Jotransparenca e institucioneve ndaj mediave shqetësim për demokracinë e vendit

Raporti i Komisionit Evropian për progresin e Maqedonisë, vuri në dukje edhe njëherë gjendjen e palakueshme në të cilën ndodhen mediat në Maqedoni, sa i takon ndikimit të tyre nga politika dhe nga ana tjetër jotransparencës së institucioneve ndaj mediave për informata me karakter publik. Gazetarët ankohen për vështirësitë gjatë hulumtimit të ngjarjeve dhe tendencës nga ana e institucioneve për të penguar shpërndarjen e informacioneve, ndonjëherë edhe atyre më të thjeshtave dhe pa ndonjë rëndësi të madhe.

Besim Iljazi, kryeredaktor i gazetës “Koha” thotë se konstatimi i Raportit të KE-se vetëm se e vërteton ambientin e vështirë në të cilin punojnë gazetarët tani më disa vite sa i përket qasjes deri te informatat me karakter publik.

“Për të marrë një përgjigje nga institucioni, gazetari duhet të presë më shumë se një javë. Pra, kemi një hermetizim institucional. Me këtë zgjidhje ligjore i bëhet një obstruksion i hatashëm gazetarëve dhe opinionit publik. Unë edhe para dy muajve e kam ngritur shqetësimin dhe kam kërkuar që ligji në këtë nen të ndryshojë. Afati për marrjen e informatave të mos jetë 30 ditë, por kjo të shkurtohet në një ditë.” – thotë Iljazi për Portalb.

Iljazi thotë se institucionet dhe funksionarët janë transparent vetëm për ato agjenda që atyre iu shkojnë për shtat kurse në rastet tjera, sipas tij, ata tani më përdorin “trukun” e ri dhe kërkojnë që pyetja t’iu parashtrohet përmes e-mailit. Por, në vend që gazetarët të marrin përgjigjen aty për aty ose brenda ditës, ju duhet të prisni me ditë të tëra atëherë kur interesi i opinionit për atë çështje, me gjasë, ka rënë.

Shembulli që përmend Iljazi është nga ngjarjet e fundit.

“Para 10 ditëve kërkuam informata nga MPB nëse është identifikuar grupi që kreu sulmin vandal në xhaminë në Kriva Pallankë. Përgjigje kemi marrë pas 1 jave dhe e njëjta ishte aq e zbehtë dhe me shabllon, sa ta shpifte stili dhe gjuha shabllone me të cilën është shkruar.” – shprehet Iljazi.

Në raportin e KE-së, duke iu referuar informatave të marra nga gazetarët e vendit, shkruhet se rasti më i vështirë për gazetarët ka qenë hulumtimi mbi projektin Shkupi 2014.

“Sipas gazetarëve ka një tendencë nga ana e autoriteteve publike për të mbi-përdorur “klasifikimin” e dokumenteve, veçanërisht të atyre që lidhen me koston e projektit Shkupi 2014, për të parandaluar qasjen e publikut në informata.” – shkruhet në Raportin e KE-së.

Meri Josdanovska është një nga gazetarët e qendrës BIRN, që bënë hulumtimin për shpenzimet për projektin Shkupi 2014 dhe arritën të zbulonin shumën e cila nuk ishte e njëjtë me atë që u bë publike nga qeveria.

“Për 8 muaj punë në mbledhjen e të dhënave për Shkupi 2014, kemi hasur në një numër të madh vështirësish. Pjesën më të madhe të dokumenteve i kemi kërkuar nga web-faqja e Zyrës e Prokurorimit Publik ose duke shfrytëzuar ligjin për qasje të lirë deri te informatat me karakter publik. Kuptuam një gjë – institucionet i bëjnë sajtet e tyre ashtu që ju të mos gjeni asgjë.

Edhe për marrjen e përgjigjeve nga institucionet edhe pse janë të nevojshme maksimumi 30 ditë, ne kemi pritur edhe nga 40 ditë dhe më shumë. Ministrinë e drejtësisë e kemi pritur saktë 5 muaj për të na dhënë marrëveshjen për ndërtimin e objektit të Gjykatës penale.” – thotë Jordanovska për Portalb.

Jordanovska vlerëson së institucionet e Maqedonisë bëjnë çdo gjë që munden që gazetarët të mos e marrin informacionin për të cilin kanë nevojë, veçanërisht nëse bëhet fjalë për informata, publikimi i të cilave nuk do t’iu shkonte përshtat.

“Do të marr shembullin e Komisionit të antikorrupsionit, zëdhënësi i të cilit më ha hapur telefonin vetëm dy herë kurse unë e kam kërkuar më shumë se 150 herë. Asnjëherë nuk kam marrë përgjigje nga ai për pyetjet e dërguara në mënyrë elektronike. Kështu që pyes vetën pse ky njeri është punësuar në komision dhe pse merr rrogë nga buxheti i shtetit. MPB deri para pak kohësh, në konferencat e saj për shtyp i ftonte vetëm mediat të cilat në mënyrë të veçantë informojnë për qeverinë për të shmangur që ndonjë gazetarë të bëjë pyetje që nuk ju pëlqejnë atyre. E vetmja mënyrë që të arrini deri te ndonjë ministër për ndonjë përgjigje është që të vraponi pas tij në ndonjë press-konferencë, por edhe atëherë mundësitë janë të mëdha që t’ju thotë “Më falni por ky press është tematik dhe nuk lejohen pyetje jashtë temës.” – thotë Jordanovska.

Raste të këtilla janë përditshmëri edhe për Redaksinë e Portalb dhe shembulli i hulumtimit të gazetares tonë, Anesa Aliti, mbi rrogën e deputetëve hasi në pengesa që pamundësuan përfundimin e hulumtimit.

“Fillimisht kam kërkuar të gjejë në ligje se sa janë pagat mujore të deputetëve, por ligjet kishin sqarime të përgjithshme dhe asgjë konkrete. Kërkova edhe nëpër rregullore dhe as aty nuk kishte asnjë të dhënë për informacionet që kërkoja. Shfrytëzova formularët e duhura, që të kërkoj direkt përgjigje prej komisionit përkatës të parlamentit dhe ato ua dërgova me e-mail. Kam pritur disa javë, por nuk merrja përgjigje. Dërgova me postë 12 zarfe me pyetje koncize. Kaluan disa javë dhe përsëri nuk po merrja përgjigje. Shumë javë më pas pranova 12 zarfe. Kur i hapa ato, përgjigjet nuk ishin aspak  adekuate. Më saktësisht kam pranuar nga dy përgjigje të njëjta (kopje identike) për dy pyetje të ndryshme po edhe 5 të tjera identike ku thuhej se deputeteve iu kompensohet rruga, ndërsa pyetjet ishin se sa para shtesë merr një deputet për komisionin ku është anëtar,  zëvendës-anëtar, zëvendës-kryetar, kryetar komisioni apo shef delegacioni.”

Gazetarët shprehen të indinjuar kur pas pritjesh aq të gjata, nuk arrijnë të plotësojnë temat e tyre me informacionet e nevojshme. Në këtë mënyrë, përveç që pengohet puna e gazetarit, pengohet e drejta e opinionit për tu informuar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button