Ndryshe shkruhet propozim buxheti në shqip, ndryshe në maqedonisht (FOTO)

Propozim – buxheti i vitit 2016 ndryshe është shkruar maqedonisht dhe ndryshe është shkruar ose përkthyer në shqip. Nëse në buxhetin maqedonisht flitet për korridorin 10 dhe ndahen mjete për të, në variantin shqip, të njëjtat mjete ndahen për korridorin 8, njofton TV ERA, transmeton SHENJA.

Në pjesën zhvillimore të propozim-buxhetit, saktësisht aty ku paraqiten investimet në infrastrukturën hekurudhore, në variantin maqedonisht thuhet se është përfshirë mirëmbajtja e rregullt e infrastrukturës ekzistuese hekurudhore dhe ndërtimi i Korridorit të ri 10, ndërsa në versionin në gjuhën shqipe qëndron ndërtimi i Korridorit të ri 8.

Më tej, në propozim-buxhet sqarohet se për vitin 2016 janë paraparë të investohen mbi 35,8 milion euro; në vitin 2017 mbi 49,7 milion euro; dhe në vitin 2018, mbi 45 milion euro.

Meqë propozim buxheti është hartuar nga ministri i financave Zoran Stavrevski, ky investim sipas të gjitha gjasave shkon për korridorin 10. Pse në variantin shqip është shënuar korridori 8 në vend të korridorit 10, këtë e dinë vetëm BDI. Nëse është një gabim teknik, apo është ky një manipulim e dinë vetë ata që e kanë hartuar dhe përkthyer propozim buxhetin.

Korridori 10 kalon nëpër pjesën lindore të Maqedonisë, dhe lidh Greqinë me Serbinë. Linja Gjevgjeli-Shkup-Kumanovë veçse është e lidhur më autostradë moderne, ndërsa tani parashihet edhe investimi në lidhën hekurudhore. Ndërkohë, korridori 8 lidhë Bullgarinë me Shqipërinë, dhe kalon kryesisht nëpër viset shqiptare, duke lidhur kështu Strugën, Kërçovën, Gostivarin, Tetovën, Shkupin, Kumanovën, e deri te pikë-kalimi kufitar Deve Bair që lidh Maqedoninë me Bullgarinë.

1 2

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button