Pse është antishqiptari të jesh sot BDI?!

Në vitin 2002 thuhej se është turp të mos jesh BDI. Në vitin 2015 është bërë turp të jesh BDI.
Në vitin 2002 thuhej se ishte antishqiptari nëse nuk ke qenë BDI. Në vitin 2015, sipas rrethanave të krijuara, je antishqiptar nëse je BDI.

Nëse doni të bindeni në këtë, këtu po i hedh disa argumente:

1. BDI është kundër integrimit të Maqedonisë në BE dhe NATO.

Në kohën kur Putini është trimëruar, sidomos pas aneksimit të Krimesë dhe ndarjes që po e bën në Ukrainë, Serbia është trimëruar në rajon që ta luajë rolin pengues që Maqedonia, Mali i Zi dhe Kosova të integrohen në NATO. Me këtë dëshiron ta mbajë Ballkanin e ndezur dhe ta mbajë gjallë mundësinë për destabilizim dhe, në rrethana të tjera, t’i zbatojë planet e veta ekspansioniste. Prandaj shqiptarët e kanë detyrimin më të lartë patriotik që sot të jenë pjesë e NATO-s dhe pastaj edhe BE-së. Vetëm në saje të kësaj shpëtohet shqiptaria në Ballkan. Dhe, ndonëse Shqipëria u anëtarësua në NATO, integrimi i Kosovës dhe i Maqedonisë në këtë aleancë është shumë larg. Meqë po flasim për Maqedoninë, po përqendrohemi këtu. Ky vend si asnjëherë më parë nga viti 2005 (kur mori rekomandimin e parë për fillimin e bisedimeve me BE-në) dhe si asnjëherë më parë nga viti 2008 (kur mori ftesën e kushtëzuar për NATO) nuk është më larg NATO-s dhe BE-së. Bisedimet për Marrëveshjen e Përzhinos sa nuk dështuan kur Kryeministri deklaronte se “Për Maqedoninë vendos populli i saj!” ose “Nuk bëhet nami nëse na e kthejnë mbrapa rekomandimin për BE!”. Kështu del në shesh ashiqare qëndrimi i tij prorus që ta mbajë vendin larg Perëndimit. Në këtë drejtim, duke qenë pjesë e Qeverisë së tij, duke pasur sektorin e Euro-integrimeve dhe dy herë atë të Mbrojtjes, edhe Bashkimi Demokratik për Integrim është bërë pjesë e politikës proruse të Gruevskit, sepse nuk ka arritur ta lëvizë për asnjë centimetër integrimin e vendit. Megjithëse atribut të vetin e ka “integrimin”, kjo është partia shqiptare që, bashkë me Gruevskin, po punon më shumë se gjithkush tjetër për integrimin e Maqedonisë me Rusinë, por jo për integrimin e Maqedonisë në NATO dhe BE. Më shumë se kaq antishqiptar është vetëm Putini dhe Gruevski. Kështu flasin rezultatet, që mund të maten edhe matematikisht.

2. BDI-ja shkeli gjakun e dëshmorëve të 2001-shit

BDI është partia e vetme në Maqedoni që pushtetin e fitoi në saje të gjakut të dëshmorëve të vitit 2001. Pushteti i saj erdhi si rezultat i më shumë se 100 luftëtarëve shqiptarë që u vranë në këtë konflikt, por edhe i shumë invalidëve dhe i shumë dëmeve që iu shkaktuan pronave shqiptare. Dhe, gjatë këtyre 14 viteve kjo parti u mundësoi të bëhen milionerë shumë vagabondëve, kriminelëve, të pamoralshmëve e tradhtarëve të familjeve e të kombit të tyre, ndërsa nuk arriti t’i dëmshpërblejë ata që ia mundësuan asaj pushtetin. Ajo nuk arriti të miratojë ligj për mbrojtjen e dëshmorëve dhe invalidëve të UÇK-së. Tradhti dhe antishqiptari më të madhe se kjo nuk mund të bëjë askush.

3. BDI-ja i skllavëroi dhe i përzuri shqiptarët 

Gjatë kohës sa ishte në pushtet, BDI-ja e shfrytëzoi sektorin e Implementimit të Marrëveshjes së Ohrit që të punësojë shqiptarë të rinj dhe pastaj të gjithë ata të mundohet t’i skllavërojë. Derisa shqiptarët në sistemin komunist punësoheshin dhe kurrë nuk e njihnin asnjë zyrtar të Partisë, kjo parti i detyron sot nëpunësit shqiptarë, administratorët, arsimtarët, madje edhe pastruesit, që të gjithë për një të vrapojnë pas saj, të marrim pjesë me detyrim (me kontroll të rreptë me lista) nëpër tubime partiake, madje i dënon të gjithë ata që mund t’ia bëjnë edhe një LIKE një shkrimi që është anti-BDI. Nëse dikush i skllavëron shqiptarët pse ua ka mundësuar (më saktë, ua ka shitur shtrenjtë) një vend pune, që është detyrim i shtetit për secilin shtetas, pra ajo e keqpërdorë skajshmërish pushtetin e saj, kjo i bie që kjo parti është në rrugë që t’ia kalojë Partisë së Punës së Enver Hoxhës – që të gjithë shqiptarët të bëhen robër të BDI-së. Dhe, ta bësh këtë në vitin 2015, nuk ka veprim më antishqiptar. Jorastësisht nga viti 2002 e këndej së paku 400.000 shqiptarë kanë ikur nga Maqedonia. Këtë “sukses” edhe Pashiqi, Çubrilloviqi e Millosheviqi do ta ëndërronin, por Ali Ahmeti dhe kriminelët përreth tij po e realizojnë bile duke kënduar me çifteli e shqiptari.

4. Si quhet ky veprim?

Dhe, nëse duhet të japim shpjegimin se pse ndodhë kjo, përgjigja është e shkurtër dhe e qartë: ata kanë ardhur në pushtet jo për të mbrojtur kombin shqiptar, por për t’u pasuruar, për të marrë miliona euro ryshfet, për të bërë pallate e saraje, për të pasur dashnore me bollëk, për të bërë pushime ekzotike dhe asgjë më shumë. Duke vepruar kështu, janë futur në krim, korrupsion dhe skandale të shumta antiligjore dhe antimorale, që kështu të kapen nga Gruevski (tash edhe nga Zaevi) dhe pastaj të detyrohen të mbrojnë edhe agjendë proruse, edhe të punojnë kundër NATO-s dhe BE-së, edhe të shkelin mbi gjakun e dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve të UÇK-së, edhe t’i skllavërojnë dhe robërojnë të gjithë nëpunësit shqiptarë, por edhe të shpërngulin gati gjysmë milionë shqiptarë nga Maqedoni.

Nëse dikush ende ka dilemë se si quhet ky veprim, emri i tij është i qartë dhe i thjeshtë – ANTISHQIPTARI.
BDI-ja tashmë del se është një parti antishqiptare që do hyjë si e tillë në historinë e shqiptarëve të Maqedonisë dhe të gjithë ata që sot janë kundër BDI-së, janë kundër ANTISHQIPTARISË së saj. Ndërkaq të gjithë ata që sot janë kundër BDI-së, janë në anën e kombit shqiptar në Maqedoni dhe të gjithë ata që e “luftojnë” BDI-në sot, e realizojnë detyrimin më të lartë kombëtar për mbrojtjen e shqiptarisë në Maqedoni.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button