Kanada, i vihet zjarri xhamisë në Toronto

Policia kanadeze njoftoi se sulmues të panjohur i vunë zjarrin një xhamie në Toronto dhe se me atë rast është shkaktuar dëm i madh material në objektin fetar, raporton Anadolu Agency (AA).

Zjarri ka ndodhur në xhaminë Masjid Al Salaam në rajonin Peterborough-Kawartha natën mes të shtunës dhe të dielës, ndërsa pas hetimeve të inspektorëve kompetentë është vërtetuar se bëhet fjalë për zjarrvënie.

Kryetari i Shoqatës së myslimanëve në Kawartha, Kenzu Abdella tha se zjarri ka shkaktuar dëme materiale në vlerë prej 80 mijë dollarëve kanadezë.

Abdella tha se xhamia është ndërtuar në vitin 1994 dhe më parë ka qenë e sulmuar vetëm një herë, pas sulmeve terroriste në Nju Jork më 11 shtator 2001.

“Komuniteti ynë mysliman është duke punuar ngushtë me të gjitha autoritetet lokale dhe sektorin joqeveritar. Ne nuk kemi asnjë problem me askënd në rajon, por përkundrazi, me të gjithë kemi marrëdhënie të shkëlqyera. Kjo është xhamia e vetme në këtë vend. Ky është thjesht një sulm i urrejtjes”, tha Abdella.

Abdella shtoi se katolikët kanadezë në meshat e djeshme në kisha mblodhën 1.440 dollarë kanadezë dhe i dhuruan ato për rindërtimin e xhamisë së djegur.

Ministrja kanadeze për Institucione Demokratike, Maryam Moncef dënoi sulmin duke thënë se kjo është një mundësi që të gjithë kanadezët të tregojnë unitet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button