ANALIZË: A do t’i fusë politika mediat në zjarr?

Përderisa për Ligji për media gjendet para ndryshimeve të mundshme, ndërsa Kodi tashmë i miratuar zgjedhor parasheh dënime drakonike edhe për portalet në internet, të cilat mund të çojnë edhe deri te mbyllja e redaksive të tëra, një pjesë e gazetarëve alarmojnë se pason një periudhë kur ka mundësi të ndodhë “asgjësimi” i tregut mediatik, veçanërisht në pjesën e portaleve. Nga ana tjetër, njohësit e rrethanave thonë se hapja e televizioneve të reja paraqet një uvertyrë për zhvendosje të mundshme tektonike, të cilat do të kenë pasoja politike dhe ekonomike, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb-it.

Ndryshimet në shërbimin publik RTM – vendimtare...

Ndryshimet që pritet të ndodhin në shërbimin publik të RTM-së nuk guxojnë të jenë zgjidhje afatshkurta politike vetëm në funksion të zgjedhjeve të ardhshme, por reformat duhet të nënkuptojë riorganizim që do ta kthejë funksionin themelor – mbrojtjen e interesit publik dhe ndarjen e partisë nga shteti, thonë një pjesë e gazetarëve që i anketoi “Portalb”-i në prag të finalizimit të marrëveshjes së Përzhinos që ka të bëjë me mediat.

“Ndodhitë e fundit në negociata edhe një herë e konfirmuar gjendjen faktike në sferën mediatike. Nëse përpjekja për marrëveshje për mediat nënkupton krijimin e kushteve për garë korrekte, jam i bindur se marrëveshja e tillë do të zgjatet maksimalisht. Përveç kësaj, roli i Shërbimit publik- RTM-së është vetëm një segment i kësaj marrëveshjeje, dhe në bazë të asaj se si janë të vendosura gjërat tani, ky nuk është segmenti më i rëndësishëm i marrëveshjes. Nuk e nënvlerësoj rolin e shërbimit publik në shoqëri, mirëpo jam i bindur se për një periudhë prej një apo dy muajsh është shumë e vështirë që shërbimin publik ta vendosni në baza të atilla që menjëherë do të jepnin rezultate në ndikim dhe shikueshmëri. Për një të tillë nevojitet një levë e fuqishme reformuese, e cila përveç zgjidhjeve sistemore do të përfshijë edhe një sërë zgjidhjesh kadrovike. Dhe gjithsesi vullneti politik nga ana e pushtetit, i cili qartazi mungon, dhe i cili do të përpiqet në të gjitha mënyrat e mundshme ta pengojë realizimin e marrëveshjeve. Si do që të jetë, rezultatet do të vinin jo më herët se në afat prej 3 deri në 6 muaj”–thotë Mlladen Çadikovski, redaktori i “Fokus”-it dhe shton:

“Problemi i dytë i madh mbeten mediat private që i kontrollon pushteti, të cilat janë promovuese të terrorit shtetëror. Në fakt, ky është problemi më i madh në sferën mediatike, për shkak se ato media sot e përgatisin karakterin e kryeministrit të ardhshëm, duke satanizuar gjithçka që mendon ndryshe, duke filluar nga opozitarët dhe aktivistët e deri te ekspertët dhe gazetarët. Prandaj, roli i Agjencisë për media në këtë segment duhet të jetë kyç, dhe ajo në afat të shkurtër do të duhet të gjejë mënyrë për vendosjen e standardeve profesionale në televizionet private”.

Sipas paralajmërimeve, Ligji për media do të plotësohet me disa dispozita në funksion të parandalimit të dhunës mbi gazetarët.

Do të goditen portalet në internet?

Në Ligjin për media do të shtohet një kapitull i ri, gjegjësisht zgjidhje me të cilën do të rregullohet se çdo gazetar duhet të jetë i mbrojtur nga kërcënimet ose sulmet fizike, se duhet të sigurohet mbrojtje policore kur ka indikacione serioze se gazetarit mund t’i jetë rrezikuar siguria. Një pjesë e gazetarëve vlerësojnë se përderisa nga njëra anë negociohen modele që duhet t’i mbrojnë gazetarët dhe të krijojnë ambient për informim profesional, nga ana tjetër përmenden zgjidhje që do të jenë shkatërruese për një pjesë të mediave, veçanërisht për portalet në internet.

“Partitë politike duhet seriozisht ta kuptojnë vërejtjen se nuk do të mund të krijojnë ligje për gazetarinë – pa gazetarët. Në qoftë se e kuptojnë këtë do të jetë mirë, e në qoftë se jo – duhet t’u potencohet ky gabim. Thjesht, nuk mund politikanët vetë të krijojnë korniza se kush si do të raportojë për ta dhe kush si do të ndëshkohet. Përpjekja që portalet në internet të përfshihen me Ligjin për media është një veprim shumë i gabuar, sikurse që ishte i gabuar edhe futja e tyre në kodin zgjedhor, si dhe dënimet prej tetë mijë eurosh, njësoj për të gjitha mediat”, thotë Predrag Petroviq, gazetar dhe pronar i portalit në internet, A1On.

Sipas zgjidhjes aktuale në Kodin zgjedhor, dënimet për mediat janë të unifikuara, për të cilën gjë tashmë reaguan edhe nga Sindikata e gazetarëve dhe e punëtorëve mediatikë dhe nga Shoqata e gazetarëve.

“Jemi të revoltuar për shkak se portalet në internet nëpër derë të vogël i futën në Ligj dhe i trajtojnë si media. Pyetemi se hapi i ardhshëm a është që ato të futen edhe në Ligjin për media dhe t’i definojnë dhe në atë mënyrë të krijohet mundësia për kufizimin e mëtutjeshëm të lirisë së të shprehurit. Portalet në internet, së paku në Evropë, askund nuk janë të rregulluara me ligje të veçanta mediatike, ato tashmë janë të rregulluara me Ligjin për procedurë penale dhe me Ligjin qytetar për ofendim dhe shpifje, për to vlen edhe Ligji për marrëdhëniet e punës, për të drejtat autoriale dhe Ligji për organizatat joqeveritare nëse botues i portalit është ndonjë organizatë joqeveritare, prandaj nuk ka asnjë nevojë që ato të rregullohen me ligje të veçanta mediatike”, deklaroi Teofil Bllazhevski, anëtar i këshillit ekzekutiv të Sindikatës së gazetarëve.

Në qoftë se portalet në internet futen në Ligjin për media, atëherë bie në ujë beteja e fituar më parë, e cila u zhvillua pikërisht për këtë çështje – portalet në internet të mbeten hapësirë e lirë për t’u shprehur, pa kushtëzime dhe kufizim ligjore, thotë Petroviq.

“Në qoftë se ndodh që portalet në internet të futen në Ligjin për media, atëherë do të mbeten aty dhe parashtrohet pyetja se cila do të jetë gjëja tjetër që do të rregullohet me ligj te portalet në internet. Kjo njëkohësisht do të nënkuptojë se ajo për të cilën SHGM-ja arriti paraprakisht të merret vesh gjatë bisedimeve me qeverinë – që portalet në internet të mos rregullohen me Ligjin për media, ka qenë kohë e humbur kot. Partitë politike duhet ta kuptojnë se në kohën e sotme është e barabartë me utopinë përpjekja për ta kontrolluar hapësirën në internet. Mirëpo, ja edhe në qoftë se ndodh që të mbeten në këtë qëndrim, atëherë besoj se mediat në internet do të gjejnë përgjigje dhe zgjidhje adekuate”, vlerëson gazetari Petroviq.

Reformat në media, të kushtëzuara me Marrëveshjen e Përzhinos, hapën disa tema të dhimbshme. Përveç pozitës së portaleve në internet, “shtizat politike” janë duke u thyer edhe për shërbimin publik, RTM-në.

“Duhet të gjenden zgjidhje afatgjate në Radio Televizionin e Maqedonisë dhe në Agjencinë informative të Maqedonisë. Ndryshimi i njerëzve nuk do të ndryshojë asgjë në sferën mediatike. Poashtu, nuk guxojmë që mediat komerciale t’i kufizojmë me ndalesë të reklamave, për shkak se kjo është kështu në të gjithë botën”, deklaroi ndërmjetësuesi Piter Van Haute, duke paralajmëruar se gjatë kësaj jave në tavolinë do të vendosen dhe do të shqyrtohen të gjitha zgjidhjet.

Ndryshimet, gjegjësisht zgjidhjet përfundimtare të paketuara në ligje nga sfera e mediave duhet të jenë gati deri në fund të kësaj jave. Në ndërkohë, në tregun mediatik tashmë ka një zhvendosje – për një periudhë të shkurtër u hapën dy televizione të reja, ndërsa paralajmërohet hapja edhe e një televizioni tjetër. Në opinion tashmë spekulohet edhe për ndryshime në politikën redaktuese të një pjese të televizioneve nacionale, mirëpo edhe për shitje të mundshme të disave prej tyre. /Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button