Zgjedhjet në Kosovë: Inercion apo revolucion?

Për herë të dytë pas pavarësisë qytetarët e Kosovës këtë të dielë do të kenë rastin të dalin në zgjedhje lokale. Këto zgjedhje do të duhet të sqarojnë shumëçka në skenën politike kosovare, e cila në këtë periudhë është karakterizuar me fluks të madh politik, fërkime, ndryshime, përplasje e transferta brenda dhe mes partive. Prandaj, më tepër se përcaktimi se kush do të udhëheqë me cilën komunë në katër vitet e ardhshme, rezultati i këtyre zgjedhjeve do të tregojë fuqinë reale të partive politike sot dhe do t’i përcaktojë pozitat prej të cilave ato do të atakojnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Qysh prej zgjedhjeve të para pas çlirimit, skenën politike kosovare e kanë dominuar dy partitë e mëdha LDK dhe PDK, zakonisht të pasuara nga një parti e tretë e mesme dhe një mori partish më të vogla.

Fillimisht disa palë zgjedhje i pat fituar LDK-ja e ndjekur nga PDK si parti e dytë, raport që u përmbys pas vdekjes së liderit historik të LDK-së Rugova. E përballur me ndasi të brendshme LDK humbi zgjedhjet e ardhshme dhe qysh atëherë ia kaloi skeptrin e fitoreve PDK-së, e cila trumfoi në të gjitha zgjedhjet e mëpastajme.

Përveç këtyre dy partive, në skenën politike kosovare një rol të posaçëm luajnë edhe partitë e treta, që zakonisht marrin rreth 10-15% të votave. Megjithëse me mbështetje të këtillë ata kurrë nuk janë në pozitë që të udhëheqin direkt dhe vetë me shtetin, pozicionimi në mes ju jep mundësi të përcaktojnë se kush do të bëjë qeverinë, gjë që përherë kanë ditur t’a shfrytëzojnë në mënyrë pragmatike. Tradicionalisht këtë rol e kishte luajtuar AAK e Haradinajt, por llogaritë kohë pas kohe ia kanë prishur parti si AKR e Pacollit ose LDD e Dacit. Megjithatë këto parti nuk kanë patur mbështetje stabile afatgjate dhe nuk dihet se sa mund të vazhdojnë t’a luajnë rolin e  “kingmaker”-it.

Një fenomen krejtësisht ndryshe megjithatë u paraqit në zgjedhjet e fundit parlamentare. Në ato zgjedhje një parti e sapoformuar, apo një lëvizje e transformuar, Vetëvendosja e Albin Kurtit, arriti rezultat solid duke marë më tepër vota se të gjitha partitë tjera “të mesme” dhe duke zënë vendin e tretë. Ç‘është edhe më e rëndësishme, Vetëvendosja në ndërkohë ka qenë partia më e zëshme opozitare dhe po bëhet gjithnjë e më e qartë se ajo nuk është subjekt i përkohshëm si AKR ose LDD. Ajo sipas të gjitha gjasave do të vazhdojë të ketë mbështetje stabile dhe në të ardhmen madje mund të atakojë edhe pozitat e dy partive të mëdha.

Pikërisht dilemat e këtilla, të forcës reale të partive politike, duhet t’i sqarojnë zgjedhjet e 2 nëntorit. A janë PDK dhe LDK edhe më tej dy partitë e mëdha të pakontestueshme apo janë në rrënie dhe mund t’iu afrohet ndonjë parti e tretë? Cila mund të jetë kjo parti e tretë? A vazhdojnë të kenë Vetëvendosja dhe AAK elektorat stabil apo madje mund edhe të shënojnë ndonjë rritje të dukshme? A do të zhduken dhe minimizohen partitë tjera, siç ndodhi më parë me partinë Ora dhe LDD-në?

Skena e sotme politike në Kosovë dhe mënyra si është zhvilluar fushata po bëjnë çfarëdo lloj parashikimi edhe më të ngatërruar. Larg të qenurit komode si parti të mëdha, PDK dhe LDK po përballen me një mori sfidash që seriozisht mund t’iu lëkundin rejtingun dhe rezultatin. PDK-së po i sjellin telashe dy figura të mëdha të kësaj partie, Jakup Krasniqi dhe Fatmir Limaj, të cilët konfliktin tanimë të hapur me kryetarin Thaçi e kanë transformuar në konflikt me gjithë establishmentin e partisë.

Kjo natyrisht do të thotë se ata bëjnë çmos për të luftuar të zgjedhurit e partisë nëpër komuna dhe për pasojë mund t’ia shembin rezultatin partisë si tërësi dhe t’ia rrezikojnë pozitën e parë në Kosovë. Për LDK-në ndërkaq parësore mbetet Prishtina, ku garon vetë kryetari i partisë Isa Mustafa. Mirëpo në vend të PDK-së të cilën në kryeqytet e ka mundur rregullisht, siç duket LDK këtë rradhë do të duhet të përballet me Vetëvendosjen, e cila me një seri manovrash politikisht të shkëlqyera po i ngrit një sfidë serioze. E gjithë kjo ka bërë që paradoksalisht partitë e mëdha të mos merren shumë me njëra tjetrën, sa me palë të treta që mund t’iu prishin hesapet. Nuk përjashtohet as mundësia që në rrethin e dytë ata fshehtazi të ndihmojnë njëra tjetrën, vetëm e vetëm që të eliminojnë rivalë të tretë për të ardhmen.

Pasi nga AAK nuk pritet që të shënojë ndonjë rezultat të jashtëzakonshëm jashtë terrenit të saj në Dukagjin, ndërsa partitë tjera si AKR duket se janë në rrënie e sipër, e panjohura më e madhe e këtyre zgjedhjeve mbetet Vetëvendosja. Pas suksesit relativ në zgjedhjet e para ku morri pjesë, ajo ka shfrytëzuar me sukses hapësirën e ofruar pas atyre zgjedhjeve.

Tanimë ajo ka arritur të afrojë rreth vetes kuadro të partisë ORA dhe të bashkohet tërësisht me partinë FER, me çka nga radikalizmi i theksuar i të kaluarës ngadalë po evoluon në parti stabile që ka shumëçka për t’i ofruar shoqërisë kosovare. Ajo poashtu shpesh ka qenë zëri i vetëm opozitar dhe ka arritur të shkëputet e dallohet nga pjesa tjetër e opozitës – konformiste e pushtetit. Kjo, në kombinim me karizmën e liderit të saj dhe përgatitjen profesionale të kandidatëve të saj të rinj, po e bën Vetëvendosjen gjithnjë e më relevante, të pranueshme dhe konkurente në politikën kosovare. Llogaritet se ajo ka gjasa serioze për të fituar Prishtinën, me çka në të ardhmen definitivisht do të shkëputej nga grupi i partive të mesme dhe do të rradhitej në konkurencë direkte me partitë e mëdha.

Sadoqë në kësi situate politike duket se mund të ndodhë gjithçka, sipas të gjitha gjasave ekzistojnë vetëm dy skenarë për rezultatin përfundimtar. Në të parin, qytetari kosovar do të vazhdojë të votojë sipas inercionit dhe përsëri do të votojë për dy partitë e mëdha. Limaj dhe Krasniqi nuk do të arrijnë të dëmtojnë dukshëm PDK-në, me çka do t’u afrohet fundi i karierës së tyre politike, ndërsa Vetëvendosja dhe AAK do të mbeten në pozita të njëjta dhe do të vazhdojnë të luftojnë për vendin e tretë. Ndërkaq në skenarin tjetër qytetari kosovar mund të jetë i disponuar për votë revolucionare.

Atëherë Vetëvendosja mund të fitojë Prishtinën, ndërsa Limaj e Krasniqi mund të tregohen tejet relevantë, çka me siguri do t’i shtynte të formojnë parti të re. Kjo do të thoshte fund të dominimit të PDK-së dhe LDK-së dhe hapësirë të re për zhvillime të reja politike. Fundja kjo mund të jetë edhe skenari më i dëshirueshëm, në sensin se status-quo-ja ekzistuese deri tash nuk është treguar si e dobishme për Kosovën.

Më 2 nëntor disponimi politik i qytetarit kosovar do të tregojë nëse në Kosovë do të mbizotërojë inercioni apo revolucioni politik. Nëse mbretëron varianti i dytë, atëherë kjo do të ishte mesazh i fortë edhe për shqiptarët e Maqedonisë, që do të mbeteshin shqiptarët e vetëm pa rrugëdalje nga status-quo e tyre mizore.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk
Të drejtat e publikimit i kanë vetëm © Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Back to top button