U promovua libri “Preka gjithçka nga pak” i shkrimtares 17 vjeçare, Arta Selmani

Të shtunën, më 21 nëntor u promovua libri ‘Preka gjithçka nga pak’ i shkrimtares kumanovare, Arta Selmani. Promovimi u realizua në ‘Librarinë e Çarshisë’ në Shkup, të pranishëm ishin familjarë, miq, profesorë, përfaqësues të drejtorisë së shkollës së mesme “Sami Frashëri” si dhe redaktori, Zenun Halili.

Arta Selmani_1Libri përmban prozë e poezi dhe për to flet për Portalb vetë shkrimtarja: “Ky është libri im i parë. Prej ditës kur e botova më duket se jam në ëndërr. ‘Preka gjithçka nga pak’ përmban tema të ndryshme që lidhen me jetën, me dashurinë në mes njerëzve, me arsimimin në përgjithësi e në veçanti për atë të popullit shqiptar, lirinë, kohërat ‘e çoroditura’, mërgimin, miqësinë artificiale etj; si dhe përmban 5 poezi, që bazohen në të kaluarën e përgjakshme dhe të lavdishme të popullit shqiptar.” Për temat e shtjelluara me anë të prozës, Arta u frymëzua nga jeta e përditshme dhe rastet e përjetuara. Ndërsa sa i përket poezive patriotike, ajo u frymëzua nga e kaluara historike e siç thotë vetë  “Dëshiroj  t’i ngjallë vuajtjet, të cilat populli shqiptar i ka përjetuar me vite, që të mos i harrojmë. Se popujt tjerë na kanë shtypur e nuk kemi mundur t’i glorifikojmë vlerat e larta që i kemi si popull.”

“Lexoja dhe punoja me përkushtim permanent, por gjithmonë i thoja vetes se ende jam larg asaj që duhet të jetë një person. Kështu shkrova disa shkrime, të cilat profesorëve iu pëlqyen shumë. Atëherë kuptova se kisha aftësi për të shkruar.”-sqaroi ajo momentin kur kuptoi aftësinë për të shkruar, ndërsa e pyetur pse shkruan dhe si ndjehet ajo tha: “Thjeshtë nuk mund të mos shkruaj. Derisa shkruaj ndjehem sikur njeriu që hedhet në det e i cili nuk di të notojë, nuk ka përvojë por qëndron mbi ujë. Shpesh herë ndjehem sikur jam në një qiell pa fund e të cilin e quaj ‘Galaktika ime personale’, ku unë jam e vetmja banore dhe askush tjetër ende nuk e ka zbuluar atë botë”.

Arta Selmani_2

E pyetur se kush e motivoi të shkruante ajo u përgjigj “Ideja për të qenë e suksesshme, për t’u pajisur me sa më shumë dituri. Pasi dituria është fuqi, me anë të së cilës njeriu edhe ngritet shumë lartë po edhe futet për të hulumtuar në thellësi të tokës. E nga ana tjetër dituria është dritë, me anë të së cilës njeriu mund të bëhet i lirë, të përparojë e të emancipohet sikur popujt tjerë perëndimorë.”

“Do të doja që secili të më jepte kritika, qoftë pozitive a negative, nuk ia imponoj askujt ta lexoj librin tim, por besoj se nuk do të zhgënjehet askush që do ta lexojë. Sepse besoj në vetvete, besoj se kam prekur gjëra që janë të pranishme dhe ia vlen të lexohen.” – iu përgjigj pyetjes pse të tjerët duhet ta lexojnë librin në fjalë.

“Përzemërsisht i jam mirënjohëse familjes sime, që më mbështet e më ndihmon për gjithçka, shoqërisë dhe rrethit ku jetoj”-theksoi ajo dhe deklaroi se nuk do të ndalet së shkruari dhe se planifikon të fillojë shkrimin e një romani imagjinar.

Arta Selmani lindi më 05.04.1998 dhe aktualisht është nxënëse e vitit të tretë në Gjimnazin “Sami Frashëri” Kumanovë, drejtimi Matematikor B. Ajo filloi të shkruajë që nga fundi i shkollës fillore, ndërsa librin ‘Preka gjithçka nga pak’ filloi ta shkruajë në vitin e parë të shkollës së mesme. Libri në fjalë gjendet në librarinë ‘Globus’ pranë gjimnazit në Kumanovë dhe në ‘Librarinë e Çarshisë’ në Shkup./Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button