ANALIZË: Qytetarët e Maqedonisë në hall me kreditë! 

Deri në fund të shtatorit, qytetarët bankave u kishin borxh pothuajse 2 miliardë euro për shkak të kamatave. Borxhet e qytetarëve për shkak të kredive vazhdojnë të rriten. Në krahasim me fundin e dhjetorit të vitit të kaluar, kur ato ishin 1,6 miliardë euro, për nëntë muaj janë rritur për pothuajse 400 milionë euro. Rritet niveli i borxheve, mirëpo shtohen edhe kreditë jofunksionale. Banka Popullore publikoi se pikërisht nga fundi i vitit 2014 fillon trendi i rritjes së borxheve problematike të qytetarëve, analizon Portalb në analizën javore ekonomike.

Firmat dhe qytetarët bankave u kanë borxh 4,3 miliardë euro…

Ngarkesa me borxh e kompanive dhe e qytetarëve për shkak të kredive është në rritje. Të dhënat më të reja të shtatorit tregojnë se për shkak të kredive, bankat nga kompanitë dhe qytetarët kërkojnë mbi 4,3 miliardë euro. Për nëntë muaj, ose në krahasim me gjendjen në fund të dhjetorit, ngarkesa me borxhe është shtuar për 176 milionë euro. Ja sa kanë qenë kërkesat e bankave si rezultat i kredive:

Shtator, 2015      4 365 349 593 еuro

Dhjetor, 2014      4 189 442 622 еuro

Rritja e nivelit të borxheve për shkak të kredive është e shoqëruar edhe me rritjen e kredive jofunksionale, gjegjësisht kërkesat e dyshimta dhe kontestuese të cilat bankat vështirë se mund t’i realizojnë (arkëtojnë) për shkak të përkeqësimit të gjendjes financiare. Deri në fund të shtatorit, saldoja e kredive jofunksionale e tejkaloi vlerën prej gjysmë miliardë eurosh, dhe për nëntë muaj ajo është rritur për 40,5 milionë euro, njofton Portalb.

Ja si ishte dinamika e rritjes:

Dhjetor, 2014   460 260 162 еuro

Shtator, 2015   500 845 528 еuro

Përkeqësim është regjistruar edhe gjatë analizave të fundit që i bëri BPRM-ja.

“Më 30.6.2014, kreditë jofunksionale të sistemit bankar të Republikës së Maqedonisë janë për 2,5 herë më të mëdha në krahasim me fundin e vitit 2008. Njëkohësisht, pjesëmarrja e tyre në kreditë e përgjithshme shënon rritje prej 5,9% në 10%. Rritja e konsiderueshme e kredive jofunksionale në periudhën e analizuar ndërlidhet me efektet negative të krizës globale financiare, të cilat u ndjenë dukshëm në ekonominë e vendit, në vitin 2008 dhe 2009. Megjithatë, rritja e kredive jofunksionale vazhdoi edhe në periudhën e ardhshme dhe akoma vazhdon”, konstaton Banka Popullore.

Nëse analizohet më detajisht, ngarkesa e popullatës me borxhe për shkak të kredive është në rritje, mirëpo njëkohësisht rriten edhe kreditë problematike të cilat qytetarët nuk mund t’i servisojnë në kohë. Kështu, Banka Popullore konstaton se këto kërkesa problematike janë në rritje dhe bën thirrje për kujdes të shtuar, njofton Portalb.

“Duke filluar nga fundi i vitit 2014, vërehet rritje e kredive jofunksionale te amvisëritë. Në krahasim me tremujorin paraprak, në tremujorin e dytë të vitit 2015, rritja e kredive jofunksionale te amvisëritë u ngadalësua. Edhe përkundër asaj se rritja e tyre nuk është brengosëse, megjithatë, këto kredi duhet të ndiqen me vëmendje të shtuar për shkak të shmangies nga përqindjet e mëparshme vjetore të rritjes ekonomike, të cilat rrotulloheshin edhe nën zero, e poashtu edhe për shkak të rritjes së shtuar të kreditimit të këtij sektori në periudhën e kaluar”, thonë nga Banka Popullore.

Analiza tregon se pjesa më e madhe e kredive jofunksionale, ose 78% u takojnë kredive që u janë miratuar kompanive. Qytetarët në banka më së shumti kanë borxhe për shkak të kredive konsumatore, kartelave kreditore dhe kredive për banesa/shtëpi. Pikërisht për këto kredi pagesa e rregullt e kësteve është më e vështirë. Kështu, pjesëmarrje më të madhe në kreditë jofunksionale me 46,5% kanë kreditë konsumatore, me 23,5% janë të përfaqësuara kreqitë që janë miratuar nëpërmjet kartelave kreditore dhe pjesëmarrje prej 12,5% kanë kreditë për blerjen dhe renovimin e hapësirës për banim. Për qytetarët më problematike për pagesë janë këstet për kartelat kreditore dhe kreditë konsumatore në vlerë prej 1.000 deri në 5.000 euro, njofton Portalb.

Në ekonomi, sipas lartësisë së kërkesave problematike, pjesëmarrje më të madhe prej 36% kanë kreditë që u janë miratuar kompanive nga industria për përpunimin e ushqimit. Madje 26,6 përqind të kredive jofunksionale u takojnë kompanive që merren me tregti me shumicë dhe pakicë, ndërsa 9,5 përqind kompanive ndërtimore. Madje 64,5% e vlerës së kredive jоfunksionale u takojnë kredive më të mëdha se 1 milionë euro.

“Përqindja e kredive jofunksionale shënon rritje pas datës së këtij raporti, dhe në muajin gusht të vitit 2015 dhe ajo arriti në 11,9%. Kjo rritje pothuajse në tërësi është nga ndërmarrjet, te të cilat përqindja e kredive jofunksionale arriti në 16,7%”, theksojnë nga Banka Popullore, njofton Portalb.

Në bazë të rregullativës, njëri nga kriteret themelore që ndonjë kredi ta fitojë statusin e kredisë jofunksionale është vonesa më e gjatë se 90 ditë për pagesën e tij.

Në tremujorin e dytë të vitit 2015 janë shlyer 2,3 milionë euro, që e tejkalon vlerën mesatare të shlyerjeve që janë bërë gjatë tremujorit të dytë gjatë katër viteve të kaluara. Karakteristike për këtë tremujor është ajo se kërkesat e shlyera pothuajse në tërësi u takojnë amvisërive. Shuma më e madhe e kërkesave të shlyera nga amvisëritë, përveç me arsyet e zakonshme për shlyerje, lidhet edhe me shlyerjen e kërkesave nga personat fizikë në përputhje me Ligjin për shlyerje të njëhershme të borxheve të qytetаrëve. Me këtë bazë janë shlyer rreth një e katërta e shlyerjeve të përgjithshme nga amvisëritë, njofton Portalb.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button