Debati demokrat nuk ndryshoi asgjë

Debati i parë i kandidatëve demokratë, i organizuar nga kanali CNN në 13 tetor, theu edhe një rekord tjetër mediatik. Sipas të dhënave të televizionit atë e kanë ndjekur rreth 15 milionë shikues. Megjithëse audiencë më e vogël se dy debatet e para republikane (me 24 dhe 25 milionë shikues), debati është për 50% më i shikuar se rekordi i mëparshëm demokrat– debati epik Klinton-Obama i vitit 2008 që u ndoq nga 10 milionë shikues.

Mirëpo kjo e dhënë nuk ka kurfarë domethënie për vetë rrjedhën e garës demokrate, pasi në esencë debati nuk solli asgjë të re, as nuk ndryshoi garën në ndonjë mënyrë thelbësore. Me konsensus të përgjithshëm të analistëve amerikanë dhe vetë publikut, fituese absolute e debatit ishte Hillari Klinton. Në vetvete kjo nuk përbën asnjë befasi. Si lidere e pakontestueshme e garës demokrate Klinton ishte në qendër të vëmendjes si para ashtu edhe gjatë debatit. Për dallim nga debatet e ashpra republikane me konfrontime të pandërprera mes kandidatëve, debati demokrat ishte shumë më i qytetëruar. Asnjëri nga kandidatët nuk sulmoi lideren, madje fitohej përshtypja sikur ata kishin drojë mos irritojnë Klintonin, apo publikun në auditorium. Sulmet e rralla si ai i Linkoln Çafi që kontestoi etikën e Klintonit nuk u pritën mirë, ndërsa asnjëri nuk guxoi të futet më thellë në çështjen e skandalit të saj të vazhdueshëm me e-mailet si sekretare e shtetit. Në këtë drejtim Klinton madje pati ndihmë nga kundërkandidati kryesor, Berni Sanders, i cili mbylli e-mailat si temë duke thënë se publikut amerikan nuk ka fare interesim për to.

Se Klinton vërtetë ishte në qendër të vëmendjes tregon statistika e mëposhtme. Sipas New York Times, kjo ishte koha që foli secili kandidat në debat:

Hillari Klinton 31:05 minuta
Berni Sanders 28:05 minuta
Martin O’Malli 17:56 minuta
Xhim Ueb 15:35 minuta
Linkoln Çafi   9:11 minuta

Sa u përket kandidatëve tjerë asnjëri nuk la ndonjë përshtypje që të përmirësojë më tej pozicionin në garë. Berni Sanders u ndal te pikat e tij karakteristike, pra populizmin ekonomik dhe thirrjen për barazi më të madhe sociale, duke marrë si shembull shtetet skandinave. Ai nuk u mbrojt mirë nga akuzat se përkrah lobin e armëve (NRA), ndërsa momenti i tij më i paharueshëm ishte mbrojtja e Hillarit në temën e skandaleve me e-mailat. Martin O’Malli nuk bëri gjë që të prezantohet si alternativë e mirëfilltë e Klintonit, ndërsa Xhim Ueb dhe Linkoln Çafi që kanë ardhur vonë nga partia republikane vërtetë dukeshin si të huaj në partinë demokrate.

Ashtu siç pritej ndër temat kryesore të debatit ishte ekonomia, por për shkak të situatës në Siri dhe Ukrainë më e diskutuara ishte politika e jashtme. Sipas një analize kuantitative, ja cilat ishin temat më të diskutuara në debat:

Politika e jashtme 11 herë
Ekonomia   8 herë
Skandalet e Klintonit   6 herë
Imigracioni   6 herë
Armët   5 herë
Raca   5 herë
Eduard Snouden   5 herë
Ndryshimet klimatike   3 herë
Mungesa në punë për arsye familjare   3 herë
Akti Patriot (përgjimet)   3 herë

 

Gati një javë pas garës janë regjistruar vetëm dy anketa të reja. Njëra tregon udhëheqje të Klinton ndaj Sanders 51%-24%, ndërsa tjetra 45%-31%. Xho Bajden merr 16% në të parën dhe 10% në të dytën. Kandidatët tjerë regjistrojnë mes 0% dhe 2%.

Ndërkaq debati i mirë për Klintonin ja ka rritur asaj gjasat për nominim sipas bastoreve. Nga 70% gjasa për të fituar që i jepnin para debatit, tani bastoret i japin asaj 77%. Sanders regjistron 11%, Bajden 10%, ndërsa kandidatët tjerë janë afër zeros.

E gjithë kjo do të thotë se debati demokrat nuk ndryshoi asgjë në garë dhe Hillari Klinton vetëmse pret kurorëzimin formal kur të fillojnë zgjedhjet. E panjohura e vetme edhe më tej ngelet mundësia e kyçjes së Xho Bajden në garë.

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button