Maqedonia thellon borxhin publik

Maqedonia deri në fund të këtij viti do të marrë borxh të ri prej 500 milion eurosh, i cili do të duhet të kthehet brenda dhjetë viteve të arrdhshme, njofton REL.

Në vendimin e Ministrisë së Financave të qeverisë maqedonase, theksohet se euro-obligacioni prej gjysmë miliardi eurosh do të përdoret për mbështetjen e buxhetit të vitit 2015 dhe atë të vitit 2016, si dhe për ri-financimin e obligimeve për pagesën e borxhit shtetëror.

Ekspertët e ekonomisë në Maqedoni konsiderojnë se marrja e borxhit në vlerë pre gjysmë miliardi euro, në formë të euro-obligacioneve, do të ngufasë edhe më shumë ekonominë e vendit, me rritjen e borxhit publik.

Alaudin Zeqiri, ekspert i ekonomisë thotë se marrja e borxhit në fjalë nuk ka të bëjë me politikat zhvilimore, por me mbulimin e deficitit buxhetor, dhe kjo sipas tij do të ketë ndikim negativ në xhepin e çdo qytetari të Maqedonisë.

“Qeveria e Maqedonisë është duke marrë hua për të mbuluar deficitin buxhetor dhe jo për të realizuar politikat zhvillimore. Huazimi në formën e euro-obligacioneve për të mbuluar deficitin buxhetor paraqet një mekanizëm tepër negativ, që nuk gjen vend në praktikat e vendeve të BE; madje kjo formë e huazimeve nuk preferohet as për vendet të cilat aspirojnë integrimin në familjen evropiane”, thotë Zeqiri, ligjërues në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin Shtetëror të Tetovës.

Nga ana tjetër, ish guvernatori i Bankës Popullore të Maqedonisë, Petar Goshev, thotë se mungesa e mjeteve të gatshme përmes investimeve të huaja bën që qeveria të detyrohet të marrë hua përmes euro-obligacioneve.

“Kriza politike, mungesa e një sistemi stabil politik, mungesa e demokracisë funksionale, tregu jo stabil, pra të gjitha këto ndikojnë që në Maqedoni të mos vijnë investitorë të huaj, dhe në mungesë të investimeve të huaja, përkatësisht mungesën e parave të gatshme ky pushtet në vazhdimësi e ka mbuluar përmes marrjes së kredive”, thotë Goshev.

Kundër marrjes së huasë përmes euro-obligacioneve është shprehur edhe partia maqedonase në opozitë, Lidhja Social Demokrate, sipas së cilës Maqedonia ka kohë që e ka kaluar kufirin e borxhit, duke ua lënë gjeneratave të rreja shumë borxhe për t’i shlyer.

Ndryshe, pa e llogaritur marrjen e huasë që planifikon ta marrë shteti maqedonas, borxhi publik i Maqedonisë është 3 miliardë e 941 milionë euro ose 43.9% nga Prodhimi Bruto Vendor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button