Pjesëmarrja në komisione u sjell para plus deputetëve, ja si janë rrogat e tyre

Privilegjet e deputetëve janë shpesh temë diskutimi, veçanërisht nga partitë opozitare të cilat nuk kanë numër të madh përfaqësuesish në Parlamentin e RM-së. Sipas pasqyrës së angazhimit të deputetëve nëpër komisione të veçanta, bëhet e qartë se disa prej tyre kanë më shumë punë e disa më pak, por nga Komisioni për çështjen e zgjedhjeve dhe emërimeve të Parlamentit të RM-së të gjithë deputetët kontribuojnë njësoj dhe paguhen njësoj, pavarësisht se ata nuk janë të kufizuar të anëtarësohen në komisione.

Paga e deputetëve sipas Ligjit për paga dhe emërime llogaritet me koeficient 3,5-3,7 varësisht vendimit të Komisionit për çështjen e zgjedhjeve dhe emërimeve të Parlamentit të RM-së. Sipas Nenit 11 të ligjit në fjalë, bazë mbi të cilën llogaritet ky koeficient paraqet paga mesatare mujore për të punësuarit gjatë vitit të kaluar, sipas të dhënave të Entit shtetëror për statistika. Më konkretisht, siç përgjigjen për Portalb nga komisioni kompetent “Bruto paga e deputetit llogaritet në bazë të koeficientit për llogaritje të pagës (3,5- 3,7), të vërtetuar me vendim të Komisionit për çështjen e zgjedhjeve dhe emërimeve, e cila është 25.726,00 denarë.”

“Paga neto më e ulët e deputetit është 62.257,00 den, për deputetin i cili nuk është koordinator i ndonjë grupi parlamentar apo kryetar komisioni.”-përgjigjet Zharko Denkovski, udhëheqës i Komisionit për çështjen e zgjedhjeve dhe emërimeve të Parlamentit të RM-së,

“Paga më e lartë neto e deputetit është 65.771,00 den, dhe kjo shumë jepet për koordinatorin e grupit të deputetëve apo kryetarit të ndonjë komisioni.”

Sipas të dhënave në faqen zyrtare të Parlamentit, vërehet një laramani në angazhimin e deputetëve, ashtuqë disa janë zëvendës-anëtarë e anëtarë në më shumë a më pak komisione, disa të tjerë përveç tyre edhe zëvendës-kryetarë komisionesh e të tjerë kryetarë edhe të më shumë se një komisioni njëkohësisht.

Gazetarja e Portalbit, në bazë të Ligjit për qasje të lirë deri tek informacionet e karakterit publik kërkoi përgjigje konkrete nga komisioni për pyetjet se sa është shuma (në denarë) që merr një deputet për secilin prej pozicioneve të mundshme të deputetit brenda një komisioni parlamentar.

Por Denkovski dërgoi përgjigjet në vijim: “Kontributet e të gjithë deputetëve janë të njejta dhe nuk ka tarifa të ndryshme të pagesës.”; “Kompenzimi i shpenzimeve për prani në sesionet e grupit punues për kryetarin, zëvendës-kryetarin, anëtarin dhe zëvendës-anëtarin është i njejtë derisa vendbanimi i deputetit nga vendi i punës-Parlamenti, është në largësi të njejtë.”; “Deputetit, i cili është shef i delegacionit i paguhen udhëtimet zyrtare jashtë vendit në pajtim me vendimin për udhëtime zyrtare të deputetëve jashtë vendit, të sjellur nga Komisioni për çështjen e zgjedhjeve dhe emërimeve të Parlamentit, kurse lartësia varet nga vendi ku udhëton.”

“Secili deputet është anëtar në të paktën një trup punues-komision dhe nuk është e kufizuar se në sa komisione mund të jetë anëtar.”-u përgjigj ai në pyetjen se në sa komisione mund të anëtarësohet një deputet.

Përndryshe, koordinator i grupit të deputetëve nga radhët e BDI-së është Talat Xhaferi. Ai është edhe kryetar i Grupit parlamentar të Parlamentit të RM-së për bashkëpunim me Parlamentin e Kosovës, anëtar në 8 komisione dhe zëvendës-anëtar në 4 komisione të tjera;
Ermira Mehmeti shef i delegacioni në NATO, kryetare e Komisionit për çështje evropiane, anëtare në 7 komisione dhe zëvendës-anëtare në 2 të tjera;
Xhevat Ademi kryetar i Komisionit për vetëqeverisje lokale, anëtar në 6 komisione dhe zëvendës-anëtar në 5 të tjera;
Artan Grubi zëvendës-kryetar i Delegacionit të Parlamentit të RM-së në Komitetin parlamentar për stabilizim dhe asocim, anëtar në 7 komisione dhe zëvendës-anëtar në 4 të tjera;
Vjollca Mehmeti-Nuredini anëtare në 4 komisione dhe zëvendës-anëtare në 2 të tjera;
Ejup Nuredini kryetar i Komitetit për marëdhënie mes bashkësive dhe kryetar i Grupit parlamentar të Parlamentit të RM-së për bashkëpunim me Parlamentin e Republikës së Mongolisë, anëtar në 6 komisione dhe zëvendës-anëtar në 3 të tjera;
Zulfi Adili anëtar në 4 komisione dhe zëvendës-anëtar në 2 të tjera;
Jamin Sinani anëtar në 3 komisione dhe zëvendës-anëtar në 3 të tjera;
Kaltrina Azizi anëtare në 4 komisione dhe zëvendës-anëtare në 2 të tjera;
Mirvan Xhemaili anëtar në 6 komisione dhe zëvendës-anëtar në 2 të tjera;
Mirsada Emini Asani anëtare në 4 komisione;
Musa Ibraimi anëtar në 4 komisione dhe zëvendës-anëtar në 2 të tjera;
Nora Aliti anëtare në 4 komisione dhe zëvendës-anëtar në 3 të tjera;
Rafiz Aliti kryetar i Komisioni buxhetor i Parlamentit të RM-së dhe Grupit të deputetëve të Parlamentit të RM-së për bashkëpunim me Parlamentin e Republikës Federale të Gjermanisë, anëtar në 5 komisione dhe zëvendës-anëtar në 4 të tjera;
Ramiz Merko kryetar i Grupit të deputetëve të Parlamentit të RM-së për bashkëpunim me Parlamentin e Mbretërisë Holandeze, zëvendës-kryetar i  Komisionit për transport, lidhje dhe ekologji anëtar në 6 komisione dhe zëvendës-anëtar në 1 tjetër;
Rexhail Ismaili kryetar i Komisionit për transport, lidhje dhe ekologji dhe Grupit të deputetëve të Parlamentit të RM-së për bashkëpunim me Parlamentin e Republikës Islame të Iranit, anëtar në 3 komisione dhe zëvendës-anëtar në 3 të tjera;
Selvije Saliu anëtare në 3 komisione dhe zëvendës-anëtare në 3 të tjera;
Hazbi Lika zëvendës-kryetar i Komisionit për vetëqeverisje lokale, anëtar në 4 komisione tjera;
Shpresa Hadri kryetare e Grupit të deputetëve të Parlamentit të RM-së për bashkëpunim me Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, anëtare në 4 komisione dhe zëvendës-anëtare në 3 të tjera;

Koordinator i grupit të deputetëve të PDSH-së është Imer Aliu, anëtar në 7 komisione dhe zëvendës-anëtar në 2 të tjera;
Bekim Fazliu zëvendës-kryetar i Komisionit të përhershëm anketues për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut, anëtar në 8 komisione dhe zëvendës-anëtar në 6 të tjera;
Orhan Ibraimi kryetar i Grupit të deputetëve të Parlamentit të RM-së për bashkëpunim me Parlamentin e Shripqrisë, anëtar në 6 komisione dhe zëvendës-anëtar në 8 të tjera;
Gazmend Aliji anëtar në 7 komisione dhe zëvendës-anëtar në 7 të tjera;
Ernand Fejzulla kryetar i Komisionit të përhershëm anketues për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut, anëtar në 9 komisione dhe zëvendës-anëtar në 1 të tjera;
Meral Uzeiri-Ferati kryetare e Grupit të deputetëve të Parlamentit të RM-së për bashkëpunim me Parlamentin e Mbretërisë së Danimarkës, anëtare në 8 komisione dhe zëvendës-anëtar në 4 të tjera;

Ndërsa nuk ka të dhëna për Ali Ahmetin e as për Menduh Thaçin/Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button