Reagimet: Si u tërhoq Rama nga burgu për gazetarët

Kryeministri e quajti “shteg për keqkuptim të madh” draftin që rikthente kriminalizimin e shpifjes duke theksuar se ai nuk do prekte shtypin, por vetëm zyrtarët e lartë dhe të zgjedhurit. Bylykbashi: Ligji shuan opozitarizmin. Reagimet detyruan qeverinë të tërhiqte draftin 

Reagimi i fortë i medias, gazetarëve duket se e ka “shtrënguar” qeverinë të tërheqë për rishqyrtim projektligjin që kriminalizonte shpifjen ndaj zyrtarëve të lartë dhe e përfshinte atë te lista e krimeve kundër shtetit. Kryeministri Edi Rama në një postim në Facebook kërkoi ndjesë për atë që ai e quajti: “shteg për një keqkuptim të madh”, duke thënë se projekti që bënte shpifjen vepër penale e të cilin ai e kishte përmendur edhe më herët do prekte vetëm zyrtarët e lartë dhe të zgjedhurit dhe jo median. “Asnjë lidhje me shtypin kriminalizimi i shpifjes! Jo, shpifja duhet të jetë vepër penale për çdo politikan që paguhet me taksat e popullit!”, shkroi Rama në rrjetin social në Facebook.

Por nga ana tjetër deputeti i PD-së Oerd Bylykbashi tha se edhe nëse përjashtohej media ligji ishte një cënim i rëndë i lirisë së fjalës. Ai madje vuri në dukje se kriminalizimi i shpifjes dhe miratimi më tej i ligjit për dekriminalizimin e politikës do të sillte humbje mandatesh për deputetët e opozitës edhe nëse dënoheshin më gjobë duke përmendur rastet e Edi Palokës dhe Arben Ristanit. “Nëse zoti Rama do të kalojë në Parlament këtë ligj dhe shumë shpejt dhe ligji për dekriminalizimin, mjafton që një deputet i opozitës të dënohet me një gjobë të thjesht, po për krim, se ka sharë lartmadhërinë ai humbet mandatin menjëherë. Çdo gjë, opozitarizmi do të shuhet për shkak se Edi Rama do ta kthejë këtë në një krim. Unë nuk besoj se ky është interesi i shqiptarëve”, tha Bylykbashi. Ministrja e marëdhënieve me parlamentin Ermonela Felaj, deklaroi ndërkohë se projektligji ishte tërhequr dhe se do të rishqyrtohej. Ndërsa Ermonela Felaj, ministre Shteti për Marrëdhëniet me Parlamentin, siguroi se ky projetkligj do të ndryshojë për të sheshuar çdo keqkuptim që sipas saj ka ardhur nga keqformulimi. “Në asnjë moment nuk ka qenë asnjëherë qëllim i këtij neni që të penalizohen gazetarët dhe aq më keq njerëzit e zakonshëm. Qëllimi i këtij neni ka qenë që të vendosë një marrëdhënie të re me të vërtetën, si një detyrim për të gjithë funksionarët dhe të zgjedhurit në nivel qendror dhe vendor”, ka thënë Felaj. Ndërkohë ashtu si Rama, aleati kryesor në qeveri dhe kreu i kuvendit Ilir Meta theksoi se “ka një keqkuptim midis qëllimit të kësaj iniciative dhe të mënyrës se si ka funksionuar formulimi, kështu besoj se ky keqkuptim do të zgjidhet, do të ketë një reflektim”.

Por projekti është parë si kërcënim për demokracinë dhe si një kthim pas në një kohë kur sipas kritikëve të tij Shqipëria ka në fuqi ligje civile që dënojnë shpifjen. Pjesa më e madhe e kundërshtarëve të ligjit e bazuan kritikën e tyre në akuzën për sistemin e drejtësisë duke vënë në dukje se ky i fundit do të dënonte kritikët e zyrtarëve të lartë pavarësisht nëse akuzat ndaj tyre ishin të argumentuara.

Projektligji u zbulua dy ditë më parë dhe po ashtu u mësua se ai nuk kishte kaluar normalisht për debat në opinionin publik edhe pse më herët kryeministri ishte shprehur publikisht në favor të rikthimit të tij. Ai po ashtu parashkikonte dënim deri në 3 vjet burg për ata që gjendej përgjegjës për shpifje. Shoqata të gazetarëve dhe BIRN Albania hapën një peticion që dënon kthimin e ligjit duke vënë në dukje se vendi vuan nga mungesa e lirisë dhe jo nga tepria e saj.

Reagimi i OSBE dhe Këshillit të Europës: Mos kriminalizoni shpifjen

Projektligji për shpifjen ndaj figurave publike solli edhe reagimin e menjëhershëm të përfaqësueses së OSBE-së për Lirinë e Medias, Dunja Mijatoviç. Zyrtarja e OSBE-së, u bëri thirrje ligjbërësve shqiptarë, që ta hedhin poshtë propozimin. “Institucionet dhe zyrtarët publikë nuk duhet të gëzojnë mbrojtje shtesë ndaj deklaratave kritike. Përkundrazi, ata duhet të tolerojnë në një shkallë më të gjerë kritikat, sesa qytetarët e thjeshtë. Sanksionet penale për shpifje janë të ekzagjeruara dhe të pazbatueshme në mënyrë të drejtë, ndaj dhe duhet të zëvendësohen nga ndryshime ligjore efikase, civile ose administrative”, tha Mijatoviç. Përfaqësuesja e OSBE-së ka pasur një komunikim me ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, teksa ky i fundit e ka siguruar se drafti nuk do të kriminalizojë shpifjen. Një gjë e tillë, nga Dunja Mijatoviç është cilësuar si një lajm i mirë që vjen nga Shqipëria, gjë të cilën përfaqësuesja e OSBE-së, në një tjetër postim në Tëitter e komentoi me këto fjalë: “Si gjithnjë është kënaqësi komunikimi me ministrin e Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, i cili më siguroi se drafti në fjalë nuk do ta kriminalizojë shpifjen. Lajm i mirë nga Shqipëria!”. Propozimi i Këshillit të Ministrave parashikonte masa ndëshkimore me gjobë dhe burgim deri në 3 vite për “shpifjet ndaj funksionarëve të lartë shtetërorë apo të zgjedhur”.

Në 2012-n, autoritetet në Shqipëri vendosën të heqin dënimin me burg për veprën e shpifjes, një vendim që u mirëprit nga përfaqësuesja e OSBE-së në Tiranë. Në lidhje me projektamendamentin e Kodit Penal për shpifjen ndaj zyrtarëve të lartë u shpreh tërësisht kundër edhe Andrej Hunko. Raportuesi për Shqipërinë në Këshillin e Europës tha se, ishte thellësisht i shqetësuar rreth propozimit për kriminalizimin e shpifjes. Sipas tij, vetëm një vit më parë, Kuvendi e mirëpriti heqjen e dënimeve me burg për ofendim dhe shpifje. Këto, sipas raportuesit Hunko, janë tërësisht kundër këtyre rekomandimeve. Edhe raportuesi i bëri thirrje Parlamentit shqiptar, që të mos e miratonte propozimin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button