Politika fshatareske shqiptare: “vazhdojmë…” katundarçe

Para se të flasim për vazhdimësinë e politikës fshatareske të shqiptarëve, së pari, ky shkrim nuk dua që të keqkuptohet, sepse ka të bëjë vetëm me politikën fshatareske shqiptare, e jo kundër fshatarëve të sinqertë, të ndershëm, të varfër e të përvuajtur, së dyti, e ndiej si obligim moral që t’i shpreh thëniet e mendimtarit të shquar, Ibn Khaldun, që më frymëzuan e më nxitën për të bërë shtjellimin e këtij shkrimi.

Ibn Khaldun në Prolegomenon-in e tij të famshëm, Al Mukadima / Hyrje, paraqet një teori interesante ciklike të konfliktit midis barbarëve (katundarëve dhe malokëve të shkretëtirës) kundrejt qytetarëve, në thelb, teoria e tij thotë se: “Barbarët pushtojnë zonat e urbanizuara duke sofistikuar mjaft mirë, por njëkohësisht edhe duke u zhytur në degjenerime e në korrupsione të pakufishme që më në fund bëhen të pazot për të qeverisur shtetin. “Barbarët (katundarët e malokët e shkretëtirës)fitojnë, sepse kanë kurajo, guxim, vlera e mbi të gjitha inteligjencë.

Duke jetuar në shkretëtirë ata kanë zhvilluat lidhjet e fuqishme tribale të gjakut dhe duke shprehur patriotizëm fisnor (kombëtar) arrijnë të krijojnë kohezione të nevojshme te masave kritike për të marrë kontrollin e shtetit mbi vete.

E si do të vërtetohej teoria e Khaldunit në rastin e cikleve politike zgjedhore të udhëheqësve partiak shqiptar?

Duam apo s’duam ta pranojmë, por një gjë është e vërtetë, se prej kohësh, e që sot e kësaj dite, katundet shqiptare kanë mbetur format më të përhapura të organizimit politik dhe kulturor të shoqërisë shqiptare në përgjithësi. Historikisht katundarët dhe malokët kanë qenë më të aftë, më të zgjuar, më inteligjentë e më të ditur për të udhëhequr shtetin shqiptar. Pra, historia politike dhe kulturore është histori e katundarëve fisnikë me largpamësi, mençuri, aftësi të rralla, dinjitet e zotësi shtetformuese që i është imponuar botës shqiptare?!

S’ka katund të banuar me shqiptarë që se ka një figurë të njohur i cili ka lënë gjurmë në histori. Argumentet janë të shumta: Pjetër Bogdani nga Hasi i Thatë, vëllezërit Frashëri nga Frashëri, arkitekt Sinani nga Bicaj i Kukësit, Gjergj Fishta nga Fishta, Faik Konica nga Konica, Fan Noli nga Ibrik Tepe, Sefe Kosharja nga Kosharja, Petro Nini Luarasi nga Luarasi; figurat politike: Skënderbeu nga Kastrioti, Qyprilijtë nga Rroshniku i Beratit, Ismail Pashë Velebishti nga Velebishti, Bushatlinjtë nga Kosmaçi, Anastas Kollurioti nga Salamina, Mehmet Ali Pasha nga Mesara, Ahmet Zogu nga Burgajeti, Bajram Curri nga Malësia e Gjakovës, Isa Boletini nga Boletini, Nevzat Halili nga Poroi i Tetovës, Abdurahman Haliti nga Zhelina e Tetovës, Ali Ahmeti nga Zajazi, Hashim Thaçi nga Drenoci, Menduh Thaçi nga Krivaniku i Kosovës, Gramoz Ruçi nga Salaria e Tepelenës, Sali Berisha vjen nga Viçidoli i Tropojës, Ilir Meta nga Skrapari, Fatos Nano nga Lunxheri, Skënder Gjinushi nga Kurveleshi, Sabri Godo nga Delvina, pa llogaritur dhe shumë të tjerë që nuk më kujtohen. Duhet thënë edhe këtë se gjatë historisë sonë, natyrisht që ka pasur katundarë që i kanë bërë edhe shumë dëme të mëdha popullit tonë. Si shembull do ta marrim politikën shqiptare në R. e Maqedonisë gjatë periudhës 2002-2015.

Që prej 2002-t e deri më 2015-tën në R e Maqedonisë janë mbajtur katër e më shumë breza zgjedhjesh parlamentare; brezi i parë katër vjeçar, i dyti, i treti, i katërti e kështu me radhë. Gjatë këtyre katër brezave e më tepër zgjedhore parlamentare, çdo herë fitimtarë kanë qenë udhëheqësit e njëjtë katundarë.

Masa e katundarëve të etur për prona e pasuri, bashkë me turmat malësorësh heroik të lidhur në forma tribale apo me ideologji të caktuar e të drejtuar nga një grup individësh që kërkonin pushtet për të marrë me forcë kontrollin e shtetit, duke zhvendosur parinë e kaluar të shtetit dhe duke vënë shtetin në shërbim të këtij grupi tribalësh.

Brezi i parë fitimtarë i zgjedhjeve parlamentare, pas luftës së 2001, pa një çik përvoje

politike e mbante pushtetin me forcë duke ju dhënë katundarëve pozita të larta shtetërore gjoja se për të bërë shtet efektiv.

Brezi i dytë parlamentar pas fitores së partive të njëjta, me më shumë përvojë politike filluan të sundojnë më me dinakëri e zgjuarsi duke përdorur monopolin dhe fuqinë e dijes politike me rrjetet e lidhjeve të interesave për t’u bërë të pazëvendësueshëm e legjitim në sajë të brezit të parë. Gjatë fitores vijuese, të tretë radhazi, udhëheqësit dhe funksionarët e lartë të këtyre partive politike të entuziazmuar nga fitoret e njëpasnjëshme u bënë artistë të vërtetë duke i harruar origjinat e veta katundare e maloke, duke besuar sinqerisht se janë bërë kryeqytetasit e parë, të vërtetë e të pazëvendësueshëm. Fitorja e katërt radhazi këta persona politik i bën të degjeneruar e të zvetënuar, dhe, këta bëhen kozmopolitë, e jo kombëtarë duke kërkuar BE dhe NATO-n, në anën tjetër të prirur për qejfe dhe të pazotët për të udhëhequr shtetin. Kështu ciklet zgjedhore do të fillojnë prej fillimi me tribu të reja, e me një ideologji të re, gjithnjë në dukje, por vetëm në dukje ama, në shërbim të interesit të katundarëve e të malokëve të radhës, sepse fitimtarë gjithmonë do të bëhen paria e katundarëve.

Realiteti shqiptar është njësoj, në vazhdimësi, se, partitë kryesore të shtetit drejtohen nga

katundarë, sado të fisëm, por katundarë gjithsesi, kryekëput origjina politike e shqiptarëve është katundare, prandaj nuk duhet të habitemi aspak që në krye të politikës shqiptare janë kryesisht njerëz, familjet e të cilëve kanë jetuar në lagjet paksa jashtë qytetit, disa që i lanë: çiftelitë, dajret dhe lodrat për violinë, kitarë e piano; disa të tjerë blenë pasurinë e zotërive të tyre qytetarë, por mbi të gjitha katundarët e stërnipat e katundarëve që e morën pronën me pushkë në dorë, qoftë si patriot, si jeniçer, bashibozuk, redife, xhandarë, intelektualë, si partizanë apo antikomunistë.

Pra, shkurt e shqip, shtetet shqiptare i udhëheqin politikanët katundarë e malokë dhe askush s’ka të drejtë ta ndiejë veten superior ndaj të tjerëve. Para shtetit e ligjit duhet të jemi të gjithë të barabartë, si katundarët ashtu edhe qytetarët. Edhe pse politikanët apo funksionarët e lartë shtetëror i kanë ikur katundit, por katundi nuk ka ikur prej tyre.

Problemi themelor i politikës shqiptare është sundimi i pakundërshtuar i mendësisë katundare qysh nga fshatrat e largëta të majave të thepisura e deri në zemër të institucioneve shtetërore të drejtuara prej katundarëve të cilët nuk kanë vetëm pikë ndjenjash kombëtare, fetare e njerëzore, por edhe e urrejnë popullin e vet.

Çfarë duhet bërë? Nuk e di.

Lajme të ngjashme

Një koment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button