Ndahen çmimet e edicionit të 18 të Panairit të Librit në Tiranë

Parid Teferiçi është vlerësuar si autori më i mirë i vitit 2015 në edicionin e 18 të Panairit të Librit, për vëllimin me poezi “Largësi ideale”. Çmimi ndaj Teferiçit është edhe një çmim për gjininë e poezisë, pak e përfolur këto vite.

“Për prurje të qenësishme të një ligjërimi modern, me një strukturë dinamike e poetike, me pikëprerje origjinale edhe në artet e tjera”, thuhej në motivacionin e jurisë për këtë çmim.

Çmimi për përkthimin më të mirë i ka shkuar shkrimtares Mira Meksi për shqipërimin e romanit “Identiteti” me autor Milan Kunderën, me motivacionin “Për një shqipërim të pasur, me rrjedhësi leksikore, për një gjuhë intelektuale që ndjek elegancën e Kunderës, thellësinë, natyrshmërinë e tij dhe stilin delikat”.

Çmimi për letërsinë për fëmijë i ka shkuar autorit Shkëlzen Zalli për librin “Kurora me banane”, me motivacionin “Për fabulat e gjetura dhe interesante, ku shkrihet loja e thjeshtë me mendimin, për vargjet melodike dhe ritmike, si edhe për fjalën e bukur që nxit përfytyrime të drejta te lexuesi kudo në botë”.

Çmimi “Fan Noli” ka shkuar për përkthyesin Shpëtim Çuçka (çmimi u dha nga UET dhe Shoqata e Botuesve) me motivacionin “Për një punë dhjetëra vjeçare, plot pasion e seriozitet të rrallë profesional, për talentin e veçantë për prurjen në një shqipe të pasur të shumë autorëve dhe veprave nga gjuhë klasike e moderne.”

Autorët dhe librat për këto çmime u vlerësuan nga një juri e përbërë prej Diana Kastratit, Lili Sulës, Gëzim Qëndros, Behar Gjokës dhe Alfred Lelës.

Gjinitë e përzgjedhura për këto çmime ishin më prozë, poezi, ese, përkthim dhe letërsi për fëmijë. Sipas organizatorëve, janë shqyrtuar dhe analizuar 34 libra që i përkasin prodhimit letrar me autor shqiptarë në prozë, 7 poezi, 11 eseistikë dhe 38 përkthime e shqipërime. Në gjysmëfinale u kualifikuan 52 tituj dhe në finale 28 tituj librash.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button