Kosova ka humbur miliona dollarë asistencë nga mos anëtarësimi në UNESCO

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Arsim Bajrami, në konferencën e sotme për mediat prezantuan përfitimet e arsimit dhe shkencës, nga anëtarësimi i vendit në UNESCO, raporton Anadolu Agency (AA).

Mustafa tha se Kosova është e gatshme të konkurrojë dhe jo vetëm kaq, por edhe të jetë pjesë shumë aktive e UNESCO-s. “Kosova është e gatshme, Kosova meriton dhe Kosova duhet të jetë anëtare e UNESCO-s” tha Mustafa dhe shtoi se, vendi ka çfarë ti ofrojë nga e kaluara, këtij institucioni të Kombeve të Bashkuara, sepse nevoja për arsim e shkencë, e ka mundur okupimin klasik mbi popullin.

“Dëshmi e kësaj ka qenë organizimi i popullit tonë për hapjen e shkollave, pas mbylljes së tyre nga regjimi okupues serb gjatë viteve 1990-1999. Ekspertët, profesorët, doktorët e shkencave, biznesmenët dhe personalitetet tjera që sot lobojnë për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, janë pikërisht ata që u shkolluan nëpër shtëpi të improvizuara si shkolla, gjatë okupimit”- u shpreh Mustafa.

Kreu i qeverisë kosovare përmendi fushatën e Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO duke theksuar se, “në këtë mënyrë, ish-okupatori serb nuk po mundohet të pengojë vetëm integrimin e popullsisë shqiptare por edhe të komuniteteve të tjera që jetojnë në shtetin e pavarur të Kosovës. Serbia kështu nuk po kërkon asgjë më pak se diskriminimin e qytetarëve tanë, diskriminimin e një vendi të pavarur dhe jo vetëm të shqiptarëve por edhe të serbëve, boshnjakëve, romëve, ashkalive, turqve dhe të egjiptianëve, sepse ata janë qytetarët tanë” tha Mustafa.

Kryeministri i Kosovës theksoi që, Serbia po përdor Kishën Ortodokse për të arritur qëllimet e veta kundër Kosovës, përkundër faktit se i janë dhënë të gjitha garancitë për veprime të plota dhe të lira në këtë vend. Në anën tjetër, ai përmendi se të gjitha bashkësitë e tjera fetare kanë dhënë pëlqimin dhe kanë shprehur gatishmërinë që Kosova të jetë pjesë e UNESCO-s.

Sipas tij, një prej arsyeve se pse Kosova duhet të jetë anëtare e UNESCO-s, është popullsia e re e cila është potencial i dijes dhe kulturës. “Kosova ka një popullatë të re, të etur për dije dhe për njohuri kulturore, dhe për lidhje me botën. Janë këta të rinj të talentuar, janë shkencëtarët tanë të cilët mund ti kontribuojnë dijes globale” tha kryeministri Mustafa.

Se vendi ka një popullsi të re, me më shumë se gjysmën e saj nën moshën 25 vjeçare e tha edhe Arsim Bajrami, Ministër i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës (MASHT), dhe se dhënia e prioritetit arsimit dhe shkencës janë të përfshira në strategjitë afatgjata të zhvillimit të Kosovës.

Bajrami radhiti disa përfitime që do të ketë Kosova në sferën e edukimit dhe shkencës me anëtarësimin në UNESCO ku në rrafshin praktik, në shkencë kulturë dhe arsim ky Institucion mbulon mbi 70 programe të ndryshme ku do të mund të merrte pjesë menjëherë pas vitit të parë të anëtarësimit duke filluar që nga edukimi i ulët e deri tek institucionet shkencore.

Ai shtoi se mos anëtarësimi i vendit deri më tani ka sjellë humbje të mëdha financiare; “Kosova deri më sot ka humbur mundësinë për të përfituar miliona dollarë asistencë nga korporata “Për Sfidat e Mijëvjeçarit”, i cili punon nga të dhënat e ofruara nga Instituti i Statistikave” të UNESCO-s i cili as sot nuk mbledh të dhëna në Kosovë”. Fusha të tjera në përfitime ai përmendi përmirësimin e cilësisë siç janë trajnimet e mësimdhënësve, përmirësimi i kurikulave,  përdorimi i teknologjisë dhe kërkimit shkencorë dhe akademik.

Votimi për rekomandimin e Bordit Ekzekutiv të kësaj Organizate rreth pranimit të plotë të Kosovës pritet të merret më 9 nëntor.

Nga 195 anëtarë sa ka Asambleja e Përgjithshme e UNESCO-s në favor të pranimit të Kosovës në këtë Organizatë duhet të votojnë dy të tretat (2/3) e tyre apo 130 shtete. Kosovën deri më sot e kanë njohur 111 shtete, prandaj për të siguruar pranimin e plotë duhet të sigurojë edhe votat e vendeve të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e vendit. Edhe më të vështirë situatën për Kosovën e ka bërë aksioni i fundit i Serbisë, lobimi kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, përkundër nënshkrimit të Marrëveshjeve në Bruksel ku zotohet se nuk do të pengojë anëtarësimin e Kosovës në institucione rajonale dhe ndërkombëtare, në cilëndo fushë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button