Klinton fiton debatin e dytë, por “rrëshqet” në tre pika

Politika e jashtme, islami radikal dhe lidhjet me bankat e Uoll Strit mund t’ia komplikojnë Klintonit punët në zgjedhjet e ardhshme

Ndryshe nga gara kaotike republikane, gara demokrate këtë vit është shumë më e rregullt, e disciplinuar dhe më e civilizuar. Fusha demokrate tani është reduktuar në tre kandidatë, por është mëse e sigurtë (93% sipas bastoreve) se nominim i demokratëve për president do të jetë Hillari Klinton, e cila ka dyfishin e përkrahjes së Berni Sanders, përderisa Martin O’Malli mezi regjistron në anketa. Në këtë atmosferë të sigurisë së fitores së Klintonit, tre kandidatët u mblodhën në debatin e dytë të rradhës në shtetin Ajova. Fakti që debati u zhvillua të shtunën në mbrëmje, në të njëjtën kohë me ndeshjet kolegjiale të futbollit amerikan, bëri që ai të ndiqet edhe më pak se ç‘pritej. Debati u organizua nga televizioni CBS dhe u ndoq nga 8.5 milionë shikues, shifra më e ulët në këtë cikël debatesh.

Me konsenzus fituese e debatit përsëri ishte Hillari Klinton dhe kjo kryesisht sepse në debat nuk ndodhi asgjë që të ndryshojë garën. Sanders vazhdoi të përcjellë mesazhin e tij populist të majtë dhe nuk bëri ndonjë hap për të përmirësuar gjasat e tij për nominim. Ai si duket ka arritur maksimumin prej 25%-30% që i jep ky mesazh dhe ka gjatë kohë që nuk ka lëvizuar nga këto shifra. Ndërkaq me tërheqjen e Çafi dhe Ueb, votat e tyre të protestës pritej t’i marrë O’Malli. Ai ngjalli deri diku interes dhe dëshirë për t’a njohur më mirë pas debatit, por assesi nuk mund të lëvizë mbi 4% nëpër anketa. Në debat sulmet e tij kundër Klintonit ishin të rralla e të buta, do të thoshim sulme me hamendje. Me moshën relativisht të re ai si duket pozicionohet për një kandidaturë më serioze në të ardhmen, andaj heziton të irritojë opinionin progresiv duke sulmuar ikonën e tij demokrate.

Sidoqoftë në format të reduktuar të gjithë kandidatët patën më tepër kohë për të folur, siç shihet nga tabela më poshtë. Klinton dominoi debatin, ashtu siç vazhdon të dominojë dhe nëpër anketa.

Kandidati Koha e shfrytëzuar Rejtingu RCP Rejtingu HuffPost Bastoret (Predictwise)
Klinton 38:33 56% 56% 93%
Sanders 24:17 30% 31% 6%
O’Malli 21:28 4% 3% 1%

 

Mirëpo nëse Klinton dominon lehtë garën dhe debatet demokrate, krejtësisht ndryshe do të jenë përplasjet e saj me republikanët në zgjedhjet e përgjithshme. Në këtë prizëm duhet parë edhe paraqitja e saj në këtë debat; pra a ju dha ajo material republikanëve për t’a sulmuar në zgjedhjet e ardhshme. E në këtë drejtim debati nxorri në shesh disa pikat të dobëta të saj.

Politika e jashtme. Debati u zhvillua një natë pas sulmeve në Paris, që zhvendosi përnjëherë diskursin politik amerikan te politika e jashtme dhe lufta kundër terrorit. Çështja që ngriti Sanders por që është në majë të gjuhës të çdokujt është përgjegjësia e Klintonit për luftën në Irak. Si senatore ajo në 2003 ka votuar pro luftës, për të thënë më pas se vota kishte qenë një gabim prej të cilit ka nxjerrë mësime. Por në debat ajo u duk e pasigurtë dhe e papërgatitur  kur moderatori pyeti pse ajo kishte përsëritur gabimin e njëjtë në Libi si sekretare e shtetit. Për këto arsye Klinton ngelet e hapur ndaj sulmeve të republikanëve në temën e politikës së jashtme. Ç‘është më e keqja ajo nuk mund të kundërpërgjigjet duke ua hedhur fajin republikanëve për luftën në Irak, pasi asnjëri nga kandidatët republikanë nuk ka lidhje direkte me atë luftë (me përjashtim natyrisht të lidhjes biologjike të Xheb Bushit).

Islami radikal. Të pyetur nëse do të emëronin radikalizmin islam si fajtor për ndodhitë në Paris, të gjithë kandidatët refuzuan të përdorin “islamin radikal” si term. Nuk vonuan akuzat e republikanëve se demokratët nuk mund të luftojnë me sukses terrorizmin nëse nuk mund as të emërojnë fajtorin. Duhet të thuhet se për momentin të dy partitë janë zënë ngushtë në çështjen e terrorit. Të preokupuar me korrektësinë politike dhe nevojën për përfshirje të pakicave në rradhët e tyre, demokratët hezitojnë të përdorin terme që mund të ofendojnë një pjesë të elektoratit të tyre. Nga ana tjetër në tentimin për t’u treguar të ashpër, retorika republikane shpesh i afrohet rrezikshëm kufirit ku mund të lexohet si raciste dhe islamofobe. Mirëpo nëse vitin e ardhshëm përsëriten sulme si ai në Paris, elektorati amerikan mund të preferojë ashpërsinë ndaj korrektësisë politike, rrethanë që do dëmtonte Klintonin në zgjedhje.

Bankat dhe Uoll Strit. Një çështje tjetër e sikletshme për Klintonin është afërsia e saj me bankat e mëdha amerikane të vendosura në Uoll Strit. Ato janë ndër financuesit më të mëdhenj të fushatave të saj dhe në dekadën e fundit llogaritet se ajo ka marrë më tepër para nga bankat se çdo politikan tjetër. E konfrontuar me këtë çështje në debat, Klinton tentoi të eskivojë përgjigjen. Ajo tha se në distriktin e saj senatorial përfshihej edhe Uoll Strit, të cilit i kishte ndihmuar të rikuperohet pas sulmeve të 11 shtatorit. Sipas saj donacionet e bankave tani janë mirënjohje për punën e saj atëherë. Ky qëndrim u përqesh nga kundërkandidatët në skenë dhe natyrisht nga republikanët.

Në opinionin e përgjithshëm amerikan republikanët njihen si të afërt me biznesin (të personifikuar te Uoll Strit) dhe demokratët me popullin e thjeshtë (Mejn Strit). Por donacionet e shumta të bankave për kampanjën e Klintonit dhe populizmi në rritje republikan rrezikojnë të përmbysin këtë rrëfenjë me kokë poshtë. Afërsia me Uoll Stritin i heq Klintonit edhe një armë që do mund t’a përdorte cilido demokrat tjetër kundër republikanëve. Këtë rradhë arma madje mund të përdoret kundër saj.

Siç tregojnë shifrat më lartë debati nuk ndryshoi asgjë në garën demokrate, madje Klinton ka thelluar edhe më avantazhin ndaj Sanders dhe O’Malli. Mirëpo qëndrimet e saj në disa pika e lënë të zbuluar ndaj sulmeve që padyshim do t’i bëjnë republikanët në zgjedhjet e ardhshme. Në këtë kornizë duhet të shihet edhe gara dhe debatet e mëtejme demokrate.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button