Drejt Kosovës

Aktualiteti i Kosovës këtë periudhë më ktheu në një udhëtim të beftë në busin me kosovarë, një mbrëmje të ftohtë me shi…
Më kthyen kufitarët hungarezë, kishin shikime xhbiruese që s’lenin hapësirë për diskutim: më mungonin ftesa nga nikoqirja në Vienë dhe ca formalitete tjera që s’i kisha ditur fare…
Me torbën mbushur me dhurata per familjen e shoqes, nisa të përparoj në drejtim të kundërt, mbi asfaltin e lagur, deri tek kufiri serb. Aty pa pritur as edhe një minutë hypa në busin me mërgimtarë kosovarë nga disa shtete evropiane që ishin nisur për shtëpi. A e din sa mirë më ndikuan dijalektet e tyre, atmosfera e krijuar e shoqërimit që zakonisht zgjat sa rrugëtimi, muzika shqipe (mandej si rastësisht  ia dhash shoferit Tefta Tashkon, por shpejt m’a ktheu CD-në pasi “nuk kuptohen fjalët…”).

Bëra dy miq.
Njëri që kishte punuar gjatë nëpër Gjermani dhe e njihte shkëlqyeshëm, përfshirë dhe specifikat e krahinave të ndryshme që ndërtojnë mentalitete brenda një kodi unifikues: gjithandej punohet shumë, gënjehet pak ose aspak, mashtrimet merren për turp, shteti i sertë me secilin. Ishte nisur të marrë familjen që më në fund të jetojnë bashkë, në shtëpinë e re në periferi të qetë. Tregonte mandej se vëllaun ia kishin vrarë fqinjtë e parë serbë gjatë luftës; tha se ky vëlla, për dallim nga ai dhe vëllau tjetër, ka qenë më i qeti “askujt një flakareshë s’ia ka dhëne bile, shumë i donte fëmijët, edhe fëmijët e komshiut që e vrau…”; kuptohet pas aktit makabër serbi me familjen shpërngulet në Serbi “se sikur të kishin mbetur aty, s’e di…”. Vëllau ka lënë pesë vajza, axhallarët kujdesen për to, u kanë ndërtuar një kat të shtëpisë së përbashkët, i kanë martuar dy vajzat më të mëdha dhe i shkollojnë tri tjerat, më e vogla ka pasur vetëm dy muaj kur ka mbetur jetime. Tipi ishte më se interesant dhe teksa vazhdonim bisedën e ndjeja se një zotëri nga ulësja pas na dëgjonte me kujdes, më  vonë edhe ai iu bashkangjit bisedës, derisa tërë kohës shkonte një fon instrumental me çifteli se Teftës apo, nuk i kuptoheshin fjalët… 

Miku tjetër, nga rrethi i Gjakovës, të tërë familjen e kishte në Vienë: fëmijët, vëllezërit, motrën të gjithë në kondicion, me banesa dhe pozita të mira pune. 
Ama atij i ishte bezdisur të jetonte në Evropë, e tha me mendimin se do duhej të sqarohej më gjatë. I thash se e kuptoj, është ajo ftohtësia “bën acarr në njerëz”, kurse në Amerikë, për shembull, më është dukur ende më keq: kudo që e kam shetitur askund s’më është bërë mirë në kuptimin t’ua lakmoj mënyrën e jetës. Bota perëndimore nuk përdor më nocionin “familje e ngushtë”, “familje e gjerë”, por i ka bashkëdyzuar në një: bashkëshortët dhe fëmijët, prindërit kontaktohen kryesisht në Internet, mbledhen për festat nëse s’jetojnë larg njëri-tjetrit – në të kundërtën s’është qeder nëse festat i urojnë prap përmes rrjetit; s’kanë ide për teze, axhë etj. Mbetet e paqartë pse ai turrvrap pas përfitimeve nëse s’kanë kohë për t’i harxhuar, as edhe qejf, pasi të dërrmuar nga puna apo dy punët, me t’u kthyer në shtëpi s’janë për asgjë përpos për divanin karshi televizorit, laptopin në prehër apo celularin me shumë opcione. 

Gjakovari shkon shpesh në Vienë se ne shyqyr ende kemi kuptim, kohë dhe interesim për “familjen e gjerë”, shkojnë shpesh me shoqen edhe në vende të ndryshme të Europës ku janë degdisur  kushërinjtë se “të bekuara janë paret që harxhohen për udhëtime”. Në fshatin Bushat rreth 20 km larg qytetit ka ndërtuar shtëpi të madhe me pishinë me sistem ngrohjeje se fëmijët i bëjnë qejfet e veta kur vijnë për pushim, familja mbarë tubohet për festat e Vitit të ri dhe shtëpia mbushet me te qeshura.  Kuptohet më ftoi të shkoj kur të dua me kë të dua se “mysafiri vjen me nafakën e vet” dhe prej aty mund t’a gjezdis Kosovën, atë botë të pazbuluar për mua.  

Arritëm në Prishtinë herët në mëngjes. Ulem afër xhamit, e pres kafjallin dhe vështroj qytetin si zgjohet, si merr trajtën e vet të zakonshme: fëmijët shkojnë në shkollë, kaluan dy vajza të vogla me çanta në shpinë, çantat u rrijnë mirë me mantelat bojëhapur, shpotisin njëra-tjetrën, sikur moti u ka dalur gjumi…. Kalojnë femrat, shumica me grim si për orët e mbrëmjes, djemtë që thuaja gjithkund duken disi më urbanë se më pak eksperimentojnë dhe më pak gabojnë…

Qyteti më i pastër se hera e fundit para disa vitesh.
Me më shumë rregull komunikacioni.
Më shumë s’arrita të shoh se atë pak kohë deri në nisjen për shtëpi e kalova në Fakultetin e Arteve.
Kafe në kafeterinë Atele (që më saktë do duhej të quhej Atelje) afër Fakultetit. Muzikë e mirë. Ndryshe nga bufetë e dy universiteteve tona ku melosi dominant është i zhanrit të rikomponuar popullor. Dy libra për art (format i madh) të bëra nijet për shoqen në Vienë vendosa t’i jap bibliotekës së Arteve. Prodekani kërkon të më takojë për falemnderim për “donacionin” që m’a lehtësoi dukshëm çantën dhe udhëtimin për shtëpi. Kuvendojmë në zyrë, fjalë pas fjalë del se njiheshkemi, qenkemi takuar sa herë në ekspozitat studentore në Reçicë kur paska ligjëruar atje Metodikën. 
– “Paske ndryshuar” – thotë me zë gazmor.    
Ia kthej diçka në stilin se koha e bën të veten. 
Përgjigja e tij tingëllonte bukur. 
Dhe ky ishte një fillim shumë i mirë i dites.
Për këtë ia vlente fakti që ata kufitarët hungarezë më kthyen nga kufiri në mbrëmjen e ftohtë, me shi…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autorja, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button