Kështu do na vijë fundi?!

“Niveli i lejuar i grimcave PM10 është 50 μg (mikrogramë) në një m3 ajër ndërsa këto ditë në Tetovë këto grimca kanë arritur deri në 915 μg/m3 që nënkupton 18 herë më shumë se norma e lejuar. Agjencia ndërkombëtare për hulumtime të kancerit thotë se nëse niveli i këtyre grimcave rritet për 10μg/m3 atëherë shkalla e rrezikshmërisë nga kanceri rritet për 22%. Kjo shpjegon faktin se përse Tetova shënon rritje rekorde nga sëmundjet me kancer ku vetëm për 3 vite këto sëmundje u rritën për 80%.” Eco Guerila.

Të vegjël e të moshuar dhe pasardhësit tonë, janë ata që i mbajnë pasojat sociale, psikologjike dhe shëndetësore. Të rinjtë vdesin nga kanceri në mushkëri. Gratë abortojnë. Familjet e reja mbesin pa fëmijë për shkak të sterilitetit. Fëmijët dhe pleqtë po ngulfaten nga mos pasja e mundësisë së frymëmarrjes. Mundësitë për mutacione (çrregullime psiko-fizike) priten të jenë në rritje me kalimin e gjeneratave… Dhe çka mos mund të presim të na sjellin statistikat nga institucionet përkatëse shëndetësore dhe të ambientit. Gjersa NE flemë.

Përse po flemë?! Mos vallë presim që të vijë dikush dhe të na  shpëtojë nga ky helm që e thithim për çdo ditë?! Kush?! Presim që institucionet që janë përgjegjëse të ndërmarrin diçka  e që ata  nuk duan as të dëgjojnë. Ata, që ndoshta për arsye që ne nuk i dimë, nuk reagojnë?! Organizatat ndërkombëtare të ambientit ose shëndetësisë?! Kush vallë dëshirojmë të vijë në shtëpinë tonë dhe të na e zgjedhë problemin nëse ne nuk jemi të aftë ta zgjedhim vetë?! Në çfarë gjumi  aq të thellë vallë flemë?!

Nga dëgjoj, qytetarë nëpër qytet ose nëpër media, kërkojnë pa ndërprerë nga lëvizja qytetare Eco Guerilla që të organizojë protesta për çështjen e ndotjes së ajrit në Tetovë. Mirëpo, nga ana tjetër, në të gjithë aktivitetet që ajo i ka zhvilluar përkrahja ka qenë shumë e vogël nga ana e qytetarëve. Ajo si e vetme nuk mund të bëjë asgjë. Pasi që, edhe vetë kemi parë orvatjet e saj e që përsëri kanë qenë me rezultate minimale…

Së pari, ne shkelim mbi mundin e dikujt. Sepse mos përkrahja në aktivitetet e një organizate, lëvizje apo iniciative që synon pastërtinë e ambientit jetësor ose çka është në interes të të gjithë neve, është shkelje e mundit të saj, sepse ajo punon në interes të të gjithë atyre që jetojnë në qytetin ose shoqërinë tonë. Pastaj ne lejojmë që fëmijët, prindërit, motrat dhe vëllezërit tonë t’i humbim, ngase është bërë veç më e ditur rrezikshmëria e  ajrit të ndotur në Tetovë. Por, me keqardhje do e them se, ne kur i humbim të dashurit tonë, atëherë i qajmë.

E përse të qajmë kur mund t’i kemi afër nesh! Përse t’i qajmë fëmijët tonë që do të lindin me të meta psiko-fizike dhe probleme të tjera shëndetësore, kur ne sot mund të parandalojmë një gjë të tillë?! Përse të qajmë nga pamundësia për të pasur fëmijë, për të shijuar çastet prindërore,  për të dëgjuar fjalët e para të foshnjës, për të parë se si rriten, kur ne sot mund ta parandalojmë një gjë të tillë?! Përse të qajmë, bashkë me motrat , nënat dhe bijat tona, kur ata ta humbin foshnjën e tyre nga aborti spontan?! Këta janë çaste të dhimbshme për atë që e përjeton dhe familjen e tyre. Por, mos të harrojmë, se edhe ne mund të jemi pjesë e këtyre situatave…

Nëse dëshirojmë jetë të shëndetshme, sociale, psikike, atëherë duhet që të jemi të një zëri. Sepse po jemi të një zëri nuk mund të na ndalë askush dhe nuk ka se si mos të plotësohen kërkesat tona.

“Lumturia më e madhe: Të jesh i dobishëm për të tjerët”  Nënë Tereza

M-r Hazize Jonuzi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button