Papa Françesku, në Afrikë me mesazhin për tolerancë fetare

Papa Françesku do të zhvillojë vizitën e tij të parë në kontinentin afrikan. Në vizitën e tij 6-ditore, Ati i Shenjtë do të ndalojë fillimisht në Kenia, më pas në Uganda dhe në Republikën e Afrikës Qendrore.

Papa argjentinas, që konsiderohet si një zëdhënës i të varfërve, pritet të përcjellë mesazhin e tolerancës fetare dhe bashkëjetesës paqësore mes të krishterëve dhe myslimanëve, transmeton Top Channel.

Rajoni po përjeton një valë të madhe ekstremizmi dhe dhune fetare gjatë kohëve të fundit. Sulmet ekstremiste në Kenia janë shtuar ndjeshëm. Dy vite më parë, grupi somalez al-Shabab sulmoi një qendër tregtare, duke vrarë 67 persona.

Edhe vizita e tij në Bangui, kryeqytet i Republikës së Afrikës Qendrore, konsiderohet si mjaft e vështirë nga pikëpamja e sigurisë, ndërsa dhuna mes rebelëve myslimanë, Seleka, dhe milicive të krishtera vazhdon të marrë jetë njerëzish.

Por pavarësisht alarmeve, kreu i Selisë së Shenjtë ka vendosur të mos heqë dorë nga itinerari i tij dhe nga lëvizja me makinën e hapur papnore. Ndalesa në Republikën e Afrikës Qendrore, të kapluar nga kriza humanitare, është e rëndësishme për At Bergoglion, pasi vendi po përpiqet për një pajtim kombëtar, falë një platforme ndërfetare të kërkuar nga të krishterët dhe myslimanët.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button