Vezë, rrena dhe patriotizëm

Në listën e gjatë të ekspres-patriotëve, ka shumë pak raste të njohura kur ylli heroik është shuar kaq shpejtë. Kur vetura e Kryeministrit Nikolla Gruevski u qëllua me vezë në Tiranë para fiks një viti, vështirë mund të supozohej kthesa rapide në karrierën e Taulant Capës. Me hatanë euforike të nëntorit, çdokush shitej për patriot. Thjeshtë, kështu e kërkonte tregu i çastit.  

Si të mos mjaftonin protestat e organizuara nga “Partia Civile” margjinale në Tiranë, patriotizmi duhej dëshmuar edhe me hedhjen e vezëve, si dhe deklarata të fuqishme në radhët e para të protestuesve “kundër diktatorit të shtetit sllavo-maqedonas që i terrorizon, vret dhe zhdukë shqiptarët”. 

Edhe për kriteret ballkanike, ngjarjet e këtilla janë absolutisht të rralla. Sulmi ndaj makinës së Kryeministrit Gruevski ishte në radhë të parë shuplakë për shtetin e Shqipërisë, që si pritëse është përgjegjëse për sigurinë e mysafirëve shtetërorë. Kjo u përmirësua me reagimin e menjëhershëm të autoriteteve, që natyrshëm nuk kanë tolerancë për çfarëdo veprimi që e cenon imazhin e shtetit.  

Duke e konsideruar itinerarin e vizitave të burrështetasve të huaj në Tiranë, nuk ka si të mos parashtrohet pyetja pse u sulmua pikërisht eskorta e Maqedonisë? Për shembull, ky precedent nuk ka ndodhur as gjatë vizitave të përfaqësuesve nga Serbia dhe Greqia, që rregullisht përcillen me protesta, por asnjëherë me akte të shëmtuara si ky. Andaj, vështirë besohet spontaniteti i këtij incidenti, meqë vizita shumë më të ngarkuara dhe më të ndjeshme kanë kaluar pa asnjë problem. 

Precedenti tjetër ndodhi ende pa u rrumbullakosur viti. Në një lajm të rrallë, u raportua që Kryeministri e ka falur sulmuesin, i cili paska kërkuar falje nën nxitjen e qarqeve diplomatike në Tiranë, për të ndikuar në rregullimin e marrëdhënieve dypalëshe, për të cilat nuk e kemi ditur se kanë telashe. 

Pavarësisht bizaritetit, ky rast dhe posaçërisht epilogu theksojnë disa momente tejet të rëndësishme. 

Së pari, edhe një herë na e tregon ortekun e problemeve që shkaktohet nga patriotët në tentim. Në kohë kur manipulimi me gjuhën, flamurin dhe ndjenjat kombëtare është shndërruar në biznes të mirë që sjell përfitime materiale dhe ngritje ekspres në karrierë, nuk ka kurth që vjen si befasi. 

Patriotët profesionistë që protestonin para njëzetë viteve në çadra me parulla shoviniste u kalitën shpejtë në pozita të ministrave dhe drejtorëve. Edhe ata të gjeneratave më të reja, që dirigjonin rrahje ndër-etnike nën petkun e shoqërisë civile, gjetën strehë politike dhe funksione fitimprurëse. Me këto kute, rasti i fundit dallon për arsyen e vetme se këtij i dështoi materializimi i patriotizmit. Imagjinohet lehtë se kush i frynë tensionit ndëretnik nëse personazhet e këtilla duhet t’i ulin ato.  

Më tej, shpjegimi i vezë-hedhësit për arsyet e kërkim-faljes duket shumë i njohur. Kur thuhet se kjo është iniciuar nga qarqet diplomatike në Tiranë, nuk mund të mos vërehet ngjashmëria me arsyetimet e pafund të liderëve shqiptarë që e fshehin injorancën dhe manipulimin me vargjet e arta se “kështu kërkojnë miqtë ndërkombëtarë”. Është e thjeshtë, askush nuk mund ta kontrollojë çka vërtetë bisedohet në takimet me diplomatët. Në këtë mënyrë, është gjetur fjalëkalimi që blen imunitet për të gjitha veprimet, pavarësisht sa janë të palogjikshme, gabuara ose korruptuara. 

Me gjasë, me kalimin e viteve dhe shpeshtimin e rasteve si ky i fundit, do ta nxjerrim mësimin që të mos shohim çoban të kopesë në këdo që rreh gjoks për patriotizëm. Nuk jemi më aq të papërvojë sa t’i besojmë çdonjërit që del me fjalime të zjarrta duke premtuar kthesa historike. Një prej tyre, Aleanca Kuq e Zi, dukej shumë e fuqishme me retorikë deri në ditën e zgjedhjeve, kur nuk fitoi as 1% të votave. Para se të ndëshkohet nga votuesit, kjo parti premtonte ndryshime kufijsh dhe bashkime kombëtare, duke i dhënë flatra atyre që mezi presin t’i portretizojnë shqiptarët si rrezik për Ballkanin. 

Me mbështetje minimale që as nuk shprehet në përqindje, lëvizjet dhe personazhet aventuriere si këto nuk sjellin përmirësime, por vetëm dëm. Ata përfitojnë personalisht ose në grup, duke mos çarë kokën për dëmin e shkaktuar dhe tensionet e nxitura. Mbi të gjitha, askush nuk e di kush janë pronarët dhe kush shërbëtorët, kur dhe kujt do t’i kërkojë falje, qoftë publike ose sekrete… 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button