Kongresi i qëllimeve të larta

 

Alfabeti është shpikja më e rëndësishme e njeriut – qenies së vetme që prodhon kulturë. Gjuha shqipe, një nga gjuhët më të lashta, është shkruar vonë dhe me alfabete të ndryshme. Dokumenti i parë është një formulë pagëzimi nga Pal Ejllori. Libri i parë i përket shekullit 16-të: është Meshari i Gjon Buzukut (1555). Eqrem Çabej nuk dyshon se gjuha shqipe ishte shkruar e kultivuar shumë kohë më parë, kjo sepse “Meshari” (një titull që e morri më vonë) përcjell në shqip mesazhet nga librat e shenjtë. Ata që merren me përkthimin e dinë se procesi më i vështirë përkthimor është pikërisht sjellja e librave të shenjtë në një sistem kulturor.

Kur shqipja nisi të shkruhej, nisën vështirësitë për shkak të mungesës së një alfabeti të vetëm. I dimë vështirësitë e Pjetër Bogdanit për botimin e librave të tij, për shkakun e mungesës së disa shenjave në shtypshkronja.

Në periudha të ndryshme kohore, ndër shqiptarë, janë përdorur alfabete të ndryshme. Autorët shpiknin shkronja për librat e tyre. Ka pasur alfabete me më shumë ose më pak shkronja se sa i ka alfabeti i sotëm i gjuhës shqipe. Dijetarët hartuan alfabete me qëllim që fjalët të shkruheshin në kartë dhe të mundësonin ruajtjen e kujtesës. Ata e dinin se popujt shkonin drejt zhdukjes kur i humbnin kodet identitare, kur humbnin kujtesën, kur shkëputnin lidhjet me të kaluarën – pra me kulturën e tyre.

E dimë, gjithashtu, se shkrimi i gjuhës shqipe u përcoll me shumë flijime. Për shkak të shkronjave u vranë mendimtarë shqiptarë nga kundërshtarët e shkrimit shqip. Sakrificat dëshmojnë se të arriturat e tanishme janë produkt i përpjekjeve të së kaluarës. Gjithçka qe proces dhe jo rastësi.

Të nxitur nga ideja për alfabet unik, mendimtarët shqiptarë e organizuan Kongresin e Manastirit, ndër më të rëndësishmit në historinë e shqiptarëve. Pjesëmarrësit në Kongres, me vendimin për përdorimin e shkronjave latine, e përkrahën idenë e rilindësve shqiptarë për të qenë pjesë e kulturës dhe mendësisë europiane.

Kongresi i Parë i Përgjithshëm u thirr nga shoqëria “Bashkimi”. I përndrituri Mid’hat Frashëri e quajti ditën e fillimit të Kongresit si “një ditë e pëlqyerë për istorinë tonë”. Sipas tij pa alfabetin “nuk do mundim të arrijmë qëllimet tona të larta për mbrodhësi të gjuhësë”.

Në Kongres ishte tejet ekuilibrues roli i Fishtës. Ai kërkonte bashkim dhe jo ndarje. Ndonëse i dërguar prej shoqërisë “Bashkimi”, nuk kishte ardhur në Manastir për të mbrojtur alfabetin e kësaj shoqërie, por “për të gjeturë një mënyrë që të bashkohemi të tërë.”

Alfabeti unik, më vonë, hapi rrugën për shqyrtimin e problemeve drejtshkrimore e letrare. Në Manastir u hap më pas edhe shtypshkronja ku filluan të shtypeshin libra e gazeta…

Historia shqiptare njeh mallkimin e shkronjave shqipe. Njeh ndalimin dhe mbylljen e shkollave shqipe. Njeh kundërshtimin e alfabetit latin. Njeh edhe pengesa të tjera. Përkundër vështirësive shqiptarët arritën që të kishin alfabetin e unifikuar – duke bërë kështu njërin prej hapave më të rëndësishëm në itinerarin e tyre historik. Nëpërmjet 36 shkronjave hapën mundësi të reja shtrirjeje, shumëfishimi e receptimi jo vetëm të librave të letërsisë dhe historisë kombëtare, por edhe të letërsisë së përgjithshme. Alfabeti evitoi vështirësitë e leximit të shkrimit shqip, si pasojë e përdorimit të disa alfabeteve, të përdorura në hapësira të ndryshme në gjeografinë shqiptare.

Pas 1908, me këtë alfabet, janë shkruar dokumente jetike për shqiptarët: dokumente pavarësie, libra e revista. Janë shkruar kryevepra të shkencës, artit dhe letërsisë kombëtare. Janë përkthyer kryevepra të shkencës, artit dhe letërsisë botërore. Janë receptuar të arriturat më të mëdha të mendjes dhe shpirtit njerëzor. Për këtë shkak edhe respekti ynë deri në përkulje për mendimtarët e urtë, të cilët, në motin e largët 1908, në Manastir, bënë zgjedhjen më të duhur, duke na dhuruar një alfabet funksional dhe pragmatik. Nëpërmjet këtij alfabeti kemi mundësinë të lexojmë, pa vështirësi, çdo libër në gjuhën shqipe, pavarësisht ku botohet.

Kongresi ishte në funksion të librit, që mundëson ruajtjen e të arriturave njerëzore; ruajtjen e përvojës së gjithmbarshme shekullore të njerëzimit; ruajtjen e kujtesës dhe imagjinatës e njeriut. Është pikërisht libri që sot na duhet më shumë se gjithçka, kurse ai nuk imagjinohet pa alfabetin – si shpikjen më të madhe të mendjes njerëzore.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button