LDK-ja post-rugoviane shtetndërtuese apo?!

E kam thënë në një shkrim të mëhershëm, do të ishte e keqja më e vogël sikur të kishim vetëm një adresë të së keqes në Kosovë.

E keqja e Kosovës nuk mbanë emrin vetëm të PDK-së, shumë pranë saj janë edhe partitë tjera, është edhe LDK-ja, dje krenaria e këtij vendi, sot e katandisura  keq nën kthetrat e PDK-së !

Mos të rrëmbehemi nga zemërimi e të gjykojmë mbrapsht, por të reflektojmë drejtë edhe kur e vërteta është e hidhur. Kjo çfarë po ndodhë ditëve, javëve dhe muajve të fundit nuk është aksidentale,…”Zajednica”, demarkacioni, korrupsioni qeveritar, krimi i organizuar,…etj, janë produkt i keqqeverisjes disa vjeçare.

Bashkëqeverisja e LDK-së me PDK-në ishte dje, është sot, shkatërruese për shtetin ishte dje, e tillë është edhe sot, vrastare për elektoratin rugovian ishte dje, vrastare dhe më shkatërruese është sot…

As të mos mundohet ndokush t’i arsyetojë veprimet e liderit të LDK-së, si të “zorit”, gjoja të ardhura nga trysnia ndërkombëtare. Nëse paska pasur trysni ndërkombëtare ndaj liderit Mustafa,…çfarë trysnie patën kryesia dhe anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së që mbështetën veprimet destruktive të një  lideri diktatorial ?!

Unë prej 20 vitesh jetoj në perëndim, e njoh mirë mentalitetin e shoqërisë demokratike, e kuptoj ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve në zgjidhjen e problemeve, i kuptoj edhe “shantazhet dhe presionet”, të cilat në të shumtën e rasteve shfaqen  në formën e alternativave politike,…por asnjëherë në formën e kushtëzimeve, siç mendohet në opinionin kosovar.

Arsyetimet se dikush e ka detyruar liderin e LDK-së, që të ndërroj kursin politik, është sa i paqëndrueshëm po aq turpshëm dhe qyqarë. Nuk ka asnjë diplomat, ambasador apo faktor tjetër ndërkombëtar që mund ta detyrojë një udhëheqës të vendosur dhe të përgjegjshëm të një vendi, që të veprojë kundër vullnetit të popullit dhe kundër interesave të vendit të tij.

Prandaj lideri i LDK-së z. Isa Mustafa, vetëm i shtyrë nga interesat personale ka  mundur t’i thotë PO një bashkëqeverisje të “zorit” me PDK-në. Në këtë rast, kryesia dhe Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së me (pa) dashjen e tyre u bënë bashkëfajtor në lidhjen e kurorës së turpit (vetëvrasjes së tyre politike) .

“Muzraku në thes nuk hyn”, thotë një fjalë e urtë popullore !

Sado që dikush po mundohet (me qëllim) të fshehë realitetin tronditës të krijuar në Lidhjen Demokratike të Kosovës pas marrëveshjes skandaloze për bashkëqeverisje me rivalin politik numër një në vend, realiteti po ua thotë të kundërtën.

Në një shkrim paraprak, me titull; “PDK-LDK, binomi shkatërrues i shtetit të Kosovës” i dhashë vetëm disa prej arsyeve . Prandaj për hir të së vërtetës për opinionin publik, e ndjejë të nevojshme t’ua rikujtoj edhe disa prej fakteve të pamohueshme në relacion me koalicionin fatkeq për vendin dhe vrastar për LDK-në post-rugoviane, me sa vijon;

Fillimisht me aktin e rishpalljes së pavarësisë së 17 shkurtit 2008, LDK-ja iu bashkëngjit projektit ndërkombëtar të “multietnicitetit” për shtetin më etnik në rajon dhe miratimin e simboleve antikombëtare për shtetin e Kosovës.

Heqja dorë kaq lehtësisht e krerëve të LDK-së nga projekti kombëtar (rugovian) për shtetin e Kosovës (flamuri dhe hymni), nuk mund të mbulohen me deklarime verbale “pro”, as me mbajtje të simboleve dhe fotos së presidentit në zyrat e LDK-së, kur të njëjtit në shtëpitë e tyre nuk i mbajnë ato,…shkaku që u bëhen pengesë kur në shtëpi u shkojnë miqtë antirugovist të bizneseve të natës.

LDK-ja pa asnjë zor, dhe pa asnjë trysni ndërkombëtare e ndihmojë PDK-në edhe nga pozicioni opozitar për katër vite rresht,

PDK-ja pa ndihmën e strukturave aktuale të LDK-së, nuk do mund ta vazhdonte mandatin e dytë qeverisës (marrëveshja Thaçi-Isa-Pacolli), nuk do mund i vazhdonte bisedimet politike me Serbinë, nuk do mund i miratonte ligjet diskriminuese në kuvend për;  decentralizimin etnik, amnistimin e kriminelëve serb të veriut, për trashëgiminë kulturore (serbe) në Kosovë, për Asociacionin e komunave me shumicë serbe e shumë e shumë ligjeve tjera diskriminuese për popullatën shumicë shqiptare në Kosovë.

Pothuajse asnjë tender qeveritar në këto tetë vitet e fundit nuk është realizuar pa përfshirjen edhe të zyrtarëve (biznesmenëve) të lartë të LDK-së.

Po të mos ishte kështu nuk do të kishim deputet milionera të LDK-së në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Në koordinimin e shkëlqyer mes tyre, PDK-LDK pas rishpallje së pavarësisë së 17 shkurtit, i caktuan të gjithë ambasadorët dhe konsujt (analfabet) partiak gjithandej vendeve europërendimore duke injoruar dhe anashkaluar intelektual dhe veprimtar të shquar shqiptar në vendet përkatëse perëndimore.

Tenderomania e përbashkët vazhdon sikurse vazhdojnë edhe dukuritë tjera negative në komunat e udhëhequra nga dy partitë në pushtet.

Përkundër zhgënjimit të madhe në udhëheqjen e LDK-së, veprimtarët dhe aktivistët e rinj bashkë me ata të orëve të para duhet të jenë të vendosur për vazhdimin e betejës politike për largimin e diktatorëve dhe uzurpatorëve të frymës rugoviane nga ky subjekt.

Me bashkimin e të gjitha forcave të shëndosha dhe progresive brenda LDK-së,… kësaj klase kusarësh politik do t’u ngushtohet rrethi, duke i hapur rrugë brezit të ri dhe të pakorruptuar,…kështu LDK-ja do të mbushet me aktivist dhe veprimtar të përgjegjshëm, me moral të pastër kombëtar si në kohën e krenarisë kombëtare të viteve të ’90-ta,…me ç’rast popullit përfundimisht do t’i kthehen shpresat për jetë në troje të veta, do t’i kthehet nderi dhe dinjiteti kombëtar.

Jam i bindur se kjo do të ndodhë një ditë, pasi në asnjë rrethanë nuk mund të bashkëjetojnë e mira me të keqën, sikurse që nuk mund të bëhen bashkë dita me natën në të njëjtën kohë.

“Çdo e keqe e ka të mirën mbrapa”, thotë një fjalë e urtë popullore, andaj të gjithë liderët e korruptuar i pret njëjti fat, katandisja dhe thyeqafja politike,…harresa apo më rënd, kujtesa për të keq në mbamëndjen historike të popullit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button