Kuvendi mblidhet pa opozitën

Kuvendi i Kosovës ka caktuar për sot seancë plenare, në të cilën pritet të shqyrtohet projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) me Bashkimin Evropian.
Kjo marrëveshje është nënshkruar javën e kaluar në Strasburg, duke shënuar edhe hapin e parë të marrëdhënieve kontraktuale me BE-në.

Kryesia e Kuvendit ka marrë vendimin për seancën e sotme pa praninë e opozitës, e cila, për gati dy muaj, po bojkoton dhe pengon punën e institucionit ligjvënës.

Partitë opozitare kanë thënë se nuk do të bllokojnë procesin e votimit për ratifikimin e MSA-së, porse vetë nuk do të marrin pjesë.

Sipas tyre, Marrëveshja për Stabilizim Asociim ka shumë të meta – pos tjerash, ajo e trajton Kosovën jo si shtet, por me fusnotë dhe pa emërtimin Republikë në të, shkruan Evropa e Lirë.

Tensionet midis pushtetit dhe opozitës janë tejet të larta qysh në muajin gusht, kur udhëheqësit e qeverisë kanë nënshkruar marrëveshjen me Serbinë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe atë me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit.

Sipas opozitës, marrëveshja e parë do ta “bosnjëzojë” Kosovën, ndërsa e dyta i jep një pjesë të territorit të Kosovës, pa ndonjë bazë, Mali të Zi.

Për gati dy muaj, mbledhjet e Kuvendit janë përcjellë me tensione, fyerje të ndërsjella dhe hedhje të gazit lotsjellës nga opozita, me qëllim bllokimin e punës.

Opozita kërkon nga kryeministri Isa Mustafa që të tërheqë nënshkrimet nga marrëveshjet me Serbinë dhe Malin e Zi. Të tri partitë opozitare: Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën kanë kërkuar nga shumica parlamentare që, përveç MSA-së, të mos diskutojë tema të tjera në seancën e sotme.

“Në një situatë të tillë, përgjegjësia do të ishte e pozitës”, ka thënë përmes një deklarate të përbashkët opozita.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button