PËRMENDORET!

U kthye nga kryeqyteti në fshat me ndjenja të përziera. Kishte parë shumë ndryshime atje, por edhe gjëra që s’e bënë për vete. Mirë e keq. Shkëlqim po, por edhe paradokse. U shtri në kauç dhe po shikonte gështenjën nga dritarja e tij në ndërtesën e vjetër në katin e dytë. Një plim harabelash zbriti  te dega që zgjatej kah dritarja. I pëlqente t’i dëgjojë harabelat, mirëpo në atë çast – telefoni. U ngrit, e mori receptorin dhe u përgjigj:

“Po, po u ktheva… Me që të flas nga telefoni i shtëpisë, domethënë në shtëpi jam”! tha me ton pak të ngritur. E mbylli telefonin pa e dëgjuar të shoqen që i tha: “Më dukesh pak i hidhëruar”. Përsëri u shtri duke folur: “Po ku mund ta thyej qafën unë”?!…Pastaj mbi tavolinën e vogël të dhomës së ditës e pa një gazetë në të cilën me germa të mëdha në titull shkruante: KRIZA EKONOMIKE… Shkronjat tjera ishin përfund gazetës së paluar. E zgjati dorën dhe e mori gazetën. Sa e mori në dorë, e pa se titulli në fjalë ishte një nga polemikat tashmë të lodhshme të pozitës e opozitës për temën e shpenzuar – KUSH KA BËRË KEQPËRDORIME?… Megjithatë i hodhi një sy. Opozita e akuzonte pozitën për keqpërdorime që paska bërë  pozita gjatë ngritjes së përmendoreve të shumta. Aq të papunë kishte, sa që dukej krejt absurde ideja e ngritjes së përmendoreve. Jo që kishte qenë indiferent për këto përmendore ndonjëherë, por kur flitej për to ai i ikte bisedës. Kishte frikë nga vetvetja. Mos të shpërthejë.  Sot  ishte mbushur kur kishte parë aq shumë përmendore.  Sot nuk mundte t’u ikë mendimeve që shpërthyen pasi i pa gjithë ato përmendore. Sot nuk mundte as t’i shtypë ato në shtresat e thella të vetëdijes.  Vetë i pesti ishte në familje, gruaja dhe tre fëmijë… Po edhe ndjenja kombëtare… Madje kjo edhe më shumë… Në fund mendimet iu shndërruan në ankth. E ndjeu se si djersa ia kishte lagur këmishën. Shikoi kah druri, kah harabelat, deshi të largohet nga këto mendime, por nuk mundte. I dukej se të gjitha përmendoret i kishin drejtuar armët e tyre kah ai. Nuk dinte si t’i neutralizojë këto mendime që po e shëtisnin nëpër këtë situatë të rëndë.

I shtrëngoi duart, mori frymë thellë dhe, edhe një herë, u mundua t’i largojë mendimet e përcjella me emocione. Përmendoret!… tha qetas. Si në shirit filmi i renditeshin të gjitha përmendoret që kishte parë në kryeqytet.  Pastaj iu kujtua edhe fshati i tij. Edhe aty kishin bërë një përmendore. Natyrisht me vetkontribut. Një shtatore e bërë keq e një heroi, një shtatore që nuk i bën nder askujt, një shtatore që nuk simbolizon gjë prej gjëje, një përmendore që s’ka fuqi të lërë kurrfarë gjurme! Ajo nuk paraqet madje as një falënderim për ata që e kanë dhënë jetën për ideal. Edhe të tillë njerëzit nuk e lënë rehat. Ia kanë thyer njërën dorë. “Ç’më hyn në punë mua kjo punë”? tha vet me vete i thyer. Kot. Këto mendime e mbanin peng.
Pastaj e njohu trokitjen e gruas, e cila nuk priti që ai t’i thotë hyr!

A u lodhe?  pyeti gruaja.

Pak,  i tha ai me gjysmë zëri.

Pse dukesh kështu i mërzitur? Mos ka ndodhur diçka?

Jo.

Atëherë?

Isha në kryeqytet, e di.

E di, po çka?

Me qindra përmendore të reja kam parë.

I ke parë, në rregull. I shohim edhe në TV.

Jo po…

A për këtë mërzitesh, a?

Ta pimë një kafe? e pyeti ai gruan. Dhe, derisa gruaja e bënte kafenë atë e vërshoi rrjedha e mendimeve që njëri e nxirrte tjetrin dhe e hidhte në shiritin lëvizës të emocioneve. Përmendore nuk janë vetëm shtatoret e bustet, por edhe objektet e ndryshme të ndërtuara në kohë të ndryshme në të kaluarën, përmendore është edhe gjuha jonë, përmendore është edhe folklori, janë edhe toponimet, antroponimet…  mendoi. Pastaj, i kaluan nëpër mend të gjitha objektet fetare nga të cilat njerëzit tonë kishin hequr dorë. Kisha, xhami, teqe tashmë o ishin tëhuajtur  e tjetërsuar o ishin shembur, toponimet për njëqind vjet ishin harruar, kurse tash po treteshin ngadalë edhe mikrotoponimet, folklori ishte vjelë fare pak, antroponimet – aspak. Iu kujtua si rrinë indiferentë njerëzit e politikës kur duhet të ngrihet një bust, një shtatore, kur duhet të sigurojnë mjete për mbrojtjen e trashëgimisë gjuhësore e kulturore. “Unë nuk mund të jem kështu si politikanët… Të kënaqem me një karikaturizim të një heroi të madh”, mendoi. U drodh. Po nuk deshi t’i thotë gjë gruas, sepse ajo kishte halle të tjera: sigurimin e ekzistencës për tre fëmijët.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button