Ademi, prezanton projektet e reja për Kërçovën dhe regjionin

Ministri i Ekologjisë, Abydaqim Ademi, sot qëndroi për një vizitë zyrtare në Kërçovë, gjatë së cilës prezantoi përpara kryetarit të Komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari, të gjitha projektet e parapara për Kërçovën dhe regjionin. 

Sipas, Ademit, në planet e Ministrisë së Ekologjisë për investim qëndron zgjidhja e problemit të ujit të pijshëm për banorët e Zajazit me rrethinë dhe gjetja e një zgjidhje të përshtatshme për deponinë e qytetit të Kërçovës.

Me këtë rast ai tha: “Me kënaqësi njoftova kryetarin e Komunës së Kërçovës, Fatmir Deharin, për mundësin e bashkëpunimit me pushtetin qendror. Gjithashtu njoftova kryetarin për projektet aktive që realizohen nëpërmjet Ministrisë së Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe për projektin regjional të Zajazit, i financuar nga ministria jonë dhe për vitin e ardhshëm kemi siguruar edhe një milion euro me qëllim të finalizimit të projektit për furnizim me ujë të pijshëm për Zajazin me rrethinë. Planifikojmë një projekt regjional për kanalizimin dhe pastrimin e ujërave të zeza, që realizohet nëpërmjet IPA fondeve dhe do të fillojë sapo të përfundojmë me studimin e sensibiletetin, projektin kryesor, dosjen e tenderimit. Deri tani gjithçka shkon në rregull dhe duhet të përfundojë deri në fund të vitit 2018. Pas kësaj një pjesë e Kërçovës do të jetë me kanalizim dhe me stacion për filtrimin e ujërave të zeza”. – tha Ademi. 

Kryetari i Komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari, tha: “Vitin e ardhshëm, me zgjidhjen e çështjes së ujit të pijshëm, praktikisht, do të realizohet një nga nevojat elementare për Zajazin dhe të gjithë ata fshatra. Gjithashtu, kolektori pastrues, me IPA fonde, që do të mbulojë të gjithë qytetin dhe fshatrat që kanë arritur të përfundojnë me projektet e kanalizimit. Kërkova nga ministri të bëjmë një zgjidhje për deponinë si shqetësim shumë serioz”.

Ministri Ademi foli edhe për deponinë e Kërçovës si një nga pikat më problematike të qytetit.

“Deponia në Kërçovë e kualifikuar si një nga pikat më të ndjeshme dhe më të rrezikshme në Republikën e Maqedonisë. Ne biseduam dhe erdhën në përfundim për hartimin e një plani për zgjidhje të përkohshme kurse zgjidhja e përhershme do të ishte deponia regjionale”. – tha Ademi.

Lajme të ngjashme

Back to top button