ANALIZË: Kriza politike do t’i shtrenjtojë kreditë dhe do t’i shkrijë investimet!

Statistikisht, rezultate pozitive ekonomike për një vit me krizë politike. Guvernatori Dimitar Bogov, i zvogëloi pritjet për rritjen ekonomike prej 4,1% në 3,2%, mirëpo në pako me prognozat e reja, ai i paralajmëroi bankierët që të jenë më të kujdesshëm gjatë miratimit të kredive konsumatore. A do të shtrenjtohen këto kredi mbetet të shihet, mirëpo sipas analistëve do të shtrenjtohen kreditë që do të dojë t’i marrë shteti nga jashtë. Arsyeja në të dy rastet gjendet në krizën politike dhe pasojat e saj, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb-it. 

Paqartësi e madhe: përqindje të vogla të rritjes ekonomike, borxhe më të mëdha...

Shtylla kryesore në të cilën mbështeten politikat qeveritare është duke lëshuar. Në pako me prognozat e publikuara për rritjen ekonomike për këtë vit, Banka Popullore i publikoi edhe pritjet për rënien e investimeve dhe të eksportit. Në fakt, sipas matjeve më të reja, prognoza për rritjen e investimeve prej 2,7 për qind u zvogëlua në 0,7 për qind. Zvogëlimi i investimeve u konfirmua edhe me të dhënat për tremujorin e dytë, ku u konstatua se ato u zvogëluan në vetëm 2% të PBB-së.

“Faktor dominant për zvogëlimin e prognozave për rritjen ekonomike është kriza politike, e cila, para së gjithash, ka efekt mbi pritjet e subjekteve ekonomike. Vetë pritjet se gjendeni në një mjedis të pasigurt ndikon që të mos merren vendime për investime të reja dhe të mos realizohen projekte të reja dhe të ketë përmbajtje gjatë shpenzimeve. Nga ana tjetër, FMN-ja, Banka Botërore dhe institucionet e tjera ndërkombëtare konfirmojnë se investimet janë rritur dhe se papunësia është zvogëluar, mirëpo ka përkeqësim të konsiderueshëm të pozitave fiskale në krahasim me vendet e tjera sa i përket asaj që thuhet se është rezultat pozitiv. Domethënë, duhet pasur kujdes që të mos tejkalohet kufiri prej 50% të borxhit publik si përqindje e PBB-së”, thotë profesori Borçe Trenevski.

Gjatë periudhës së kaluar u promovuan disa investime të huaja, në mesin e të cilave edhe një fabrikë e re e Xhonson Kontrolls në zonën ekonomike në Strumicë dhe hyrja e një kompanie për TI nga Bullgaria me paralajmërim se do të investojë 20 milionë euro. Mirëpo, edhe përkundër promovimeve të këtilla, sipas një pjese të ekonomistëve, në kushte të paqartësisë së thellë për shkak të krizës politike, abstenojnë jo vetëm investitorët e huaj, por edhe ata vendorë.

“Maqedonia këtë vit kaloi nëpër një krizë të thellë politike, pas asaj të vitit 2001, që gjithsesi reflektohet mbi ekonominë e vendit. Veçanërisht në këtë pjesë, që nga maji i këtij viti, e edhe më parë, Oda ekonomike alarmonte te faktorët politikë në vend që të reagojnë me shpejtësi, t’i zbusin qëndrimet e tyre dhe t’u japin fund mospajtimeve politike për të mirën dhe mirëqenien ekonomike të secilit prej nesh. Maqedonia, si vend që ka aspirata për të hyrë në familjen evropiane, me këto përqindje të ulëta të rritjes ekonomike, me borxh publik alarmant për ekonomi të vogla si kjo e jona, me investime selektive, si duket është larg aspiratave të dëshiruara ekonomike” – thonë nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore.

Në bazë të të gjitha analizave të bëra, guvernatori Dimitar Bogoev njoftoi se BPRM-ja e zvogëloi projektimin për rritjen ekonomike prej 4,1% në 3,2% , mirëpo i paralajmëroi edhe bankat se ka mundësi të ndërmerren masa që mund të ndikojnë në miratimin e kredive konsumatore për qytetarët. Paralajmërimi për kujdesin e shtuar vjen në kohë kur rritet saldoja e kredive problematike që nuk mund të paguhen në kohë për shkak të gjendjes së përkeqësuar financiare të popullsisë.

“Masat potenciale që janë shqyrtuar nga Banka Popullore, dhe të cilat para dy javësh u janë dorëzuar bankave si iniciativë, nuk kanë të bëjnë me rritjen e përqindjes së kamatave të kredive konsumatore dhe shtrenjtimin e tyre, por rritjen e tyre ta sjellim në një nivel normal. Gjegjësisht, kreditë konsumatore t’i marrin ata që kanë mundësi t’i kthejnë”, deklaroi guvernatori Bogov.

A do të shtrenjtohen kreditë konsumatore, të cilat janë më atraktive për qytetarët, do të kuptohet së shpejti, mirëpo sipas ekonomistëve është e qartë se si rezultat i krizës politike do të shtrenjtohen kreditë e ardhshme që qeveria do të dojë t’i marrë nga jashtë.

“Kjo krizë politike e cila na ndodh dhe që është faktori kryesor për zvogëlimin e projektimeve për PBB-në, poashtu do të ndikojë në potencialin tonë për marrjen e huave jashtë vendit, gjegjësisht kur do të ketë marrje të huasë jashtë vendit, duhet ta dijmë se do të llogaritet edhe efekti në përqindjen e kamatës në bazë të së cilës është marrë kredia. Kur do t’i shihni raportet e FMN-së, të Bankës Botërore dhe të të gjitha institucioneve relevante ndërkombëtare, kriza politike është faktor kyç që do të ndikojë mbi ekonominë” – thotë profesori Trenevski.

Në dhjetë vitet e fundit, përqindje më e lartë të rritjes ekonomike prej 6,5% është shënuar në vitin 2007, pas saj vjen viti 2008 me rritje të PBB-së prej 5,5%. Mirëpo, menjëherë pas kësaj, si reflektim i krizë globale financiare, kur kishte edhe goditje të madhe të recesionit – në vitin 2009, ekonomia ishte në minus me 0,4%. Gjatë dekadës së kaluar, është shënuar edhe një vit me recesion, gjegjësisht viti 2012, kur kishte rënie të ekonomisë prej 0,5%.

Përqindje pozitive të rritjes ekonomike priten edhe në vitin 2016. Mirëpo, ekonomistët thonë se rreziqet nga kriza politike mbeten, duke pasur parasysh se Maqedoninë e pret edhe një vit zgjedhor, i cili do të shoqërohet me zhvendosje të thella politike, me ç’rast do të testohet kapaciteti demokratik i vendit, nga i cili do të varen edhe lëvizjet ekonomike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button