Përmbytje në Tiranë, Basha: Rreth 1000 banesa nën ujë

Shirat e dendur gjatë natës kanë shkaktuar probleme dhe përmbytje në kryeqytet. 1000 banesa dhe rreth 6000 në zonën e Kamzës janë përmbytur.

Në ndihmë të banorëve kanë ndërhyrë edhe forca të ushtrisë. Uji ka vërshuar brenda banesave dhe ka shkaterruar orenditë.

“Uji ka ardhur në oren 3 mbas mesnate. Kemi marrë fëmijet, njërin një ditësh dhe tjetrin 7 vjeç dhe kemi dalë në majë të tarraces. Kemi kërkuar ndihmë por nuk ka ardhur njeri. Të parët kanë ardhur këta të ushtrisë në oren gjashtë e gjysmë. Dua të më strehojnë fëmijen një ditësh,” deklaron një banore.

Përmbytje ka pasur edhe në zonën e Bathores, në Valias dhe në zonën e Bregut të Lumit në Babrru. Për të parë nga afër situatën në zonën e Kamzës ka mërritur Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, Kryetari i Bashkisë Lulëzim Basha dhe Nënkryetari i Bashkisë Eno Bozdo.

“ Janë 11 familje të përmbytura. uji ka arritur një meter deri një meter e gjysmë. Ne kemi ngritur një grup që fillimisht do të kujdeset që të sistemohen gjërat dhe më pas të vlerësohen dëmet për dëmshpërblim. Jam këtu dhe me Prefektin e Qarkut. Arsyeja e këtyre përmbytjeve mendoj se është ngushtimi i shtratit të lumit nga hedhja e inerteve. Por mendoj se keta qytetarë kanë ndërtuar në vendin e gabuar. Do të pastrohet shtrati i lumit nga inertet. Jam informuar se dhe në Vaqarr ka situatë të agravuar unë do të shkoj dhe atje dhe do të shikoj si është situiata”, deklaroi Ministrja Kodheli.

Kryetari i Bashkisë Lulëzim Basha pasi ka takuar familjet e përmbytura në Kamëz deklaroi se në total janë 1000 familje që janë përmbytur nga shirat e një nate më parë. Kryebashkiaku deklaroi se shirat që kanë rënë gjatë gjithë natës kanë shkaktuar dëme të mëdha materjale.

” Jemi në situatë emergjente. Mbi 1000 familje dhe mbi 6000 qytetarë gjenden në këtë situatë që do ta cilësoja emergjente për nga kushtet e përmbytjes. Për fat të mirë nuk ka patur viktima dhe dëmtime në njerëz. Ka dëme të mëdha materiale dhe ka një përmbytje të të gjithë zonës me sedimentet e lumit. Në këtë zonë po punojnë mbi 180 punonjës të Bashkisë së Tiranës për ti ardhur në ndihmë familjarëve, për pastrimin e oborreve dhe largimin e mbetjeve . Por duhen shumë më shumë ndihma se kaq. Është e nevojshme të kemi bashkëpunim edhe me qeverinë qëndrore për të shtuar krahun e punës dhe tu sigurojmë banorëve furnizimin me ujin e pijshëm, i cili do fillojë të shpërndahet me autobote, evidentimin e dëmit dhe përpjekjen për ti ardhur në ndihmë banorëve. Gjendja ëështë e jashtëzakonshme , dëmet janë të jashtëzakonshme dhe kërkon një përgjigje proporcionale me këto dëme”, deklaroi Basha.

I pranishëm në zonë ishte dhe Drejtori i Policisë së Shtetit Artan Didi.

Ndërkohë kompania CEZ bën me dije se si pasojë e motit të keq disa zona të Tiranës janë pa energji elektrike. Ndërprerje të energjisë elektrike ka në zonat Kodër Kamëz, Bathore, Universiteti i Kamzës dhe rruga Qemal Stafa në Paskuqan. Shkak për ndërprerjen janë bërë dëmtimi i disa fibrave.Burime nga CEZ bënjë me dije se është përmbytur nënstacioni elektrik në Kombinat. Kjo ka sjellë që të mbeten pa energji edhe zonat Kombinat, Vaqarr, Prush dhe Yzberisht. Kompania bën me dije se po punohet për zgjidhjen e situatës.(24Orë)

Lajme të ngjashme

Back to top button