Turqia dhe Kosova – shtetet e dhëndurëve

Një deklaratë, pafund shumë reagime të vrullshme dhe rihapje të debatit se kush dhe ku jemi. Këto janë rezultatet e prekshme të vizitës së Kryeministrit turk Rexhep Taip Erdogan në Kosovë  dhe demanteve pasuese që ishin tepër të vonshme. 

Deklarata se Kosova është Turqi, pa çka se u mohua me vonesë të vakët treditëshe, i dha flatra të menjëhershme entuziastëve të shumtë që shpëtimin e shohin pikërisht tek Erdogani si kalif modern. Për tjerët, a nuk është Kosova Turqi nëse kompania privatizuese e KEK-ut dhe Aeroportit të Prishtinës menaxhohet nga dhëndri i Kryeministrit turk? Apo, çka na dallon neve prej Turqisë, në aspektin e akraba-menaxhmentit të kompanive publike? Mbi të gjitha, a është gabim më i madh nëse themi se Kosova është Turqi apo nëse pohojmë se është Evropë, si që besojnë mbështetësit e idesë se jemi evropianë denbabaden dhe asgjë tjetër? 

Porosia: Nuk ka asgjë të keqe nëse thuhet se Kosova është Turqi. Përkundrazi, ne duhet të synojmë që të përfitojmë nga kjo, qoftë në aspektin politik apo ekonomik, madje edhe të luftojmë që Kosova të jetë njëherazi edhe Amerikë dhe Gjermani. Kjo për arsye se në skenën botërore miqtë nuk mjaftojnë asnjëherë, veçanërisht jo në rastin e Kosovës së pakonsoliduar.

Njëra nuk e përjashton tjetrën dhe ky qëndrim i mbrapshtë i të qenit ose me lindjen ose me perëndimin është duke na vetë-shkatërruar. Mendësia jonë është përjashtuese – ne nuk i ngërthejmë ndryshimet dhe dallimet brenda vetes që na mbeten të panjohura. Popujt e këtillë historikisht humbin, meqë nuk mund t’i përshtaten realitetit që nuk është bardhë e zi. 

Esenca: Kryeministri Erdogan nuk është krejt Turqia dhe interesat afaristë të kompanisë Limak nuk duhet të njëjtësohen me ato të shtetit turk. Përderisa ne nuk e dallojmë shtetin prej emocioneve dhe biznesin prej historisë, do të zhytemi në baltën e argumenteve të pabaza dhe histerive mediatike. Erdogani erdhi në Republikën e Kosovës plotësisht i vetëdijshëm që është pjesë e fushatës parazgjedhore. Pra, kur një shtet merr guxim të ftojë një Kryeministër për reklamë politike, pse qenka e padenjë që mysafiri të jep deklarata si në shtëpinë e tij? 

Në vend të emocioneve, mund të parashtrohet pyetja se ku ka lobuar Turqia për njohjen e Republikës së Kosovës. Për shembull, pse nuk përkthehen premtimet e Ankarasë në njohje konkrete nga Azerbajxhani, tashmë kur Kryeministri azerbajxhanas thotë se me Turqinë janë një popull në dy shtete? Duket si diçka e lehtë për ta dëshmuar vëllazërinë e fortë. 

Leksionet: Shkaku i injorancës së thellë, ka pak porosi që na kalojnë pa histeri, qoftë edhe kur përkthehen gabimisht. Në vend se të verifikohen fjalët e thëna, menjëherë ngjallen debatet historike se kush jemi, sa jemi dhe pse jemi. Kjo vetëm flet për pasigurinë tonë, që nuk zbutet me legjenda dhe zhurmën e çiftelive. Me një histori të shkruar kryesisht nga poetë dhe shkrimtarë, kemi tepër pak bazë shkencore dhe kritike tonën për ta gjykuar të kaluarën prej para dhjetë viteve – për pesë shekuj më parë as që bëhet fjalë. 

Në qoftë se udhëheqësit tanë kanë për të mësuar diçka nga homologu turk, është mirë të fillohet me temat ekonomike dhe jo sjelljen populiste për të cilën gjithashtu shquhet Erdogani. E njëjta vlen edhe për reaguesit që ndaj çdo veprimi dhe deklarate tentojnë të krijojnë ndasi krahinore, ideologjike dhe kryesisht fetare. Me zhdërvjelljen ekonomike dhe politike, Turqia pozicionohet miqësisht ndaj të gjitha vendeve të Ballkanit, pavarësisht të kaluarës. Një aftësi kjo jo e thjeshtë, e orientuar drejt rrisjes së ndikimit rajonal dhe përfitimeve ekonomike. 

Konkretisht, nëse identiteti shqiptar dhe orientimi i Kosovës lakohet lehtësisht me çdo deklaratë, që në fund mund të rezultojë edhe të jetë e përkthyer gabimisht, problemi me të cilin ballafaqohemi ka emërtim krejt tjetër dhe jo Erdogan. Në këtë pjesë të botës, Turqia është dhe do të mbetet fuqi, fatmirësisht e dëshmuar për afërsinë ndaj shqiptarëve në momentet më kritike. Kjo nuk duhet të përzihet me materializimin e interesave afaristë të elitave shtetërore që ndjekin interesin klanor. Në vend të debateve hipotetike se ku do të ishim pa pushtimin nga Perandoria Osmane, është mirë të zbritet në realitet dhe të mendohet se ku do të ishte sot kjo Kosovë – por edhe Shqipëri – pa mbështetjen e fuqishme turke.    

Ajo që varet nga Kosova është të zhvillohet si shtet sagllam me institucione stabile, që një ditë të bëhet partner i respektuar. Kosova vizitohet nga dy-tre kryeministra në vit, meqë askujt nuk i interesojnë takimet me udhëheqës të korruptuar, përveç nëse nuk kanë përfitime direkte. Kështu, ajo rrezikon të mbetet si vrimë mes Turqisë dhe Evropës, në hamendje të përhershme se kujt i takon, kinse duhet të zgjedhë anë një herë e përgjithmonë. Në rrethana të këtilla, kemi çështje shumë më thelbësore se debati historik për lidhjet me Turqinë. Për një moment, duhet të dilet nga mostra e akuzimit të të tjerëve dhe ta shohim veten se ku jemi. 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button