Si vdes një shpresë në Maqedoni

Është qesharake që akoma të lajmërohet, diskutohet dhe shkruhet për negociatat mes partive politike. Në një botë normale, si në negociatat për biznes, qoftë ato politike, qëllimi i bisedimeve është të arrihet marrëveshja. Ndryshe ato nuk kanë kuptim. Falë mendjes racionale të njeriut, kjo është mënyra si funksionon në gjithë botë – me një parantezë: përvec tek ne! Me arritjen e marrëveshjes, nuk ka më vend për bisedime të tjera që do të ndryshonin marrëveshjen vec më të arritur. Vetë fjala e tregon kuptimin e vet: marrëveshje, domethënë jemi marrë vesh, jemi kuptuar dhe kemi arritur në konkluzione të cilave duhet t’ju përmbahemi.

Praktika në vendin tonë tregon dicka të re: tek ne bëhen bisedimet për të arritur marrëveshjen, të cilën pastaj e rinegociojmë për të arritur në një konsensuz të ri. Pas maratonave negociuese, ku ishte ndërhyrja direkte si rrallë herë më parë e faktorit ndërkombëtar ajo që zhbllokoi situatën e ngërcur politike, u arrit qëllimi që të afrohen qëndrimet mes palëve kundërshtuese dhe të arrihet një marrëveshje në Przhinë që duhet të ishte kodeksi i zhvillimit politik në vend deri në momentin e zgjedhjeve. Konkluzionet e asaj marrëveshjeje ishin të qarta, dhe ato do të trasonin rrugën për zgjedhjet e reja parlamentare që duhet të mbahen në fund të prillit. Secila pikë e marrëveshjes ka afatin kohor në të cilin duhet të zbatohet. Por nuk është cështja vetëm tek zbatimi i marrëveshjes. Ajo që më së shumti i dha shpresë këtij vendi ishte fakti që, megjithëse ndër presionin e fuqishëm ndërkombëtar u arrit të ulen në një tavolinë krerët e partive politike dhe në mënyrë demokratike dhe me bisedime u arrit një marrëveshje politike e mirëqenë mes tyre, si rrallëherë në historinë e këtij vendi të vogël.

Sot, vetëm pak muaj pas asaj marrëveshjeje, krerët e partive politike që ishin nënshkrues të saj, po bëjnë shantazhe të ndryshme me qëllim bllokimin e sërishëm të vendit dhe devijimit nga kontrata e Përzhinës. Secila parti në formën e saj po mundohet të minojë fjalën e dhënë; me këtë secili prej atyre liderëve po luan me fatin e një populli, duke shkatërruar shpresat e tij për një të ardhme më të mirë. Jemi dëshmitarë të përditshëm të thyerjes së afateve, rikontruimit të vendimeve dhe parimeve të asaj marrëveshjeje dhe humbjes gjithnjë e më shumë të vëmendjes së opinionit publik me anë të krizave të vogla ditore politike, propozimeve bombastike dhe të paqëndrueshme të disa individëve që janë pjesë kyce të jetës politike në vend, krijimit të partive të reja politike nën një mjegull pasigurie dhe paqartësie politike, por tek tuk edhe ndonjë mega akcioni policor nëpër fshatrat shqiptare të Kumanovës, me dhunë të tepruar kundrejt njerëzve të pafajshëm, ergo një tentimi për spastrimin etnik të atyre viseve të banuara me shqiptarë.

Për të gjitha këto, jam i bindur që opinioni publik, vetë elektorati ka shumë arsye për të protestuar. Por janë të trembur, në fakt më shumë janë të pasigurtë se cka do të ndodh nesër. Pabesia mes liderëve partiakë ka krijuar një frymë pabesie edhe në popull. Një lidership që është i interesuar kryekëput për interesat e veta të ngushta, pa marrë parasysh pasojat e veprimeve të veta dhe pa respektuar faktorin ndërkombëtar, është i rrezikshëm për një demokraci. Ai ka si produkt pikërisht këtë gjendje amullie dhe pasiviteti qytetar ndër popull, që në vete përmban rrezikun e shuarjes së demokracisë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button