Kërkohen Sqarime nga MPJ për Dështimin në UNESCO

Pas dështimit të anëtarësimit të  Kosovës në UNESCO, analistët kosovarë mendojnë se institucionet e vendit duhet të punojnë më seriozisht për çështje të tilla.

Afrim Hoti, drejtues i Departamentit të Shkencave Politike në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës tha se çështja e anëtarësimit të Kosovës  në UNESCO është proces shumë i komplikuar.

Ai thotë se qeveria ka qenë dashur ta dijë qysh më herët se do ta ketë vështirë ta fitojë këtë betejë.

“Përgjegjësi ka secili e sidomos Qeveria e Kosovës por nuk e shoh që kemi të bëjmë me hapa radikalë në kuptimin e ndonjë përgjegjësie të madhe. Këtu kemi të bëjmë me një përgjegjësi politike që i bie si sinjal për Qeverinë e Kosovës që të ndryshojë diskursin e deritanishëm”, tha Hoti për KALLXO.com.

Por Hoti është shprehur se këtë dështim duhet marrë si sinjal të fuqishëm për të reflektuar në kuptimin e diplomacisë dhe të marrjes në mënyrë më serioze me këto problematika.

Ndërkaq, analistja Besa Luzha tha për KALLXO.com se Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi duhet të jap sqarim për këtë.

“Nuk u përkas atyre njerëzve që menjëherë kërkojnë dorëheqje por një lloj përgjegjësie është dashur, së paku një sqarim në kuvend ose prononcim duhet ta japë Ministri i Punëve të Jashtme”, shtoi Luzha.

Ajo ndihet e zhgënjyer që disa shtete arabe kanë votuar kundër anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë.

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi pas dështimit të votimit tha se ministria të cilën ai drejton ka bërë fushatë për 10 muaj. Ai ka shtuar se qytetarët dhe miqtë e Kosovës kanë kontribuar mjaft në këtë proces.

Nga ana tjetër, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka ëkrkuar nga qeveria e Kosovës që ta pezullojë dialogun me Beogradin të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Qeveria e Kosovës duhet ose të tërhiqet nga bisedimet e mëtutjeshme me Serbinë ose duhet t’i përgjigjet në mënyrë reciproke Serbisë duke i zbatuar 100% ato marrëveshje që zbatohen 100 % edhe nga Serbia”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.

Kjo organizatë i ka bërë thirrje gjithashtu qeverisë që “ta rishqyrtojë me urgjencë strategjinë shtetërore të lobimit” e cila, sipas KMDLNJ-së, duket se ka dalë inferiore përballë Serbisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button