Maqedoni, pak logopedë shqiptarë, prindërit edhe më pak të informuar për to

Mungesa e informimit adekuat, mungesa e logopedëve shqiptar, dërgimi i fëmijëve për kurim nëpër vende të gabuara, përkujdesja e paktë e shtetit dhe neglizhenca e prindërve, janë vetëm disa nga problemet nga të cilët vuajnë fëmijët shqiptarë në Republikën e Maqedonisë që kanë probleme me gjuhën dhe artikulimin e të folurit, njofton Portalb.

Nëse fëmija juaj shfaq vështirësi në të folur, në formimin e nocioneve, në komunikim, gjatë leximit të shkruarit, nëse ka probleme në rrjedhshmërinë e të folurit (p.sh. marrja e gojës), vështirësi në të gëlltitur, shqetësime të zërit, probleme në të folur, (p.sh. përdorim i gabuar i tingujve të lartë: /S/ në vend të /Sh-së/, vendosja e gjuhës ndërmjet dhëmbëve duke folur, etj.), vështirësi në shkrim dhe lexim, atëherë patjetër duhet ta dërgoni në logoped sa s’është bërë vonë thonë mjekët për Portalb.

Logoped (4)Një defekt në të folur sipas rregullit, sjellë vështirësi nëaspektin mësimor, në rezultate dhe në atë social. Me një vizitë në një logoped, ai mund t’ia diagnostikojë defektet në të folur dhe sipas nevojës mund t’i bëjë terapi individuale apo në grup për kurimin e problemit të caktuar.

Në një intervistë për Portalb, logopedi Ermond Miftari, i punësuar në Entin për Rehabilitimin e Fëmijëve (ERF), vlerëson se mos kurimi në kohë i problemeve të lartpërmendura, mund të sjellë pasoja të mëdha.

“Problemi është se nëse nuk kurohet me kohë fëmija, atëherë problemi shkon duke u komplikuar dhe me kalimin e kohës, kur fëmija arrin në moshën e shkollës fillore, ai nuk di të lexojë, nuk di t’i dallojë shkronjat, nuk e kupton edukatoren se çfarë flet, nuk di t’i përcjellë moshatarët se çfarë punojnë. Nga ana tjetër nëse një fëmijë belbëzon, 99%, vet nuk mundet ta përmirësojë atë dhe ai fëmijë tërë jetën do ta ketë atë problem. Çrregullimet e nyjëtimit apo artikulimit nëse nuk kurohen, fëmija në të ardhmen nuk mund t’i shqiptojë shkronjat e ndryshme, gjegjësisht do t’i shtrembërojë ata, veç asaj do të ketë pasoja edhe në komunikim, planin psiko-social, shkrim-lexim, etj.”, thotë për Portalb, logopedi, Ermond Miftari.

Logoped“Ka shumë raste kur prindërit nuk e dinë se kush është ai person që merret me problemet që i kanë fëmijët në gjuhën dhe të folurit. Zakonisht shkojnë te mjeku amë, nëse mjeku amë e vëren se duhet të dërgohet në logoped, atëherë ai patjetër duhet ta bëj atë, por shpeshherë ndodhë që vetë mjekët ia lënë kohës, gjë që është në dëm të fëmijës. Pastaj ka raste kur fëmijët i çojnë në psikolog, te hoxha apo në ndonjë mjek popullor, që faktikisht në ato raste, duhet të drejtohen për në logoped. Hendikep shtesë është se prindërit shqiptarë edhe nëse janë të informuar, logopedë shqiptarë në Maqedoni ka mjaft pak, kështu që nuk munden t’i dërgojnë në logoped maqedonas sepse fëmijës gjatë terapisë duhet t’i flitet në gjuhën amtare”, thotë për Portalb Miftari.

Sipas informatave që ka siguruar Portalb, në Shkup zyrtarisht punojnë vetëm dy logopedë shqiptar, një logoped punon në Entin për Rehabilitimin e fëmijëve, në kuadër të Ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale dhe një logopede në Entin për Rehabilitimin e Dëgjimit, të Folurit dhe Zërit, në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, ndërkaq në nivel republikan numri është tmerrësisht i vogël.

Enti për Rehabilitimin e Fëmijëve në Shkup, punon në nivel republikan dhe i kuron fëmijët me hendikep të mesëm dhe të rëndë, që kanë probleme me gjuhën dhe të folurit (të caktuar nga Komisionit për Kategorizim, që funksionon në kuadër të Institutit Mendor, i përbërë nga mjekë, neuropsikiatër, pedagogë, psikologë, defektologë, punëtorë social etj., fatkeqësisht asnjë shqiptar). Sipas logopedit Ermond Miftari, në këtë Ent, gjithsej momentalisht kurohen rreth 70-80 fëmijë, në mesin e të cilëve ka edhe fëmijë shqiptar, të cilët u nënshtrohen terapive rehabilituese dhe edukativo-arsimore (elementare).

“Këto terapi janë të caktuara në katër nivele, ku një nivel përafërsisht është 2,3 vjet. Pasi t’i kalojnë katër nivelet, pastaj fëmijët kyçen në punëtoritë e ndryshme që janë në Entin për Rehabilitimin e Fëmijëve, për mekanik, zdrukthëtar, amvisëri etj. Më tepër i mësojmë që të jenë të aftë për t’i kryer obligimet e thjeshta jetësore me qëllim që të jenë sa më të pavarur për jetë, të dinë të vishen, të ushqehen, t’i kryejnë nevojat fiziologjike, ndërkaq për ata që munden i mësojmë edhe sende të tjera”, thotë për Portalb Ermond Miftari.

Logoped (3)Sipas logopedit Miftari, fillimisht prindërit duhet të jenë më të përgjegjshëm nda fëmijëve të tyre, sidomos në fazën kur fëmijët fillojnë të flasin, nuk duhet të përqeshen se si flasin, por duhet të jenë të lirë që ta shprehin mendimin e tyre pa pasur frikë, pa pasur stres, por gjithashtu edhe në shkollë duhet që edukatoret të kujdesen, veçanërisht në mënyrën se si flasin, sepse ka raste kur u imponohet ndonjë formë e gabuar që më pas shkakton probleme te fëmijët, që mund t’u ngelen përgjithmonë.

“Në shumicën e rasteve fëmija nga aspekti fiziologjik i aparatit të të folurit është në rregull, por nga rrethi, gjegjësisht familja, shkolla apo shoqëria, i është imponuar ndonjë formë e gabuar e të folurit dhe atë duke e përsëritur vazhdimisht i është bërë shprehi, por kjo me një terapi 2-3 muajshe mund të përmirësohet”, thotë për Portalb logopedi Miftari.

Sensibilizimi i prindërve për këtë problematikë, do të ishte ajo që më së shumti i nevojitet popullit shqiptar në Maqedoni, veç asaj duhet të sensibilizohen edhe maturantët e rinj që të vazhdojnë studimet për logopedi, në mënyrë që kjo problematikë me kalimin e kohës të zbutet.

“Duhet të punohet më tepër në këtë fushë, të mbahen simpoziume, konferenca, aktivitete, projekte që të njoftohen prindërit, por edhe të stimulohen nxënësit shqiptar që të regjistrohen studentët në këtë degë”, thotë për Portalb, logopedi Ermond Miftari. /Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button