Shkencëtarët të shqetësuar për pastërtinë e shqipes!

Profesori i njohur i gjuhësisë shqiptare Gjovalin Shkurtaj sapo ka përfunduar dhe ka gati për botim librin me titull “Urgjenca Gjuhësore”, ku veçon gabimet që bëhen sot me gjuhën shqipe.

Ai është një ndihmë e rëndësishme për botuesit dhe redaktorët e shtypit, mësuesit, zyrtarët dhe gjithë përdoruesit e shqipes në administratë dhe në publik.

“Kam futur në libër gjithë barbarizmat që nuk duhet të jenë në gjuhën shqipe, kam përfshirë në libër edhe fjalët sinonimike të shqipes për të zëvendësuar fjalët e huaja”, thotë autori.

Profesor Shkurtaj e përgatiti studimin e fundit me shqetësimin se gjuha shqipe po keqpërdoret dhe po njolloset nga autorë të pakujdesshëm në administratë, në gazetari, në politikë.

Dëmet më të rënda po i shkaktojnë fjalët dhe strukturat gramatikore, që kopjohen pa vetëdije nga gjuhët e huaja, raporton Zëri i Amerirkës.

“Shqipja është gjuhë e hapur dhe Shqipëria është e hapur, por ne jemi më imitues se ç’duhet, pa qenë nevoja. Shqipja është shumë e pasur dhe i ka vetë shumë prej fjalëve, që folësit i huazojnë nga gjuhët e huaja”, thotë prof. Shkurtaj.

Në librin e profesor Gjovalinit përdoruesit e shqipes do të gjejnë korigjimet e gabimeve gjuhësore më të shpeshta që po ndodhin vitet e fundit.

Ai thotë se vëmendje e madhe u duhet kushtuar botimeve themelore të shtetit si kushtetuta, ligjet, fletorja zyrtare, dokumenta dhe fjalimet politike.

“Botimet zyrtare janë tepër të rëndësishme dhe nuk duhet të shpëtojë asnjë gabim. Nuk kushton asgjë që botimet shtetërore të kenë redaktorë gjuhe”, thotë ai.

Profesor Gjovalini thotë se një ndikim të madh mbi gjuhën kanë politikanët me fjalimet publike, sepse ata kopjohen nga ndjekësit e tyre. Zyrtarët dhe politikanët, sipas tij, duhet të kenë një vetëdije të lartë gjuhësore, në mënyrë që ndjekësit dhe nëpunësit të kopjojnë prej tyre gjuhën e pastër shqipe.

“Ish-presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, më telefonoi një herë drejtpërdrejt nga shtypshkronja vetëm për një shkurtesë, nëse shkruhej SHBA-së apo SHBA-ve. Kjo tregon një vetëdije të lartë gjuhësore, që duhet ta kenë edhe shtetarë të tjerë. Edhe fjala më e thjeshtë në shqipe ka rëndësinë e saj. Kur politikanët e flasin mirë shqipen me fjalimet e tyre, ata përhapin gjuhën e pastër, ndërsa kur flasin shqipen me gabime dhe me fjalë të huaja, ata përhapin tek ndjekësit e tyre shqipen e rënduar me barbarizma”, thotë prof. Shkurtaj.

Tranzicioni dhe emigrimi i gjatë i shqiptarëve ka bërë që shumë prej tyre ta humbasin kujdesin ndaj gjuhës shqipe, por profesor Gjovalini përmend në këtë rast Fan Nolin dhe Faik Konicën, që shkruanin shqipen pastër dhe pa gabime.

“Emigrantët nuk kanë asnjë justifikim që përzjejnë fjalët e huaja kur flasin shqip. Edhe dy krye-emigrantët Fan Noli dhe Faik Konica folën dhe shkruan pastër gjuëhn shqipe, edhe pse emigruan në disa vende për shumë vite, kryesisht në SHBA. Edhe sot unë lexoj dhe kënaqem me shqipen e tyre të bukur, të cilës duhet t’i kthehemi gjithnjë. Nuk futën ata në librat shqip asnjë fjalë nga gjuhët e tjera, edhe pse dinin mjaft gjuhë të huaja. Përkundrazi, ata e pasuruan shqipen me fjalë të reja me shkrimet dhe përkthimet e tyre”, thotë studiuesi.

Studiuesi i njohur thotë se shqipja është një gjuhë me vlera të mëdha. Shqipja e ka sjellë kombin shqiptar deri këtu, thotë ai, duke cituar prof. Eqrem Çabejn, se ruajtja, zhvillimi dhe pastërtia e shqipes ka të bëjë me palcën e kombit.

“Kam punuar afro 10 vjet me gjuhëtarin e mirënjohur Eqrem Çabej. Libri i tij më i përdorur mbi tryezën e punës, faqet e të cilit ishin plotësisht të ngrëna ishte pikërisht Fjalori i Gjuhës Shqipe. Si ai, edhe ne të gjithë duhet ta duam dhe duhet të kujdesemi për pastërtinë e gjuhës tonë, duke dyshuar mbi çdo fjalë të re, që marrim nga jashtë shqipes, duke pyetur veten nëse e ka apo jo vetë shqipja atë fjalë”, tha profesor Gjovalini.

Ashtu si edhe gjuhëtarët kolegë të tij, profesor Gjovalin Shkurtaj i ka kushtuar gjithë jetën studimit të gjuhës shqipe, dialekteve, socio-linguistikës dhe etnografisë së të folurit.

Ai ka nxjerrë një seri botimesh shkencore mbi kulturën e gjuhës nga libri i parë “Shpirti i Arbërit rron” dhe deri sot kur po boton librin “Urgjenca gjuhësore”.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Kemi nevoje te menjehershme e te domosdoshme per libra te natyres shkencore per gjuhen shqipe,sepse, siç po perdoren pa vend barbarizmat,se shpejti nuk do te merret vesh ç’gjuhe flasim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button