Blushi, fenomen i Panairit, 5 mijë kopje në 5 ditë

“Kandidati” i Ben Blushit ka qenë një fenomen i Panairit të Librit 2015, që u mbyll mbrëmë në Pallatin e Kongreseve. Ditën e diel shitjet kanë kapur shifrën e 5 mijë kopjeve. Edhe “Tre Divorcet e Z.Viktor N.” i Rudolf Markut, ka shitur 1 mijë kopjet e para në vetëm tri ditë. Gati tirazhi i dytë.

Politika ka aftësinë të tërheqë vëmendjen, edhe kur bëhet fjalë për një panair libri. Aq më tepër kur shkrimtari në këtë rast ka veshur kostumin e politikanit prej vitesh dhe ka shkruar një libër sarkastik mbi zgjedhjet parlamentare.

“Kandidati” i Ben Blushit ka qenë një fenomen i Panairit të Librit 2015, që u mbyll mbrëmë në Pallatin e Kongreseve. Deri dje në mesditë, UET-Press numëronte rreth 4 mijë kopje të shitura vetëm gjatë ditëve të Panairit, por që në darkë kjo shifër e kaloi 5 mijë kopje pas ardhjes së Blushit në stendë për të nënshkruar autografe.

Në 5 ditët e këtij panairi Blushi për më shumë se 2-3 orë në ditë, kryesisht në orët e mbrëmjes kur dhe dyndja në panair është më e madhe, ka firmosur autografe për lexuesit e tij, që me siguri do i jenë dukur më shumë sesa votuesit që takon gjatë fushatave elektorale.

Radhët e gjata pranë UET-Press për të blerë “Kandidatin” jo vetëm nuk u ulën në ditët e fundit të Panairit, por debati mediatik mbi librin dhe ndoshta një fjalim politik në parlament që korri sukses mediatik e ktheu Blushin në ‘yllin’ e këtij Panairi.

Në mënyrë krejt të natyrshme lexuesit janë tërhequr nga historia e Kadim Sedinit, që zgjidhet kryetar bashkie pas vdekjes, një libër i shkruar për 10 ditë, që mediat e kanë cilësuar një sarkazëm ndaj Rilindjes dhe kandidatëve të saj në zgjedhjet e fundit parlamentare, kanë blerë dhe librat e mëparshëm të Blushit, si “Otello”, “Shqipëria”, “Të jetosh në ishull”.

Drejtorja e UET-Press, Valbona Nathanaili thotë se ishte pak e papritur kjo dyndje kaq e madhe njerëzish për librin, pasi “Kandidati” kishte disa javë që kishte dalë në treg dhe ishte shitur ndërkohë në mijëra kopje.

Por mesa duket, mijëra lexues të tjerë që nuk e kishin blerë më parë kishin pritur panairin për ta pasur këtë libër në dorë. Një nxitje e madhe për lexuesin duket se ka qenë debati i madh mediatik që u bë mbi këtë libër dhe personazhet e tij, duke aluduar për emra të vërtetë të njerëzve publikë apo për historikë.

Ndërsa vetë autori është shprehur se firmosja e autografeve apo takimi me lexuesit në panair në këto 5 ditë i kanë dhënë shumë kënaqësi, pasi kjo të jep mundësi të njihesh me njerëz të ndryshëm.

“Është kënaqësi e madhe sepse është në të vetmet raste kur nuk takon njerëz që vijnë aty për të të sharë apo për interes. Pra, ata vijnë të gjithë me kënaqësi dhe kjo për mua është një mundësi e madhe për të njohur jo vetëm çfarë lexuesish ka në Shqipëri, por dhe për të kuptuar se çfarë po ndodh sot me këtë shoqëri.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button