominë, të krijojmë vende pune, ta forcojmë klasën e mesme dhe t’i rregullojmë financat tona në terma afatgjatë”, është shprehur Obama.

Vendimi i Kongresit është mirëpritur nga Christine Legarde, drejtoreshë menagjuese e Fondit Monetar Ndërkombëtar, e cila kishte paralajmëruar për pasojat të mëdha në rrafshin global, në rast të mosarritjes së marrëveshjes.

Ndërkaq, presidenti i Bankës Botërore, Jim Young Kim, ka thënë se me këtë veprim “u evitua një katastrofë potenciale globale”.

Qeveria amerikane ishte për më shumë se dy javë pjesërisht e mbyllur.

Lajme të ngjashme

Back to top button