NA PASKE GËNJYER

Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës vendosa të shmang temat që lidhen me të, përpos atyre që do të shpërfaqnin sukseset dhe përparimet e pritshme për bërjen e shtetit të lindur nga gjaku i dëshmorëve, nga eshtrat e drobitur të martirëve në dhëmbëzorët e zëndaneve kanibale, nga ëndrrat e brezave të tërë që vdiqën syçelë pa pasur privilegjin të jetojnë ditën e vetme pa frikë e pa zori.

E bëra këtë i bindur se janë me qindra ata që problemet e Kosovës i ndjejnë dhe i njohin më mirë se “i huaji” i një humbëtire tjetër prej shteti. Besoja fuqishëm se të paktën Kosova nuk do ta bëjë firo lirinë për të cilën u ngrit në këmbë edhe bota e tërë, se të paktën ajo nuk do ta flijojë ardhmërinë për kapricjet e bijve të saj plangprishës, se nuk do të shndërrohet në strofull dhe viktimë qepazesh, të cilët njollosën idealet për privilegje meskine.

Kujt ia merrte mendja se Kosova martire që mbijetoi me shekuj nën thundra perandorishë satrape, që shkundi themelet e federatës famëkeqe titiste, do të bëhet brenda një dekade kurban hajdutësh, matrapazësh, mohësish të etnisë, përdhosësish të simboleve kombëtare, përmjerrësish të heronjve të saj, shitësish të trojeve stërgjyshore, shkatërruesish të ardhmërisë së shtetit, përçarësish të trungut etnik, vrasësish të ëndrrës rilindëse…

Kujt ia merrte mendja se kaq shpejt Kosova do të shkelë mbi gjakun e Tahir Mehës, Rexhep Malajt, Adem Jasharit, Zahir Pajazitit, Fehmi Ladrovcit dhe aradhës së pambarimtë të dëshmorëve të rënë në altarin e lirisë? Kush mund ta paramendonte se prijësit e luftës më të lavdishme të bërë për lirinë e Kosovës (lum ata që s’u turpëruan!), një ditë pas saj, do të gdhihen kontrabandistë, tenderokratë, reketmbledhës, kapitalistë, milionerë, aristokratë…, për të metastazuar më pastaj në varrmihësit më të paskrupullt të atdheut? Kush priste hulli kaq të thella përçarëse brendashqiptare, armiqësi që s’i pleqnon kush, inate të kohës së gurit tagrin e të cilëve do ta paguajë populli shpresëthyer i kësaj toke? Kush guxonte ta mendojë se, në emër të ardhmërisë së Kosovës, njëra palë do të tregtojë esat toptançe copërat e atdheut të lara me gjak të fisëm prometejësh, kurse pala tjetër, do ta delegjitimojë, shkatërrojë e djegë atdheun gjithashtu në emër të atdheut?

Eh, Kosova jonë e dashur – kala dinjiteti, bashkimi e rezistence. Për ty kemi bërë be. Ti na e jepje frymën. Për ty merrnim frymë. Prej teje lindte dielli ynë. Tek ti i varnim shpresat. Për ty ishim të gatshëm të bëhemi hi dhe të rilindim si feniksi përsëri e përsëri.

Të bënë përrallë në sytë e botës Kosova jonë e dashur, hajgare “dashamirësish”, lot në sytë e atyre që të braktisin dëshpërimisht si punë mjerke. E ti na paske gënjyer si Ali Podrimjen se: bijtë e tu janë më të bukurit, ndër trimat më trima, më të moçëm ndër të vjetrit…, na paske rrejtur se nënë kemi ulkonjën, se krahët tanë janë të orakullit, që pi ujë te gurra e Drinit…, na paske rrejtur se jemi zot të dheut…, sepse po të ishim të tillë, tjetër kush do të ishim dhe do të kishim Atdhe.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button