Selimi: Është e qartë se shumica e botës e dëshiron Kosovën në UNESCO

Në prag të votimit në Konferencën e përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), për pranimin e Kosovës në këtë organizatë, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës thonë se janë duke e vazhduar lobimin.

Petrit Selimi, zëvendësministër i Punëve të Jashtme i Qeverisë së Kosovës, i cili po qëndron në Paris, ku edhe po mbahet Konferenca e përgjithshme e UNESCO-s, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosovën, të hënë, me 9 nëntor, e pret një sfidë, me gjasa reale mjaft pozitive.

“Lobimi, për të mos e lënë Kosovën të izoluar në fushën e arsimit, shkencës dhe kulturës botërore, po vazhdon edhe sot, një ditë para votimit në Konferencën e Përgjithshme (të UNESCO-s). Është e qartë se shumica e botës e dëshiron Kosovën në UNESCO, por Kosovën e pret një prag i lartë, i dy të tretave të të gjitha votave dhe jemi duke u fokusuar që një numër sa më i madh i shteteve ta marrë vendimin e duhur dhe të lejojë që Kosova të bëhet anëtarja e 196 e UNESCO-s, në 70-vjetorin e organizatës”, thotë Selimi në prononcimin dhënë Radios Evropa e Lirë.

Por, zëvendësministri Selimi thekson se Kosova i ka gjasat tejet të mëdha dhe pozitive për t’u bërë anëtare e UNESCO-s.

“Unë e shoh dhe e ndjej, si dhe çdo ditë ne jemi dëshmitarë të një përkrahjeje shumë të madhe për Kosovën, anë e mbanë botës, por edhe anë e mbanë vetë ndërtesës së UNESCO-s. Tash duhet të fokusohemi që kjo përkrahje të ketë përfshirje sa më globale edhe të votave të vendeve, që të vendosim nesër (të hënën) në orën 11:30, në Paris”, thekson Selimi.
Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s,do t’i zhvillojë punimet deri me 18 nëntor, ndërkaq më 9 nëntor, 195 vende anëtare të kësaj organizate, do të votojnë nëse Kosova do të bëhet pjesë e UNESCO-s.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button