Letër babës

Kur vjen koha e bëhemi prindër sërish shohim se sa është efikas edukimi me model personal; atëherë s’lodhemi shumë me fjalë as ne as fëmijët pasi veprat janë fjalët më bindëse! Kështu kalamajtë i përvetësojnë leksionet më kollaj, i mbajnë mend më gjatë pasi më mirë memorohet ajo që shihet dhe ndjehet se sa ajo që dëgjohet si nasihat.

Nuk do arrij të përmbledh në letër krejt shembujt me të cilët ai edukonte në heshtje:

Humanizmi pa mikrofon.

Demarkacioni ndërmjet hallallit dhe haramit.

Normaliteti pavarësisht funksioneve që ushtronte.

Dora e shtrënguar me bindjen se “paret e prishin fëmijën”.

Kozmopolitizmi në harmoni me patriotizmin jofolklorik.

Lojaliteti ndaj njerëzve dhe ideve.

Na thoshte, mes tjerash, që për njeriun më shumë flet fytyra se sa fjalët që i thotë, prandaj më i rëndësishëm është koncentrimi për të shikuar se sa për të dëgjuar.

…si e vogël e shikoja Tahirin si reciton poezitë e preferuara, me pasion dhe ritëm, për qejf të vet. Këngët e para që m’i mësoi ende pa nisur në shkollë nuk ishin bash për fëmijë, por ai ashtu i zgjedhte; tash e kuptoj pse-në.

“Vaje” nga Çajupi (pjesa e parë, tre tjerat i mësova më vonë dhe i harrova), por ama vëllimin e parë, atë më të gjatin e elegjisë për të shoqen e vdekur Evgjeninë s’ka gjasa ta harroj apo ngatërroj. Ashtu si poezinë e Migjenit “Kanga skandaloze”, përshkrim rrënqethës për murgeshën që kalon rrugëve të qytetit “si ejll i arratisun”. Kjo poezi edhe filozofike, edhe sociale, edhe sensuale, të gjitha në një, ndër më të bukurat e vjershëtorit të madh që i këndonte njeriut të vogël, mbaron kështu:

“…Unë dhe ti, murgesh, dy skaje po të një litari;
të cilin dy tabore ia ngrehin njeni-tjetrit –
lufta asht e ashpër dhe kushedi ku do t’dali,
prandaj ngrehet litari edhe përplasen njerzit”.

Dhe së fundi një këngë më e hareshme se dy të parat, po ashtu spontanisht e mësuar në vegjëli ishte “Gjuha jonë” nga Fishta.

Poezinë e dashurisë, qysh herët, e përvetësova nga Zhak Prever, në përkthim të bukur serbokroatisht që e gjeta tek biblioteka e tij. Kopertina qe e lëmuar, ngjyrë manushaqe, ndjesia niste që nga marrja në dorë e librit. Lexoja si e magjepsur, një botë e tërë raportesh më hapej parasysh. Më së shumti më bënte përshtypje poezia për të cilën mandej kuptova se është më e popullarizuara e Preverit, “Barbara”.

“Sjecas li se Barbara

Padala je kisa neprestana

Nad Brestom toga dana…”.

Pse e veçova prej këngëve tjera të përmbledhjes “Za tebe ljubavi moja”, rastësi ishte apo jo, nuk e di… (…pas vitesh lexova versione të Barbarës në gjuhë tjera, asnjëra nuk më tingëlloi si ajo poezi nga Librat e babait që mbeti për mua njëra nga këngët më të bukura të dashurisë).

…mbaj mend me sa qejf e mësova dhe ia recitova babës, si sihariq: pa gabim, me ritëm, siç e kisha parë kushedi sa herë të recitonte ai për qejf të vet.

Nuk më kujtohet si reagoi, çka tha.

Vetëm desha të them, më miri edukojmë me shembull personal.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button