Elegjia për Flamurin!

Sonte vendosa të shkruaj me pendën e Naim Frashërit, që ti përkujtojë me shumë ëmbëlsi fjalët, që dikur mi thoshte gjyshi im! Eh kjo “dikur” më bën të kthej kokën pas dhe të zhytem thellë në ato tregime që mi zbukuruan ditët e mia fëmijërore, e që më bënë aq të fortë dhe me shumë ndjenja patriotike për vendin tim. Por, si duket, nuk më mjafton as kjo pendë, për të shprehur atë që thellë ndjej në shpirt.

S’mund të mbushem me frymë së shkruari, për të gjitha ato gjëra që i ndjej këtë ditë! Unë, që dikur e shihja Flamurin si diçka, i cili më shumë më pasuronte kutinë e lodrave të mia, sot po e shoh atë si shenjën më të ndritshme të shqiptarisë! Si sot e kësaj dite, më kujtohet dita kur u zgjova nga zëri i gjyshit, që aq ëmbël e thërriste emrin tim. Ai zë, sonte, më mungon shume!

“Zgjohu vajza e gjyshit, se sot është dita jonë”! U zgjova e habitur sepse nuk e kuptoja fare gjyshin tim se c’donte të thoshte me ato fjalë, por përsëri nuk u largova nga prehri i tij! Mëngjesi im filloi së dëgjuari për historinë e dhimbshme, për popullin tim, gjakun e dëshmorëve, lotët e nënave shqiptare, vajin e fëmijëve për prindërit e tyre. Ishin këto të gjitha, që gjyshi im, i thoshte me aq pasion! Të gjitha këto shoqëroheshin nga lotët, që i binin si rrëke, ndërsa unë, me pafajësinë time, qaja së bashku me të, sepse nuk doja ta shihja ashtu të mërzitur, por e pavetëdijshme për atë, se pse po binin lotët e mi, njësoj si ata të gjyshit. Buzëqeshja e pushtoi atëherë, kur filloi ti këndoj vargjet e Naimit, kushtuar të parëve tanë, që dhanë jetën e tyre që ne sot të jetojmë të lirë. Të gjitha këto i sjell në mend sonte, sonte kur i kam kuptuar lotët, mllefin e gjyshit tim, pra kur e kam kuptuar rëndësinë e festave tona! Të gjitha festat qenkan krijuar nga gjaku i të parëve tanë, nga gjaku me të cilin shkruam fjalën: LIRI.

Hëna vazhdon të më bëjë shoqëri…! Nuk më mungon as shkëlqimi i qiriut, këtu afër fletushkës sime, në të cilën, po shkruaj me shumë mallëngjim. Por sonte më mungon dikush tjetër! Më mungon një qenie shumë e çmuar! Më mungon gjyshi im! Ai, i cili, më mësoi ç’është dashuria për atdheun, ai i cili më foli për të gjithë ata që e lanë me gjak flamurin dhe bënë që gjakësia e tyre të valon lartë në qiell! Sonte s’do të ndalem së shkruari edhe këngët e Skënderbeut , atdheut, sepse ishin po ato këngë, që më shoqëruan në djep!

Po vazhdojë tregimin tim për ditën që kalova sot më 28 Nëntor! Dita nuk ishte edhe aq e bukur sa shkruhet nëpër libra! Rrugët nuk ishin të mbushura me aq shqiptarë sa këndohen nëpër këngë! Ndoshta disa prej tyre u turqizuan apo u tretën në Anadoll! Ndoshta disa prej tyre nuk e kultivuan tek brezat e rinj ndjenjën patriotike, kjo ndjenjë që të bën të ndjehesh aq krenar, që je shqiptar! Eh këto pyetje, po më vështirësojnë gjendjen për të shkruar sonte! Por, përsëri unë jam aty! I këndoj Skënderbeut, i këndoj Ismail Qemalit, po, po edhe Adem Jasharit dhe trimërisë së tij!

Përsëri, të gjitha këto, po mundohem që ti shkruaj në fletushkën time të thjeshtë gjysmë të errët dhe gjysmë të shndritshme, fletushkë e cila në njëfarë mënyre simbolizon fëmijërinë time, gjyshin tim, i cili, po të ishte gjallë, do të ishte krenar që unë sot e kuptova se ç’është Festa e Shqiptarisë!!!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button