KAOSI I RI BOTËROR

Sintagma e mësipërme që në fjalorët e ndryshëm të politikës dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare njihet si çrregullimi i ri botëror (new world disorder), nënkupton të kundërtën e rendit të ri global.  Ëshë një gjendje që sipas Robert Kaganit nënkupton refuzimin e  “paqes së përhershme”, që shënjon përpjekjet për zgjidhjen e problemeve në nivel botëror përmes forcës; gjendje ku bota ndahet në miq dhe armiq, ku lufta është përcaktuese e marrëdhënieve ndërfisnore, ndëretnike, ndërfetare, ndërkombëtare, Këtë gjendje, të cilën Richard Falk e quan “fashizëm global”, në mënyrë mjaft interesante e përshkruan Gilbert Achcar, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare, në veprën e tij  Konflikti mes barbarëve: 11 Shtatori dhe çregullimi i ri botëror (2002). Për të njëjtën temë ka shkruar edhe Benedict Andersoni, qysh në vitin 1992 në New Left Review (I/193). J. Carroll thotë se ky çrregullim po përhapet anekënd botës. Është status i globalizimit të problemeve, kur bota shkon drejt humnerës, kur po shndërrohet në një gropë të paligj.

Viteve të fundit sikur e vërtetojnë tezën për kaosin global: Lindja e Mesme po digjet, gjaku rrjedh e derdhet rrëke, jeta e njeriut është shndërruar në një gjë thuajse të pavlerë, qytete të ruinuara që të kujtojnë filmat rreth apokalipsës. Bagdadi, Halepi, Damasku… Ndodhitë e fundit, nga Ankaraja, Bejruti në Parisin e ditës së premte janë tregues të vërtetë të deliriumit në të cilin ka hyrë njerëzimi, gjendje kur tmerrimi, terror(i)zimi është shndërruar në ankth në çdo cep të botës. Pyetja më natyrale që shtrohet është kjo: Si u arrit në këtë gjendje kur s’ka më siguri askund, kur gjithkund keni gjasa të fluturoni në ajër ndonëse nuk keni shkelur as një mizë? Para do viteve Annan pohoi se bota në shekullin XXI ka hyrë përmes një dere të zjarrtë. Dhe vërtet ky zjarr po përhapet me një shpejtësi marramendëse. Kush ishin ata teoricienë që donin t’i ndeshnin kulturat dhe civilizimet? Me gjasë skica e tyre politologjike po realizohet. Karta në të cilën u luajt, shumë e rrezikshme. Së pari fjalët e mëdha dhe më pas kalvari i Lindjes së Mesme dhe tani tmerri planetar. Nëse nuk shfaqen mendje të kulluara që do t’i thonë ndal këtij ritmi të zhvillimit të ndodhive, masterrorizmit nuk i duket fundi… Terrori do të shndërrohet në përditshmëri, anija jonë gjithënjerëzore do të fundoset, sepse nga njëra anë është pjesa e arsyeshme e njerëzit-pasive, nga ana tjetër ata që ushqehen nga urrejtja, ata që i fryejnë zjarrit, që kërkojnë kurbanë, që e kanë humbur sensin e mëshirës, të respektit ndaj qenies njerëzore, që kanë harruar dashurinë për krijesën për hir të Krijuesit, që interpretimet i nxjerrin nga emocionet dhe jo nga zemra dhe nga mendja e kulluar, që librin hyjnor dhe logosin e kuptojnë si duan vetë e jo në bazë të inteligjencës religjioze-hiperaktivë.

Sot të gjithë jemi në gjendje të shokut, të rënë përtoke. Frikë të hapësh internetin apo TV-në. Tani edhe hijëzimi i krimit në media është bërë i pakuptimtë sepse kokat e prera, ekzekutimet, kufomat janë bërë pamje ordinere. Kohë absurdi, kohë marrie. Modernitet, modernizëm, progres, ardhmëri e ndritur… Përralla. Si ka mundësi që jo vetëm njeriu i lindur në Lindje por edhe perëndimori është infektuar nga urrejtja, nga dëshira për të vrarë. I kultivuar në metropolë evropiane, por ama me animozitet, me gatishmëri “për t’u sakrifikuar”. Si ka mundësi që bota me vite të tolerojë terrorin kontinual në Irak e Siri, në Myanmar e Afrikë? Ku është sedra dhe ndërgjegjja e të mëdhenjve të botës, të organizatave kyçe ndërkombëtare, të liderëve të samiteve? Mjaft më këngë për “sheshe të vdekjes”, “shqiponja të vdekjes”… Mallkojmë terrorin! Mallkojmë dyfytyrësinë! Lutemi për paqe! Për të gjithë bijt e Ademit! Për të gjitha krijesat! Kjo është bota jonë. Tjetër s’kemi.

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

 

Lajme të ngjashme

Komentet

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button