Gara demokrate përfundon pa filluar?

Xho Bajden vendos mos të kandidohet, ndërsa Xhim Ueb dhe Linkoln Çafi ndërprejnë kandidaturat e tyre. Kandidat demokrat për president të Amerikës do të jetë Hillari Klinton

Tre muaj para se votuesit e parë të hedhin votën e tyre në kaukuset e shtetit Ajova, gjithçka në garën demokrate për nominim të kandidatit të tyre presidencial duket se ka përfunduar. Megjithëse që në fillim të garës dukej se Hillari Klinton do të jetë kandidatja e pakontestuar, në garë të paktën formalisht kishte edhe katër kandidatë tjerë, ndërsa gjatë gjithë kohës si hije mbi sigurinë e saj qëndronte mundësia e kandidimit të nënkryetarit aktual Xho Bajden, i konsideruar si kundërkandidati më serioz i mundshëm i Klintonit.

Gjithçka ka ndryshuar brenda vetëm tre ditëve. Së pari garën e braktisi kandidati Xhim Ueb, pardje Xho Bajden njoftoi se ka vendosur mos të kandidohet fare, ndërsa sot nga gara e mëtejshme u tërhoq edhe Linkoln Çafi. Përderisa tërheqja e Ueb dhe Çafi nuk përbën ndonjë lajm të madh (ata kuotonin rreth 1% nëpër anketa), vendimi i Bajden ndryshon plotësisht lojën. Pikë së pari muajt e fundit ai ka patur një përkrahje mesatare jo të vogël prej 17%-20%, madje pa thënë se do të kandidohet. Me këto shifra ai do të mund të cenonte seriozisht Klintonin, duke u paraqitur si trashëgimtar i mirëfilltë i politikave të Obamës. Për më tepër Bajden dhe Klinton bëjnë pjesë në krahun e njëjtë të partisë demokrate, larg ekstremizmit të Sandersit. Kjo do të thotë se pjesëmarrja e tij në garë do të dëmtonte kryesisht Klintonin, duke i hapur rrugë Sandersit të triumfojë pa shumicë, por me pluralizëm (kur kandidati është i pari me vota, por nuk ka 50%). E gjithë kjo lojë tani bie në ujë dhe në periudhën përpara pritet që përkrahësit e Bajden të grumbullohen rreth Klintonit.

realJoe-BidenHistoria e kandidimit të Bajdenit është e komplikuar. Në të kaluarën ai dy herë është kandiduar pa sukses, për t’u bërë më pas i zgjedhuri i Obamës si nënkryetar. Tani si bashkëpunëtor më i afërt i tij, Bajden do të mund të trashëgonte një pjesë të madhe të “koalicionit Obama”, e sidomos votën e rëndësishme zezake. Megjithëse në moshë të shtyrë Bajden këtë rradhë ka patur shansin më të mirë të karrierës së tij për t’u nominuar dhe më pas për të fituar në zgjedhjet e përgjithshme. Mirëpo në pranverë ai pësoi një tragjedi familjare kur djali i tij Bo Bajden vdiq nga tumori në tru. Me këtë dukej sikur Bajden nuk do të ketë stabilitetin e duhur emocional dhe fokusin më se të nevojshëm për një garë presidenciale. Megjithatë gjatë verës nisën të qarkullojnë zërat se amaneti i fundit i Bo Bajden kishte qenë që i ati të kandidohej edhe një herë për president. Paralelisht me këtë një grup mbështetësish të zjarrtë të tij formuan një SuperPAC dhe filluan të mbledhin donacione për fushatën e mundshme të Bajdenit. Muajt e fundit mediat amerikane kanë qenë tepër të preokupuar me mundësinë e kandidimit të tij. Përfundimisht Bajden pardje vendosi kundër kandidaturës duke deklaruar se vlerëson se koha e mbetur deri në nisjen e votimeve nuk është e mjaftueshme për të organizuar një fushatë serioze. Me këtë mbarojnë të gjitha spekulimet rreth kandidaturës së tij dhe përfundimisht ai nuk do të përfshihet më në anketat demokrate.

realJim-WebbTërheqja e Ueb dhe Çafi ndërkaq nuk është aq dramatike. Të dy nuk kishin kurçfarë gjasash për të fituar nominimin, ndërsa nuk i ndihmuan aspak vetes as gjatë debatit të parë demokrat. Deklaratat e tyre gjatë tërheqjes sidoqoftë ishin diametralisht të kundërta. Ueb u tërhoq me insinuata se establishmenti demokrat veçmë e ka kurdisur garën në favor të Klintonit. Ai pra u tërhoq me pesimizëm, duke mos përjashtuar mundësinë që të kandidohet  në zgjedhjet e përgjithshme si i pavarur.

realLincoln-ChafeeÇafi ndërkaq u tërhoq me premtime se do të mbështesë me të gjitha fuqitë platformën dhe kandidatin demokrat. Në prononcimin e tij përfundimtar ai iu thurri eulogji grave dhe paqes në botë, që ndoshta mund të lexohet si përkulje ndaj Klintonit me shpresë se mund të shpërblehet me ndonjë vend në administratë nëse ajo fiton presidencën. Qëndrimi i këtillë përndryshe është diametralisht i kundërt me paraqitjen e Çafit në debat, ku ai ishte i vetmi që sulmoi karakterin etik të Klintonit.

Me ndryshimet e kësaj jave fusha demokrate ngelet me vetëm tre kandidatë: Klinton, Sanders dhe O’Malli. Ndryshimet janë regjistruar menjëherë edhe në anketa dhe bastore. Ja shifrat e mbështetjes për Klinton dhe Sanders sot dhe para dhjetë ditëve:

SOT Para dhjetë ditëve
Rejtingu mesatar sipas RCP 48% – 26% 43%-25%
Rejtingu mesatar sipas HuffPost 50%-24% 48%-24%
Gjasat sipas bastoreve, Predictwise 89%-11% 70%-11%

 

Të gjitha shifrat, si dhe analizat kualitative të garës, çojnë në një përfundim të vetëm. Duke marrë parasysh se Martin O’Malli nuk ka arritur kurrë të tejkalojë 1% në anketa dhe duke marrë parasysh se Berni Sanders është e shumta një kandidat tematik – socialisti i vetëm në Kongres në një vend që akoma konsideron socializmin si tabu, gara demokrate për nomimin ka përfunduar. Tani, ende pa filluar votimet, me siguri të plotë mund të themi se kandidati demokrat për president të Amerikës do të jetë Hillari Klinton.

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button