Në Manastir shënohet Dita e Alfabetit shqip

Solemniteti qendror me rastin e 107-vjetorit të krijimit  të Alfabetit shqip, do të mbahet sonte në Manastir në orën 19:00, në sallën e madhe të Qendrës së Kulturës ku për herë të parë do të prezantohet orkestra e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit të Republikës së Shqipërisë.

Në këtë mënyrë do të kurorëzohet marrëveshja ndërkulturore mes Ministrisë së Kulturës së Republikës së Maqedonisë dhe asaj të Shqipërisë.

Sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Behixhudin Shehapi me rastin e shpalosjes së aktiviteteve rreth kremtimit të Ditës së Alfabetit shqip pati theksuar se repertori i përgatitur është i punuar enkas për këtë ditë me solistët të shquar të skenës si Shkodran Tolaj, Vikena Kamenica, Armando Likaj dhe Shkëlzen Bahtijari. Dirigjent i orkestrës është maestro i Teatrit të Operës nga Shqipëria, Edmond Doko.

Në këtë eveniment, sipas Shehapit pritet, të jenë të pranishëm udhëheqës të institucioneve shtetërore nga të dy vendet duke shënuar kështu një prej sukseseve më të mëdha në aspektin artistik dhe kombëtar.

Kongresi në Manastir u hap më 14 nëntor dhe zgjati deri më 22 nëntor të vitit 1908. Morën pjesë 50 delegatë nga 26 qytete, klube dhe shoqata. Në Kongres u miratua vendimi për t’u pranuar shkronjat latine me ndrshime të ckatuara të shkronjave të adaptuara ndaj karakteristikave të gjuhës shqipe. Në Manastir atëherë morën pjesë intelektualë nga e mbarë bota, sepse qyteti ishte qendër e konsujve dhe vend i sigurt.

Për kryetar të Kongresit u zgjodh Mit’hat Frashëri, ndërsa nënkryetarë ishin Luigj Gurakuqi dhe Gjergj Qiriazi, vëllau i Parashqevi Qiriazit, gruas së vetme në kongres. Qiriazët e botuan edhe abetaren e parë me alfabet të unifikuar për nevojat e shkollave. Alfabeti i unifikuar në Kongresin e Manastirit sot përdoret çdo kund ku jetojnë shqiptarët.

Sipas numrit dhe rëndësisë së pjesëmarrësve, Kongresi në Manastir është ngjarja më e rëndësishme për popullin shqiptar në fillim të shekullit 20, për çka dëshmojnë edhe eksponatet në IN Muzeu i alfabetit shqiptar në Manastir, i cili me mbështetje të Ministrisë së Kulturës punon prej vitit 2010.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button